E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia shqiptare në Kupën Intertoto

Pesë ekipe shqiptare kanë marrë pjesë në Kupën Intertoto, ku rekordin e pjesëmarrjeve e mban Teuta e Durrësit me tre të tilla.
TEUTA e Durrësit është dhe skuadra e parë shqiptare që ka marrë pjesë në Kupën Intertoto në vitin 1999, 2002, 2004. Teuta e eliminua qysh në turin e parë nga Akranes e Islandës: humbi 5-1 në Islandë dhe fitoi 2-1 në Durrës. Në vitin 2002 Teuta eliminoi Valetën e Maltës (fitoi në transfertë 2-1 dhe barazoi në Durrës 0-0). Në turin e dytë u eliminua nga rumunët e Gloria Bistrica. Humbi 3-0 në Rumani dhe fitoi 1-0 në Durrës. Në vitin 2004 Teuta u eliminua nga sllovenët e Dubnicës: barazoi 0-0 në Durrës dhe humbi 4-0 në transfertë.
VLLAZNIA është ekipi i dytë shqiptar që ka marrë pjesë në dy sezone: 2000 dhe 2004. Vllaznia morri pjesë për herë të parë në Kupën Intertoto në vitin 2000, kur u eliminua qysh në raundin e parë nga skuadra qipriote Nea Salamis Ammochostos (1-4, 1-2). Dy golat për Vllazninë i shënoi Dorian Bylykbashi. Në vitin 2004, Vllaznia eliminoi në turin e parë skuadrën izraelite Hapoel Bear Sheva. Humbi ndeshjen e parë në Shkodër 1-2 dhe fitoi ndeshjen e kthimit në Izrael 1-0. Dy golat për Vllazninë i shënoi Hamdi Salihi. Për shkak të aktivizimit të një lojtari të pafederuar në UEFA, skuadra izraelite e humbi takimin në tavolinë 3-0. Në raundin e dytë të këtij edicioni, Vllaznia u eliminua nga skuadra kroate Slaven Belupo Koprivnica. Humbi në transfertë 2-0 dhe fitoi në Shkodër 1-0 (gol i brazilianit Abilio).
BYLIS i Ballshit, që sapo u shpall kampion i Kategorisë së Dytë (sezonin e ardhshëm do të luajë në të Parën) është ekipi i tretë shqiptar që ka luajtur në Intertoto. Ballshiotët kanë marrë pjesë në Kupën e vitit 2001 ku barazuan në transfertë 3-3 me Universitatea Krajova të Rumanisë dhe humbën në shtëpi 0-1, duke u eliminuar nga vazhdimi i saj.
PARTIZANI, që u eliminua sezonin e kaluar (2006) qysh në raundin e parë nga skuadra qipriote Ethinkos Achnas (2-4, 2-1), është skuadra e katërt që ka marrë pjesë në Kupën Intertoto. Paraqitja e parë e të kuqve është ajo e vitit 2003, e sukseshme në raundin e parë kur eleminuan skuadrën izraelite Makabi Netanjau (2-0, 1-3, gol i rëndësishëm i Muzakës në ndeshjen e kthimit). Në të dytin, Partizani i humbi të dyja takimet me skuadrën moldave Dacia Kishinau (0-3, 0-2).
Edhe DINAMO ka luajtur një tur në Kupën Intertoto në vitin 2005. Dinamo fitoi 2-1 në Tiranë me skuadrën kroate Varteks Varazhdin dhe humbi 4-1 në Kroaci, edhe pse shënoi e para.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›