E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi me helikopterë, Siria: Amerika, veprim agresiv

Siria ka reaguar ashpër pas sulmit me katër helikopterë në një fshat brenda territorit në kufi me Irakun, për të cilin fajëson Amerikën.

Ministria e Jashtme siriane ka bërë me dije se tetë civilë u vranë në sulmin që duket se kishte në shënjestër një kantier ndërtimi. Pas kësaj, Siria ka protestuar ndaj diplomatëve amerikanë në kryeqytetin Damask për atë që e quajtën "një veprim agresiv".

Ndërkohë për këtë rast nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga autoritetet amerikane.

Nëse pretendimet e sirianëve vërtetohen, ky është i pari inkursion amerikan në territorin sirian prej Irakut.

Ai vjen në kohën kur administrata e Bushit po i afrohet përfundimit të mandatit dhe kur aleatët evropianë si Britania dhe Franca janë duke u përpjekur të zgjerojnë lidhjet e tyre me Damaskun.

Cilëtdo qofshin faktorët ushtarakë lokalë të përfshirë në këtë operacion, do të ishte e paimagjinueshme të mendohej se një inkursion në Siri nuk do të kishte nevojë për një vendim politik të nivelit të lartë.

Lëvizjet e kryengritësve dhe luftëtarëve të huaj nga Siria në Irak, kanë qenë prej kohësh një mollë sherri mes Damaskut dhe Uashingtonit.

Argumenti amerikan ka qenë gjithmonë se sirianët nuk po bëjnë sa duhet për të kontrolluar kufirin.

Sirianët nga ana e tyre kanë reaguar se janë fajësuar në mënyrë të padrejtë për trazirat brenda Irakut që nuk janë shkaktuar prej tyre.

Duke lënë mënjanë dallimet e tyre për Irakun, Uashingtoni e sheh Sirinë si shumë miqësore me Iranin dhe që nuk i ndihmon Libanit.

Mes dy qeverive, ka pasur kontakte të nivelit të lartë; Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice është takuar me ministrin e Jashtëm sirian Walid al-Muallem, kur merrnin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së disa javë më parë, por këto bisedime nuk sollën ndonjë ngrohje.

Në Evropë presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy drejton përpjekjet për ta nxjerrë Sirinë nga periudha e marrëdhënieve të ngrira.

Por administrata e Bushit ka qënë e qëndrueshme në politikën për të mos zhvilluar bisedime me Sirinë derisa - siç shprehen amerikanët, - Siria të luajë një rol më pozitiv në rajon.

Tani që administrata e Bushit po i afrohet përfundimit të mandatit, një inkursion ushtarak amerikan mund të jetë si një plumb lamtumire kundër sirianëve.

Është e qartë se nëse senatori Barack Obama vjen në krye të Shtëpisë së Bardhë, këshilltarët e tij kryesorë janë në mesin se atyre që janë pro bisedimeve me Damaskun për një seri çështjesh. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›