Historia nuk qon peshë

‘Djajtë e Kuq’ kanë qenë ekipi më i mirë në Angli që nga viti 1992, duke e fituar titullin e kampionit hiç më pak se 12 herë, nga ajo periudhë.
Rivalët Arsenal e Chelsea kanë përfunduar tri herë në pozitën e parë në dy dekadat e fundit, kurse Liverpooli për herë të fundit e ka fituar ligën në vitin 1990.
United këtë sezon gjenden në pozitën e dytë, prapa rivalit lokal, Manchester City. Menaxheri Ferguson e di se çka duhet të bëjë për ta fituar edhe këtë betejë ndaj ‘Citizens’.
“Unë jam i vetëdijshëm me rëndësinë e historisë dhe eksperiencës sonë, por nuk mund të vareni nga arritjet e kaluara, për të fituar trofe. Është e rëndësishme që t’i harrojmë sukseset e kaluara dhe të kemi paraqitje të mira në çdo ndeshje”, theksoi trajneri skocez.
Ai ndihet mirë që Man Utd e fitoi ndeshjen e FA Cup ndaj Manchester Cityt, ndërsa tash kërkon që ta kalojë ekipin e Roberto Mancinit edhe në Premierligë.
“Tash e tutje nuk do të ketë pardon. Ne na janë kthyer disa lojtarë të lënduar që kishim, ndërsa disa të tjerë nuk janë kthyer ende. Ne duhet ta ruajmë këtë distancë dhe ta vëmë nën presion Cityn në ligë, siç e bëmë në kupë”, përfundoi Ferguson.