E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia provon që i kanë vonuar proceset për të ruajtur ofiqet

Ka të drejtë autori i shkrimit “Lavdia e të vonuarve”, kur thotë që “përgjithësisht politikanët shqiptarë i kanë këmbyer interesat e vendit me kolltuqet e tyre, i kanë vonuar proceset për të ruajtur ofiqet”.

Gjatë vitit 1991, Shqipëria provoi pesë qeveri: qeveria e Adil Çarçanit, në periudhën e fundit të saj, qeveria e parë e Fatos Nanos, (në shkurt 1991), qeveria e dytë, po e Fatos Nanos (pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991), Qeveria e Stabilitetit, e Ylli Bufit (në qershori) dhe Qeveria Teknike, e Vilson Ahmetit (në dhjetor) e cila e çoi vendin në zgjedhje të parakohëshme.

Politikanët që erdhën në pushtet më 1992-shin, nuk ditën ta shfrytëzonin mbështetjen ndërkombëtare, për të ecur shpejt në drejtim të ndërtimit të një sistemi modern demokratik. Stabiliteti i përkohshëm u prish, nga brenda, për shkak të mospranimit të rolit të opozitës dhe rotacionit të pushtetit me votë të lirë. Vonesat në drejtim të ndërtimit të themeleve të sistemit e shtuan trysninë ndaj një shoqërie të hallakatur duke u dhënë dorë faktorëve informalë për të dirigjuar pjesë të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Pas 5 vjetësh qeverisjeje të Sali Berishës, Shqipëria ra në anarki të plotë. Ajo nuk kishte as kushtetutë, as institucione financiare private, as media elektronike të lira, as drejtësi të pavaruar e as ligj të përshtatshëm për pronat. Procesi i integrimit të Shqipërisë, në NATO dhe BE, që ishte në hapat e para të tij, u kthye mbrapsht. Aktori tjetër, kryesor, Fatos Nano, u rifut në skenë pas zgjedhjeve të parakohëshme të vitit 1997. Ngjarjet e një viti më pas e detyruan të largohej nga kreu i qeverisë për t’u kthyer sërish në vitin 2002.

Gjatë qeverisjes së fundit të tij, Shqipëria hapi negociatat për marrëveshjen me BE-në, por nuk arriti t’i mbyllte dot për shkak të korrupsionit dhe monopoleve që krijoi. Fatos Nano e vonoi procesin e integrimit në këmbim të pushtetit të tij, duke ia lënë dhuratë përsëri Sali Berishës.

Nëse Nano do të ishte treguar më i përgjegjshëm në qeverisjen e fundit (kujtojmë krizën e rëndë që përjetoi PS-ja, e cila u divorcua) Shqipëria do ta kishte nënshkruar MSA-në, të paktën 2 vjet më shpejt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›