Kujt i përket shkolla?
Kujt i përket shkolla? Infrastukturës së shërbimeve që i duhen shoqërisë? Natyrisht që jo! Por m'anë tjetër po të këqyret thelbi i strategjive dhe politikave tona arsimore të deritashme, nuk mund të mos e ndjesh se kumti që ato përçojnë është i vakët; në rastin më të mirë këto strategji u ngjajnë manualeve hiperkorrekte të një makine të ndërlikuar, që për ta vënë në punë duhet të sorollatesh më parë në dhjetëra indikacione teknike dhe guida të vështira përdorimi. Ndonëse pa indikacionet teknike nuk shkohet larg, në këto shkresa nuk ndjehet të rrahë zemra e shkollës dhe as zemra e kujt kjo shkollë i përket; sikurse nuk shfaqet as drita iluministe, ajo dritë që tash sa mijë vjet buron prej shkollës.
A thua shkolla të jetë aset i politikës?Kështu po duket se e ka sendërgjuar kjo qeveri, që Politikën Arsimore e shndërron, me lojë mahije, në Arsim Politik, duke e ulur në gjunjë shkollën tonë, shkollën e kahershme shqipe e cila ia doli të ruante të vetmin element kombformues tonin – gjuhën – e pra ruajti kombin! Nuk mund dhe nuk duhet të jetë shkolla një ngastër që politikat makute dhe të papërgjegjshme e mbjellin 1 herë në mot dhe e korrin 100 herë në vit, duke ua shitur shqiptarëve frutet ende të papjekura e të hidhëta si të jenë pemë nga stina e bollëkut. Natyrisht që politika është edhe e shkollës, e në ndodhtë e kundërta, mbërrihet në këtë ditë, kur ditë më të vështirë zor se ka njohur arsimi kombëtar, kur frutet e hidhëta që korri makutëria politike u shitën nën etiketat e Altertekstit, Maturës Shtetërore, Sistemit të beftë 9-vjeçar, apo Liberalizimit të Universiteteve.
Atëherë, pra, kjo shkollë u përket familjeve?Në fakt shkolla dhe familja janë menduar bashkë qysh në krye të herës. Asnjë politikë arsimore nuk mund t’ia dalë mbanë e vetme nëse krah saj nuk vihen edhe familjet, të cilat kanë të drejtat, por kanë edhe përgjegjësitë e veta në përmbushjen e dashjes së çdo prindi e të çdo gjyshi për t’i parë të vegjlit e tyre jo thjesht të rritur, por të ditur e ç’është më e rëndësishmja, të zotët e vetes në botën që ndryshon. Por pavarësisht nga ky ndërveprim i domosdoshëm, shkolla nuk është e as nuk duhet të jetë e familjeve. Nuk duhet të jetë, pasi në të kundërtën familjeve do t’u binte barra e dublimit të rolit të shkollës, siç po u ndodh sot familjeve shqiptare. Degradimi i skajmë i sistemit tonë arsimor, po i shtrëngon prindërit të rendin sa andej-këndej në kërkim të kurseve private riaftësuese, për t’ua plotësuar me sa munden fëmijve mangësitë e shkollimit. Kurse fizike, kurse matematike, kurse kimie; rezultati: familjet shqiptare kanë 17 vjet që po kryejnë funksionin e murit mbajtës për ngrehinën a karabinanë e arsimit shqiptar. Nuk mund të mos meditojmë mbi këtë fakt mbarëshoqëror që na prek të gjithëve!
Sistemi shkollor bashkëjeton vërtet përkrah sistemeve të tjera si atij ekonomik, politik e familjar, por kjo bashkëjetesë nuk mund të bëhet shkak që shkolla të mbulojë roline këtyre sistemeve kur ato funksionojnë keq e tukeq, e për më tepër, këto sisteme kufitare nuk duhet ta vënë përfund shkollën.
Shtrojmë sërish pyetjen tonë nistore “E kujt është shkolla?”.Shkolla është jona. Vetëm e jona! E bashkësisë shqiptare. Ky vetëdijësim, që në fakt duhej t’i paraprinte hartimit të çdo strategjie dhe zbatimit të çdo politike arsimore, ka munguar në gjithë këto vite tranzicioni të gjatë. Ky parakusht mungoi në 17 vjet, duke e ushqyer për gjithë këto vite trazirën në arsim, e duke i bërë të paefektshme politikat arsimore, edhe kur ato përmbanin elemente të vlefshme teknike e strategjike. Gjithë këto vite shkollës i janë ngarkuar gjithfarë misionesh e detyrash, ndërkohë që sot ajo pret të ketë veç një: të formojë individin si Njeri, si Qytetar dhe si Zot të vetes, duke bashkërenduar interesin vetjak të studentit me interesin e përgjithshëm të shoqërisë. Vetëm ky mision trikrahësh ka fuqi të themelojë nga fillimi bashkëjetesën shoqërore përmes Trashëgimisë së etërve, Konstatimit të së tashmes dhe Projektimit të përgjegjshëm të së ardhmes. Sot janë të paralizuara këto tri krahë. Duhet t’i ngjallim!
E varfëruar nga plaga e papunësisë,e mbërthyer në darën e krizave morale dhe sociale, e ligështuar nga sundimi i injorancës, shoqëria shqiptare pret Ndryshimin. Përditë e më shumë ajo po shpreson se turbinat e këtij ndryshimi do t’i ndezë shkolla. Pasioni i shqiptarëve për arsimin nuk është shuar.
Gjithë procesi edukativ ka nevojë të themelohet mbi vlera të njimendta shpirtnore dhe të kultivojë së pari ndjenjën e qytetarisë e më pas ndorimin teknologjik bashkëkohor. Shqipëria sot është jo vetëm e papunë brenda tregut të vet; ajo është krejt e paaftësuar për shanset e punësimit në tregun e përbashkët të prodhimit. Ndaj s’mund të mendohet integrimi pa konceptuar nga e para atë formim profesional modern që jep mundësi për punësim në Shqipëri dhe jashtë saj dhe që bazohet në harmoninë e teknologjisë me vlerat qytetare që e kanë krijuar atë.
Vendosja e standardeve të nxënies e të mësimdhënies dhe kontrolli i gjithëhershëm i zbatimit të këtyre standardeve nuk do të prodhojë më reforma të hutuara që zvjerdhin dëshirën për dije. Pjesë e këtyre standardeve do të jetë natyrshëm edhe shkollimi me laboratore moderne e mjete didaktike funksionale, ku mësues e pedagogë nuk detyrohen më të shpjegojnë me gishta! Nuk kemi më as kohë e as arsye t’u zgjasim jetën orëve mësimore pa program e pa standarde e as njohurive që sekushi përpiqet t’i marrë aty-këtu sipas pëlqimit dhe mundësive vetjake. Ndaj procesi i edukimit duhet të zhvendoset nga qytetërimi i gojëdhanave në qytetërimin e informacionit. Kishte shumë të drejtë At Zef Pllumi kur ngulmonte se “për me u shërue nga kjo lëngatë e tranzicionit nuk kena nevojë për gjylpana në tule, por për gjylpana në mendje”.
Imazhi i atyre fëmijëve që sot janë ende të ulur me libra mbi prehër në trotuaret e Fushëkrujës do të na vlejë kur të kthejmë kokën pas për të matur sa rrugë kemi përshkuar në shtegun e synimeve tona.
Kjo është sfida jonë, shumatore e vullneteve për ta rimëkëmbur në të gjitha gjymtyrët arsimin shqiptar. Jemi të vetëdijshëm se ajo çka duam nuk mundësohet në një ditë, dhe që secili nga këto vullnete është pjesë e një shkallareje që do ta ngjisim bashkë me një frymë, me të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi, për të mbërritë sa më parë tek Lartorja e Tempullit të Dijes. E nëse dje, në kohën e keqe të diktaturës, nuk ia dolën të na ndalojnë ëndërrimin, sot nuk do na ndalojë askush ta jetësojmë këtë ëndërr. Çfarë qëndron në themel të kësaj ëndrre? Edukimi i bijve tanë si Europianë, të cilët do ta duan këtë vend jo si nostalgjikë a romantikë të flashkët. Ata do të dëshmojnë se e duan këtë vend duke qenë të aftë e të fortë që me punë të ndershme, me dije konkurruese e me vetëdije qytetare, t’ia dalin ta integrojnë atë në rendin modern të Europës së Bashkuar. Arsimi i shekullit të ri, edukimi që po ndërtojmë të gjithë së bashku, do t’i aftësojë bijtë tanë ta përmbushin këtë detyrë aspak të thjeshtë, aspak të pamundur. Ndaj dhe beteja për shkollën ka me qenë thelbi i betejës për integrimin tonë europian.