E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtëzon Trepçën ‘89

Drejtuesit e Trepçës ’89 i kanë ofruar bashkëpunim Gani Sejdiut edhe për sezonin e ardhshëm. Trajneri mitrovicas pranon se dëshiron t’i udhëheqë ‘xehetarët’, por me kusht që në edicionin e ri të garojnë për pjesën e epërme të tabelës, e jo për mbijetesës. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 26 qershor 2011 në ora 13:45

Me përfundimin e kampionatit, i ka skaduar kontrata edhe Gani Sejdiut me Trepçën ’89. ‘Minatorët’ e kanë arritur objektivin me trajnerin mitrovicas në edicionin e porsapërfunduar, duke mbijetuar në Superligën e Kosovës në futboll.

Andaj, drejtuesit e Trepçës ’89 kanë shprehur gatishmërinë që ta vazhdojnë edhe për një vit kontratën e bashkëpunimit me trajnerin Gani Sejdiu.

Edhe vetë ish-trajneri i Kosovës së Vushtrrisë dhe Trepçës pranon se dëshiron të mbetet në stadiumin ‘Riza Lushta’, por me kusht që Trepça ’89 t’i plotësojë disa kërkesa të tij.

Sejdiu thotë se do të mbetet pjesë e Trepçës ’89, por me kusht që ky klub në edicionin e ardhshëm të garojë për ndonjë pozitë më të lartë në renditjen tabelore, e jo të luftojë për mbijetesës, siç bëri në kampionatin që lamë pas.

“Aktualisht nuk kam kontratë. Por, Kryesia e klubit ka shprehur gatishmërinë që ta vazhdojmë bashkëpunimin. Realisht edhe unë kam dëshirë ta vazhdoj punën në këtë klub, pasi këtu e kam pas filluar karrierën si trajner dhe ndihem mirë te Trepça ‘89”, tha Sejdiu për Express.

“Mirëpo, kontratën mund ta vazhdojë vetëm pasi ta zhvillojë një takim gjatë fundjavës me Kryesinë e klubit. Fillimisht dua t’i shoh objektivat e Kryesisë së klubit. Unë do ta vazhdoja kontratën nëse klubi ka ambicie më të mëdha, e jo të luftojmë për mbijetesë. Nuk dua ta ngarkoj klubin për të luftuar për titull, sepse e di që është krizë financiare. Por, dua të luftojmë për pjesën e epërme të tabelës”, theksoi ai.

Sipas Sejdiu, Trepça ’89 këtë objektiv do të mund ta arrinte pa shpenzuar shumë të holla. “Mendoj t’i sjellim disa përforcime të reja në ekip, që nuk do t’i kushtonin shtrenjtë klubit, me qëllim që Trepça ’89 të bëhet një skuadër solide, premtuese edhe për vitet e ardhshme, por që do të mund të luftonte edhe për pozitat e larta të tabelës. Me një organizim, besoj se do t’ia dilnim”, përfundoi Sejdiu.

Trepça ’89 edicionin 2010/11 e përmbylli duke u pozicionuar në vendin e shtatë të tabelës me 43 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›