E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndësia e zgjedhjeve amerikane

FUSHATA NË SHBA

Jo vetëm Amerika, por e gjithë arena ndërkombëtare, i ka kthyer sytë tek zgjedhjet presidenciale, të cilat, në datën 4 Nëntor 2008, do të nxjerrin Presidentin e 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Diplomacia amerikane, si dhe Presidenti i ardhshëm, do të duhet të përshtaten me sistemin e ri ndërkombëtar, i cili nuk është më ai i pas luftës së ftohtë. Gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë vazhdimisht. Shumë studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë më superfuqia absolute e botës dhe se, kjo superfuqi, është kufizuar tashmë vetëm në sektorin ushtarak. Për sa u përket problemeve ekonomike, sistemi ndërkombëtar karakterizohet nga multi-polariteti, ku përveç SHBA-ve, luajnë rol të rëndësishëm, së pari, Bashkimi Evropian dhe më pas, shtete që po zhvillohen çdo ditë e më shumë siç janë, vendet BRIC (Brazili, Rusia, India dhe Kina). Nëse u referohemi problemeve të reja, të cilat janë dhe provokimet e vërteta të shekullit të ri, si për shembull ndryshimi i klimës, terrorizmi, emigracioni, varfëria dhe epidemitë, mund të themi se ndarja e pushtetit (power distribution) në sistemin ndërkombëtar, është pothuajse kaotike dhe nuk mund të flasim më për superfuqi të SHBA-ve. Sfida kryesore për presidentin e ardhshëm Amerikan do të jetë kuptimi i këtyre ndryshimeve thelbësore, si dhe përshtatja e diplomacisë amerikane në to, duke mos u përqendruar vetëm tek monopolizimi i fuqisë së fortë “hard power”, por edhe në përdorimin e fuqisë së butë, “soft power”, si dhe kombinimin e tyre “smart power”. Gjithashtu, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’ju duhet të përmirësojnë imazhin e tyre në sistemin ndërkombëtar dhe kryesisht në rajonet delikate dhe, në këtë mënyrë, të rrisin influencën për zgjidhen e konflikteve dhe problemeve të interesit të përbashkët. Rigjenerimi i bazës multilaterale i diplomacisë amerikane, si dhe marrëdhëniet SHBA-BE, mund të shërbejnë si bosht primar për menaxhimin dhe zgjidhjen e problemeve të njohura, si për shembull kërcënimi i Iranit, një zgjidhje e qëndrueshme në rajonin e lindjes së mesme, apo dhe konfliktet në Kontinentin Afrikan. Vlen të përmendet edhe kuptimi (jo pranimi) nga Uashingtoni i nacionalizmit të ri rus dhe pozicioneve të reja tij, të cilat Rusia i vuri në dukje kohët e fundit në konfliktin e saj me Gjeorgjinë.

Në aspektin e politikës së jashtme, të dy kandidatët nuk ndajnë qëndrime të ndryshme nga njëri-tjetri dhe nuk besohej se do të sjellin ndryshime serioze në diplomacinë amerikane. Duke ju referuar rajonit të Ballkanit dhe, konkretisht Kosovës, qoftë Barack Obama, kryesisht nëpërmjet kandidatit për Zv/President Joe Biden, por edhe John McCain, e kanë quajtur pavarësinë e shtetit të ri si zgjidhjen më të mirë të mundshme, kështu që presidenti i ardhshëm Amerikan, duhet të kontribuojë në forcimin e vazhdueshëm të shtetit të Kosovës, si faktor për stabilitetin në rajon, përkundrejt destabilitetit dhe paqëndrueshmërisë që, disa pesimistë, mbështesin në analizat e tyre.

Së fundi, kriza financiare, si dhe profili i moderuar i Obamës dhe McCain-it, si kandidatë të mirinformuar për problemet ndërkombëtare, por edhe të ndërgjegjshëm për imazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qytetarët e tyre, tregon se progresi ciklik amerikan po largohet disi nga politikat konservative, të cilat, disa studiues kohët e fundit, i kanë quajtur dhe populiste dhe po shkon drejt një ndërthurje të frymës tradicionale të ekonomisë liberale amerikane me mbrojtjen sociale të qytetarëve. Kështu, për shembull, kandidati republikan John McCain, kishte propozuar disa vite më parë një projektligj për kufizimin e shpenzimeve elektorale të partive politike, ndërsa Barack Obama, përveç të tjerash, mund të shërbejë si një model politik për afro-amerikanët dhe forcimin e pozicionit të tyre si pjesë potenciale e shoqërisë amerikane, ashtu si çdo qytetar tjetër. Cilido qoftë fituesi i zgjedhjeve, një frymë pozitive do të drejtojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një faktor i qëndrueshëm dhe jetik në sistemin ndërkombëtar.

*Autori është diplomuar për Studime ndërkombëtare dhe Evropiane në Universitetin e Athinës. Punon pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›