Rritet frika për udhëtarët e zhdukur të Costa Concordia

Gjashtë persona dihet me siguri që kanë vdekur, pasi anija “Costa Concordia” u përplas me shkëmbinjtë në brigjet e Italisë, natën e së premtes.
Shefi i rojës bregdetare lokale, Marco Brusco, deklaroi se shpresat që personat në fjalë të kenë mbijetuar janë shumë të vogla.
Pronari i anijes ka fajësuar ndërkohë kapitenin për incidentin, duke deklaruar se ai ndryshoi kursin duke u drejtuar drejt ishullit.
Kapiteni Francesco Schettino, 52 vjeç, është ndaluar nga autoritetet nën dyshimin për keq-drejtim dhe një gjyqtar do të vendosë së shpejti nëse ai do të mbahet më tej në burgim.
Italia deklaroi se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme lidhur me ngjarjen dhe se do të sigurojë fonde për të shmangur një katastrofë të mundshme natyrore.
Ministri italian i Mjedisit deklaroi se nga anija kishte rrjedhje, por nënvizoi se është ende herët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për karburant.