Malmo i beson Mehmetit e Rexhepit
Malmo është në krizë të realizimit të golave. Në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit, skuadra suedeze i ka shënuar vetëm shtatë gola dhe kjo dëshmon se sulmuesit e saj kosovarë, Agon Mehmeti e Dardan Rexhepi, por edhe dy sulmuesit tjerë suedezë, Alexander Nilsson e Daniel Larsson, nuk po kalojnë në formë të mirë.
Megjithatë, drejtuesit e këtij klubi nuk po brengosen për këtë fakt. Ata nuk planifikojnë që ta angazhojnë ndonjë sulmues tjetër gjatë këtij afati kalimtar. Përkundrazi, besojnë se katër sulmuesit e tyre shpejt do ta tejkalojnë këtë krizë që i ka kapur.
“Ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë përforcim në këtë afat kalimtar të futbollistëve. Për çdo pozitë i kemi nga dy lojtarë të mirë”, ka thënë për mediat suedeze drejtori sportiv i Malmos, Per Agren.
“Qëllimi ynë është që ta marrim veten duke punuar në këtë drejtim, duke filluar nga Dardan Rexhepi, Agon Mehmeti, Alexander Nilsson dhe Daniel Larsson”, ka theksuar ai.