E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, të lidhur me kurdisje

Shqiptarët vazhdojnë të përfshihen në skandalet e basteve të futbollit në shtete të ndryshme evropiane. Shtetas shqiptarë dyshohen të jenë përfshirë edhe në rastin më të ri në Greqi. Sipas mediave helene, njëri ndër ta është edhe Alket Rizai, person i rrezikshëm i cili dy herë kishte ikur nga burgjet greke në mënyrë spektakolare. Hetimet rreth këtij skandali të nisura në Athinë mund të shtrihen edhe në Shqipëri. Nga Express më 26 qershor 2011 në ora 14:00

Në skandalin e basteve të futbollit, që ka shpërthyer në Greqi, duket se ka të përfshirë edhe shqiptarë.

Kështu kanë raportuar mediat greke. Sipas tyre, shtetasi shqiptar Alket Rizai ka dalë të jetë përfshirë në skandalin e kurdisjeve të rezultateve të ndeshjeve të futbollit, që po hetohen nga organet greke të hetuesisë.

Mediat helene e konsiderojnë Rizain si një person shumë të rrezikshëm. Ai është nga Peshkopia, derisa dy herë kishte ikur nga burgjet ‘e forta’ greke në mënyrë spektakolare – me helikopter – duke tërhequr vëmendjen e mediave botërore.

Mediat e Athinës kanë zbardhur një bisedë të shqiptarit me një aksionar të klubit grek, Heliopolis, George Tsakogianni. Biseda mes tyre ishte bërë më 28 mars të këtij viti dhe thuhet se të dy ata kishin një miqësi shumë të ngushtë.

Gjatë asaj bisede, Rizai dhe Tsakogianni flisnin për një bast prej rreth 20 mijë eurove rreth kurdisjes të një ndeshjeje të kampionatit të Shqipërisë. Madje, mediat greke dyshojnë se Rizai ka tentuar ta manipulojë edhe një ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë.

Biznesmeni grek Tsakogianni tashmë është arrestuar në Selanik, derisa Rizai është në kërkim nga policia greke.

Por, ai duket se nuk është shqiptari i vetëm i përfshirë në skandalin e basteve të futbollit në Greqi. Burime pranë policisë së Athinës kanë pohuar për Top Channel se përveç Rizait, të implikuar në këtë skandal dyshohet të ketë edhe shtetas tjerë shqiptarë.

Sipas Top Channel, hetimet e këtij skandali pritet të shtrihen edhe në Shqipëri. Sipas këtij mediumi, policia greke i ka dhënë informacione të detajuara policisë shqiptare lidhur me rrugën e pastrimit të parave të pista prej këtij aktiviteti në Shqipëri, por edhe me shumat e parave që janë luajtur nga Shqipëria në ndeshjet të cilat konsiderohen si të kurdisura në Greqi.

Policia greke ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar 40 persona të përfshirë në skandalin e basteve të futbollit. Po ashtu, edhe mbi 85 persona tjerë janë në kërkim, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në këtë skandal.

Në listën e të arrestuarve, apo të shpallurve në kërkim, figurojnë emra të njohur të sportit grek, një funksionar i Federatës së Futbollit të Greqisë, zyrtarë dhe aksionarë të klubeve helene të futbollit, por edhe arbitra, lojtarë, mjekë të ekipeve, etj.

Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët dalin të jenë të përfshirë në skandale të basteve të futbollit nëpër liga të ndryshme evropiane. Para pak kohësh në një skandal të tillë që shpërtheu në futbollin italian thuhej se e përfshirë ishte edhe një bandë shqiptare.

Thuhet se shqiptarët për një takim të vetëm, atë midis Padovas dhe Atalantas, vunë bast një shifër të çmendur, plot 23 milionë euro. Ka pasur rast kur shqiptarët janë përmendur si të përfshirë edhe në skandale të ngjashme në futbollin gjerman.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›