Historia pjell politikë
Besnik Mustafaj*
Para disa javësh u vu në qarkullim në Shkup një enciklopedi, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ku, me ç’është mësuar nga shtypi, jo vetëm shtrembërohen të vërteta bazike lidhur me historinë dhe realitetin e shqiptarëve të këtij vendi, por përdoret ndaj tyre edhe një gjuhë fyese dhe poshtëruese Unë nuk jam në gjendje sot dhe as nuk do të jetë në detyrën time nesër, të provoj vërtetësinë apo të kundërtën e asaj ç’ka shkruhet në atë botim enciklopedik. Vëmendjen time e tërheq fakti se ky botim ka ngjallur një debat të nxehtë jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë, po të kemi parasysh se ai debat është transferuar sakaq edhe në Tiranë e në Prishtinë, e po ashtu, ka gjetur vend si një shqetësim serioz edhe në mjediset diplomatike europiane e amerikane si dhe në shumë nga mediat më prestigjioze të botës.
Me dëshirë apo pa dëshirë, janë përfshirë në këtë debat politikanë dhe struktura politike të niveleve më të larta, diplomatë, organizata joqeveritare të respektueshme, personalitete të shquara të shkencës dhe, sigurisht, gazetarë e analistë të shumtë. Bie në sy se vetëm autoritetet zyrtare të Republikës së Maqedonisë i janë shmangur me një indiferencë të pashpjegueshme kësaj ngjarjeje, a thua se ajo nuk ndodhte në vendin e tyre. Për nga tipologjia, ky lloj debati, qoftë në shkakun e tij e qoftë në përmbajtjen që po merr, nuk është i ri në historinë e Europës, pa folur për rajone të tjera të botës. Ka patur të tillë shumë herë midis kombeve europiane gjatë shekullit XX e që më së shpeshti janë mbyllur me tragjedi të mëdha për njerëzimin në përgjithësi e për qytetërimin europian në veçanti. Por, po mbushen dekada që në Europën e zhvilluar, kjo trashëgimi e helmatisur është kuptuar qartë dhe është gjetur fuqia morale bashkërisht për t’u shkëputur prej saj në emër të ëndrrës së popujve për paqe dhe prosperitet. Kjo fuqi ka qenë dhe mbetet rezultat i një vullneti të pastër politik. Vitet e fundit kishte nisur të lindte një besim gjithnjë e më serioz se ishin krijuar më në fund të gjitha rrethanat politike, po konsolidoheshin edhe rrethanat sociale, që një shkëputje e tillë nga e kaluara të kryhej njëherë e mirë edhe te ne, në Ballkan.
Të paktën publikisht, zoti Gruevski, kryetar i qeverisë maqedonase, e ka zënë vetëm një herë në gojë problemin e ngjallur nga botimi enciklopedik në fjalë. Dhe asaj here ka folur me një shpërfillje që nuk dëshmon vizionin dhe përgjegjësinë që pritet nga kryetari i qeverisë. Ai tha se qeveria nuk ka marrë pjesë në hartimin e tekstit. Vetëm kaq dhe kaq është e vërteta. Edhe nëse në vetvete historia është shkencë, pra, nuk është politikë, ajo është e aftë të pjellë politikë, e madje shpesh një politikë aq të ndërlikuar, sidomos kur është për mbrapsht, sa mandej nevojitet një lodhje e madhe për ta shkoklavitur realitetin e për ta qetësuar. Le t’i kthehemi edhe një herë deklaratës së zotit Gruevski. Nëse është e vërtetë se qeveria nuk ka marrë pjesë në hartimin e tekstit, po aq e vërtetë është se qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit do të kenë detyrimin kushtetues të shuajnë belanë që mund të ngjallë një botim i tillë. Për më tepër, në një mënyrë a në një tjetër, qeveria bëhet përgjegjëse qysh në origjinë për këtë telash, pasi ajo e ka financuar fillim e mbarim. Të gjithë ata që e kanë lexuar këtë enciklopedi, në Maqedoni e jashtë saj, pajtohen se më së paku, përcaktimet për shqiptarët aty janë provokative. Si mund të mbetet dorëjashtë pastaj një qeveri, e cila ka financuar provokacione që cenojnë rëndë kohezionin e shoqërisë?
Vitet e fundit, brenda OKB-së ka lindur një lëvizje, që po merr përmasa të mëdha për Aleancën e Qytetërimeve. Kjo lëvizje ka dy bashkëkryetarë: kryeministrin e Spanjës dhe kryeministrin e Turqisë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka caktuar një përfaqësues të posaçëm të nivelit të lartë për ta ndjekur e që është ish-presidenti i Portugalisë, Jorge Sampaio. Aleanca e Qytetërimeve lindi nga vetëdija e lartë dhe vullneti i qartë politik i qeverive për të marrë në dorë dialogun midis komuniteteve me përkatësi të ndryshme fetare, etnike apo kulturore, si rruga e vetme për të shmangur mosnjohjet apo keqkuptimet që vijnë nga e kaluara, në emër të ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme e të prosperitetit të përbashkët për të gjitha komunitetet, punë kjo e kryer deri atëherë kryesisht nga shoqëria civile. Zyrtarisht rreth Aleancës së Qytetërimeve janë përfshirë tashmë 102 vende anëtare të OKB-së. Ndër to edhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, siç njihet fqinji ynë lindor në Nju Jork. Kuptohet, pra, se qeveritë e kanë marrë përsipër këtë punë pikërisht për shkak të seriozitetit të jashtëzakonshëm që paraqet problematika e sheshimit të keqkuptimeve midis komuniteteve me përkatësi të ndryshme etike apo fetare. Maqedonia, me vetë përbërjen e saj shumë etnike, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe miratimit të kësaj marrëveshje me referendum popullor, do të kishte brenda kësaj Aleance një fushë veprimi të pashoqe për politikën e vet të jashtme, duke i dhënë vendit një rol të lakmueshëm në zhvillimet globale. Do të ishte një rol që do t’i jepte Maqedonisë një autoritet të lavdërueshëm ndërkombëtar, e për të cilin ajo ka sot shumë më tepër nevojë se fqinjët e saj, do t’i siguronte vetes edhe një njohje e simpati te popujt e tjerë. Por Maqedonia nuk mund ta marrë këtë rol për sa kohë nuk ka shëndoshur realitetin e saj të brendshëm. Dhe, fatkeqësisht, Gruevski nuk po jep shpresat e duhura se ka vullnet për të udhëhequr një proces të sinqertë pajtimi e bashkëpunimi midis qytetarëve me përkatësi shqiptare dhe atyre me përkatësi maqedonase në vendin e tij.
Një nga veprimtaritë më të rëndësishme të Aleancës së Qytetërimeve që nga themelimi i saj është mbajtja sivjet më 14 dhjetor në Sarajevë e një konference të madhe të ministrave të Jashtëm të vendeve të Europës Juglindore me hartimin e një strategjie rajonale për dialogun ndërkulturor në gadishullin tonë. Do të marrin pjesë po ashtu edhe ministrat e Jashtëm të Spanjës, Austrisë, Greqisë, Turqisë, Hungarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Bullgarisë, vende këto që nuk përfshihen në termin gjeopolitik “Europa Juglindore”, çka tregon për rëndësinë e konferencës. Do të jetë një nga drejtuesit kryesorë të OKB-së, në mos vetë Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, e po ashtu pritet të marrë pjesë edhe Kryetari i Komisionit Europian, Barroso, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESKO-s, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së etj. Shumë rrallë bëhen konferenca kaq të rëndësishme ndërkombëtare në rajonin tonë. Ka një vit që diplomacia e të gjithë këtyre vendeve dhe organizatave të mëdha punon për përgatitjen e këtij ministeriali. Me gjasa, në deklaratën finale të ministrave të jashtëm do të ketë edhe një paragraf për të bashkuar vullnetet politike që të shkruhet një libër i përbashkët për historinë e popujve të këtij rajoni, ku të nxirren në pah fakte që e bashkojnë fatin e këtyre popujve dhe jo e ndajnë atë. Nuk është sekret po të them se prapamendimi që e ka ushqyer këtë paragraf, ka qenë kryesisht dëshira për të ndihmuar afrimin e serbëve me boshnjakët, me kroatët e me shqiptarët e Kosovës. Tani rishfaqen edhe maqedonasit! E marr me mend sikletin që do t’i duhet të përballojë miku im Antonio Miloshoski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë, gjatë asaj mbledhjeje dhe nuk do të doja të isha në vendin e tij.
Nga pala shqiptare, në Tetovë, në Shkup, në Tiranë, në Prishtinë, në Ulqin janë përfshirë në këtë debat shumë personalitete të rëndësishme politike, shkencore e të shoqërisë civile. Ata janë vërtet në të drejtën e tyre ta ngrenë zërin, por do e shkelnin këtë të drejtë po ta humbin maturinë, që do të thotë po të përgjigjeshin duke përdorur për fqinjët maqedonas të njëjtën gjuhë si dhe autorët e enciklopedisë për shqiptarët. Është shumë e lehtë të biesh pre e një provokacioni, por shumë e vështirë të dalësh mandej prej tij.
*President i Forumit Shqiptar
për Aleancën e Qytetërimeve
besnik@afalc.org