Tare, “xholi” lacial pranë Rexhinës

Sulmuesi shqiptar, Igli Tare, e ka përsëritur shpesh se nuk dëshiron kurrë të largohet nga Lacio, por në klubin kryeqytetas italian po përgatisin largimin e 33-vjecarit. Ish-sulmuesi i Bolonjës, shumë pak i aktivizuar te Lacio sezonin që u mbyll (13 ndeshje, në total 238 minuta lojë), është shndërruar në një "xhol" në dorën e presidentit të Lacios, Klaudio Lotito, sa herë që ky i fundit dëshiron të realizojë ndonjë projekt blerjeje, duke e përdorur edhe në formën e huazimit. Një speciale të gjatë të ditës së djeshme kushtuar merkatos në Itali, 33-vjecari Igli Tare dhe 23-vjecari Rijat Shala ishin në qendër (me fotot përkatëse) në gazetën në fjalë. Pas Livornos së presidentit Spineli, që e kërkoi shqiptarin së bashku me Belerin dhe Kuadrin, plus një shume prej 8 milionë eurosh brenda formulës së transferimit të portierit Amelia, një tjetër president klubi, Lilo Foti, i Rexhinës, citohet të këtë përmendur emrin e ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare. I intervistuar nga radio "Spazio Aperto" (Hapësirë e hapur), Foti pohoi se interesohet për Taren dhe Baronion. Sipas gazetës italiane "Corriere dello Sport", Tare vlerësohet si një alternative zëvendësuese e 24-vjecarit Rolando Bianki me destinacion Napolin. "Presidenti i Rexhinës ka zgjidhje të ndryshme, nga ëndrra Bojinov (21 vjec) dhe deri te Tare (33) e Daniele Kaca", shkruan "Corriero dello sport".
"Kulla" Bogdani
Kaljari vazhdon ta mbajë gjallë interesimin për sulmuesin e Kievos, 30-vjecarin Erion Bogdani. Xhampaolo e konsideron "torre"-n (kullën) shqiptare si një element thelbësor për ndërtimin e skuadrës kuqeblu. Kontaktet e klubit sard me Kievon kanë kohë që janë vendosur dhe ditët e fundit mund të vendosin edhe fatin e transferimit. Gjatë një interviste të dhënë për sitin "Afari italani" nga drejtori Sportiv, Nikola Salerno, pas transferimit të Suazos te Milani, Bogdani vlerësohet nga drejtuesit kuqeblu si një pistë e reale. Kaljari ka marrë ditët e fundit dhe shërbimet e mesfushorit kosovar me pasaportë zvicerane, Rijat Shala. "Është e mundshme që me një seri këmbimesh dhe shitjes që edhe Bogdani e Alesio Cerci mund të kalojnë në bluzën kuqeblu", citohet Salerno, që shton se merkatoja e futbollit është akoma e gjatë. "Por, megjithatë këto tratativa mund të konkretizohen, për ne Bogdani mbetet zgjedhja e parë e sulmit".
Cana, "cift"
Dje nënshkroi për Marsejën, Benua Shejru, i cili konsiderohet nga siti zyrtar i Marsejës një mbështetës i lojës së Lorik Canës në mesfushë. E reja tjetër është Albert Emon, trajneri i Lorik Canës te Olimpiku i Marsejës, i cili përtëriti kontratën deri në vitin 2009. Emon është një nga trajnerët që e ka bërë publike mbështetjen e tij për zëvendëskapitenin shqiptar të Marsëjës. Olimpiku i presidentit Pape Diuf (Marseja është ekipi i 25-të në Europë me koeficientin 51.176, Milani i pari me 133.8008), ndodhet në vazon 4 të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve dhe shorti, sipas faqes lephoceen.fr, do të jetë i vështirë për nënkampionen e Francës, ku mund të jetë në grup me Milanin apo Realin e Madridit (të dyja në vazon e parë), dy ekipe që kanë shprehur interesimin për mesfushorin e fuqishëm shqiptar, i cili aktualisht ndodhet në Shqipëri me pushime.