Abuzimi me tokat, pranga 50-vjeçarit në Perondi
Berat-Krimi ekonomik në Berat ka vënë në pranga një shtetas, që ishte në arrest shtëpie nën akzuën e abuzimit me tokat në zonën e Perondisë dhe për shpërdorim detyre.
Sipas burimeve policore mësohet se është arrestuar shtetasi 50-vjeçar, Ismet Kapllani, banor i Perondisë në Berat. “Ky shtetas ka qenë në arrest shtëpie dhe ka dalë jashtë, duke e thyer masën e sigurisë që ishte caktuar”- sqarojnë të njëjtat burime, duke shtuar se masa ishte përcaktuar pak kohë më parë pas një denoncimi për problemin e pronësisë me tokat në këtë zonë.
Ai është ndaluar një muaj më parë, së bashku me kryetarin e komunës së Perondisë dhe një punonjëse të gjendjes civile. Pas hetimeve të para u caktua për të tre, masa e sigurisë arrest shtëpie, pasi akuzohen se kanë falsifikuar aketet e pronësisë mbi tokën dhe aktet e gjendjes civile, duke abuzuar me to në favor të kryetarit të komunës, të cilit mësohet se i ka kaluar në pronësi një sipërfaqe toke.
Deri në plotësimin e hetimeve në ngarkim të tyre u vendos që ata të rrinin arrest shtëpie, por duket se Kapllani e ka thyer masën dhe ka përfunduar në pranga. Ai ka sqatuar para policisë se e ka pasur të domosdoshme të dilte jashtë shtëpisë, sepse si ka thënë edhe vetë ka dalë të blinte medikamente për gruan e sëmurë.