E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Vlorë: Qytetarët, pjesë e vendimmarrjes

Vlorë- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka vlerësuar rolin e padiskutueshëm që kanë qytetarët në vendimmarrje, gjatë një takimi për ngritjen e Bordit të Dialogut me Shoqërinë, të krijuar në qytetin e Vlorës. Qytetarët të mbledhur sëbashku kanë krijuar këtë strukturë, e cila është tërësisht e pavarur nga Partia Socialiste. Bordi qytetar është një strukturë autonome që nuk varet nga strukturat e PS-ja, por është një organizim qytetar që ka si synim rritjen e trysnisë mbi politikëne PS-së për të bërë të mundur pritshmërinë nga qeverisja të banorëve të Vlorës apo dhe qyteteve të tjera ku është krijuar.

Duke e konsideruar Bordin e Dialogut me Shoqërinë si një urë lidhëse mes partisë dhe njerëzve Rama ka nënvizuar nevojën e afrimit të Shqipërisë reale me Shqipërinë në letër, të cilat kanë një ndryshim dhe hendek të madh me njëra tjetrën. Kryetari i PS, Edi Rama ka nënvizuar se ngritja e këtyre bordeve me qytetarë në mbarë vendin do të bëjnë të mundur sjelljen ndryshe të qeverisë në raport me qytetarët pas fitores së sigurt të PS-sw, në ‘09.

“Politika kur mbetet vetëm një ushtrim i politikanëve është detyrimisht një trysni shpeshherë e padurueshme për qytetarët, por këtë nuk mund ta zgjidhin politikanët, në rast se nuk duan ta zgjidhin qytetarët, të cilët duhet të angazhohen pa qenë domosdoshmërisht të detyruar të bëhen politikanë apo të bëhen anëtarë partie”- tha Rama.

“Bordi i Dialogut me Shoqërinë”, sipas tij, kërkon dhe synon që të ndërtojë këtë urë dhe qytetarët të jenë ura ku shkojnë dhe vijnë mendimet, ku shkojnë e vijnë opinionet, ku shkojnë e vijnë idetë dhe ku shkojnë dhe vijnë energjitë, që duhen për t’i marrë por edhe për t’i ekzekutuar vendimet, në mënyrë që Shqipëria reale të jetë shprehje e Shqipërisë në letër.

“Kemi një Shqipëri në letër që funksionon sepse ka ligje, ka dekrete, e ka akte nënligjore sa të duash dhe kemi një Shqipëri reale që nuk funksionon, sepse mungon energjia dhe fuqia ekzekutive, për shkak se politika është një hapësirë ekskluzive për politikanët”- theksoi ai.

Shqipëria,-ka vijuar më tej Rama,- është shumë e vogël dhe shumë e varfër për t'u ndarë me këtë hendek të madh që ka hapur politika në emër të të majtës dhe të të djathtës.

Por nga ana tjetër nuk duhet të kemi iluzione që mjafton të ndërrojmë këtë pushtet me një pushtet tjetër dhe gjërat do të jenë si nata me ditën, kjo nuk mjafton.

“Duhet që të ndërrojmë natyrën e pushtetit dhe për ta ndërruar natyrën e pushtetit duhet të ndërrojmë natyrën e procesit politik. Një proces politik i cili zhvillohet në konflikt, zhvillohet me të shara, zhvillohet me akuza, zhvillohet me fyerje, zhvillohet me të gjithë arsenalin joetik të komunikimit mes njerëzve nuk mund të prodhojë një pushtet etik, as të efektshëm”- tha Rama.

Një proces politik që zhvillohet me pasionin për ta adresuar ndryshimin nëpërmjet kërkimit, këmbënguljes së zgjidhjeve më të mira dhe të zgjedhjeve më të mira, padyshim që mund të ndryshojë natyrën e pushtetit, mund ta bëjë pushtetin më etik, më të efektshëm dhe sigurisht edhe më pranë qytetarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›