E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia në treg

Mbase Çurçilli e kishte gabim. Mbase nuk është se Ballkani, siç thoshte ai, prodhon më tepër histori sesa mundet të konsumojë. A nuk kanë treguar dy dekadat e fundit pikërisht se Ballkani ka konsumuar gjithë historinë që ka prodhuar, madje ka uri edhe për më tepër?

Një pjesë e mirë e Ballkanit sot, vazhdon të ndajë të njëjtat pikëpyetje politike e shoqërore. Shumë prej problemeve lidhen me pasojat e thërrmimit të dhimbshëm të Jugosllavisë, por edhe në pika kyçe si korrupsioni apo sfidat e pavarësisë së institucioneve, ngjashmëritë janë të forta. Uniformiteti i reformave të predikuara në Bruksel, ndonjëherë, duket sikur përkon me uniformitetin e praktikave të mbrapshta në Ballkan, në një ekuilibër pervers.

Por më tepër se peizazhi i turbullt i post-socializmit, Ballkanin e përshkon historia e tij e zhvarrosur pambarimisht. Kjo rishfaqje duket që nga fotografitë e zbehta të Titos, që gjen nëpër dhoma të ngrohta pritjeje në Sarajevë, deri tek ethet e diskutimeve nëpër hapësira fizike e virtuale për çdo anë të errët të historisë. Kur të rastis të diskutosh mbi Lindjen e Mesme me të rinj arabë e izraelitë, ndonjëherë të duket sikur ca popuj e ca zona të globit gëzojnë apo vuajnë nga një marrëdhënie më e mprehtë me të kaluarën e tyre, a thua se plagët në historinë e tyre mbyllen më vështirësisht. Por edhe në mos qoftë kështu, duket që një nga eksportet kryesore të Ballkanit, mbetet pikërisht trazimi dhe shpalosja e plagëve historike: historia amatore e përjetuar përditë nëpër gazeta e televizione; historia e gëlltitur me kafenë e zezë të mëngjesit; historia që edhe përgjigje nuk jep por edhe dhimbje rizgjon.

E megjithatë, kjo uria e përditshme për histori, ka fare pak lidhje me historinë e akademive, debatin midis specialistëve, apo kumtesat e mërzitshme nëpër salla të mençurish. Madje, ky prodhim dhe përdorim i së kaluarës, ka të bëjë fare pak me të kaluarën vetë. Në dukje flitet pambarimisht për të, por në fakt luftohen luftra e ushqehen ankthe të së tashmes.

Gjatë javës së çuditshme që lamë pas, për shembull, shqiptarët u bombarduan herë me dashje e herë pa dashje me dhjetra kronika, intervista, dhe refleksione personale e kolektive për diktaturën. Gazetat nxinin nga fotot dhe zbulimet historike. U dërguan mesazhe telefonike pro apo kundër Enver Hoxhës, u zbulua se ajo kohë “kishte dhe të mira”, u mundua të sqarohej një brez i ri që prodhohet në Bllok, por Bllokun e dikurshëm s’e njeh. A thua se e kaluara është thjesht një seri kujtimesh nga rinia e hershme apo shuma e ngjarjeve të jetuara, dhe jo një sfidë interpretimi dhe pyetjesh të reja.

Dhe, ngaqë konsumi i historisë është një sipërmarrje serioze tek ne, qeveria mund të krijonte fare mirë një ministri të veçantë për këtë punë, kjo lloj industrie prodhon si amatorë entuziastë ashtu edhe kundërshtarë të thekur. Këta të fundit shprehen të lodhur nga riprodhimi i vazhdueshëm i historisë. Shikimin “mbrapa” e shohin si përpjekje për të maskuar mbrapshtësitë e së tashmes. Vënë në dukje se ka ardhur koha që e kaluara të lihet pas. A nuk do të merreshim më pak me të kaluarën, duket sikur thonë, nëse gjërat sot do të shkonin më mirë?

Kjo lodhje mund të jetë e kuptueshme, por në mes ka një keqkuptim të madh. Përgjithësisht e kaluara që diskutohet sot është në fakt e tashmja, por me figura dhe shembuj të së shkuarës. E kaluara e tregtuar sot, ka vlerë kryesisht për të luftuar armiq të sotëm e për të fituar kapital politik apo shoqëror po sot. Kështu që, kur kërkohet të lihet e kaluara pas, harrohet se angazhimi serioz për të kaluarën është lënë pas me kohë. Harrohet se industria e riprodhimit të së kaluarës nuk kërkon domosdoshmërisht që e kaluara të studiohet, nuk nxjerr pyetje të reja, nuk zgjidh dilema të vjetra. Përkundrazi, ajo riciklon dhe paketon çështje të vjetra, dhe na lë tek i njëjti dimension bardh e zi, ku grija ngushtohet deri në asfiksim.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për të kaluarën fast food, dhe përderisa ky treg të egzistojë, riprodhimi i së kaluarës do të mbetet fitimprurës, të paktën për një gjeneratë të caktuar. Ka vend edhe për humorin e mirëgjetur (mjafton të kujtojmë filmin Goodbye Lenin!), ashtu siç ka vend edhe për lloj-lloj nostalgjirash koleksionistësh dhe “ripërjetimesh autentike” që nuk do vonojnë edhe në Shqipëri. Por, kjo industri, nuk mund të ngatërrohet me historinë që është fryt i punës kërkimore që kërkon përgjegjësi dhe angazhim afatgjatë. Përndryshe, edhe pas dy dekadash, në ndonjë përvjetor tjetër të zymtë tetori, pyetjet do të jenë të vjetra dhe grija do vazhdojë të mungojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›