Historike, Palestina kërkon njohjen e plotë nga OKB
Lideri palestinez, Mahmoud Abas, ka paraqitur kërkesën e tij historike në OKB për njohjen e shtetit palestinez. Ai prezantoi një letër ku kërkonte anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara. Abas iu adresua dje Asamblesë së Përgjithshme për këtë çështje, pas një mirëpritjeje me duartrokitje. Ai tha gjatë fjalimit se është gati të kthehet në bisedimet e paqes me Izraelin, por të bazuara mbi kufijtë e 1967-s. Ne i shtrimë duart tona qeverisë dhe popullit të Izraelit për të arritur paqe tha Abas gjatë fjalimit të tij në OKB, i cili u prit me ovacione. Populli ynë do të vazhdojë rezistencën e tij popullore dhe të paqme, deklaroi Abas. Kjo politikë e Izraelit do të shkatërrojë shanset për arritjen e një zgjidhjeje dy-shtetëshe dhe…kërcënon të minojë strukturën e Autoritetit Nacional Palestinez, madje edhe ekzistencën e tij, shtoi ai. Qëllimi i popullit palestinez është realizimi i të drejtave të tyre nacionale për shtet të pavarur të Palestinës, tha Abas. I bëj thirrje sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të transmetojë kërkesën në Këshillin e Sigurimit dhe u bëj thirrje vendeve anëtare ta votojnë anëtarësimin tonë të plotë, tha ai i shoqëruar me duartrokitje. Izraeli shprehu keqardhjen për këtë hap të palestinezëve. Netanjahu tha se imazhi i Izraelit nuk është ai që japin palestinezët dhe se kanë qenë militantët e tyre që i kanë sulmuar ata. Ai shtoi se Izraeli është një vend ku lulëzon demokracia dhe tha se janë të angazhuar për bisedime.
Si votohet për kërkesën palestineze
Procesi i votimit nisi me paraqitjen nga Abas të një kërkese të shkruar për njohje nga OKB-ja të territorit palestinez si një shtet, saktësisht te sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun. Nëse Ban Ki Mun vendos se aplikimi është në rregull, atëherë Këshilli i Sigurimit do ta ekzaminojë dhe do ta votojë atë. Më qëllim që të kalojë duhet mbështetja e nëntë nga 15 anëtarët e Këshillit, pa veto nga anëtarët e përhershëm. Një votë në Këshillin e Sigurimit mund të merrte disa javë kohë dhe SHBA-ve mund të mos i nevojitet fare përdorimi i vetos, pasi Uashingtoni dhe Izraeli kanë lobuar te anëtarët e Këshillit që të votojnë kundër apo abstenim për planin palestinez. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka kërkuar një kompromis, duke sugjeruar që Asambleja e Përgjithshme tu japë palestinezëve status të zgjeruar si një vend joanëtar, për të lejuar një afat të qartë për bisedime, një muaj për të nisur negociatat, gjashtë muaj për të rënë dakord për kufijtë dhe sigurinë dhe një vit për të finalizuar një marrëveshje përfundimtare. Një votë mbi statusin e zgjeruar, që e gëzojnë edhe joanëtarë të tjerë si Vatikani, nuk do të kërkonte votim në Këshillin e Sigurimit, por një shumicë të thjeshtë në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk vendosen veto.
Marrëveshjet
Bisedimet për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve kanë zgjatur më shumë se katër dekada. Dy herë gjatë dekadës së fundit liderët e Izraelit e kanë pranuar një shtet palestinez: Ehud Barak në vitin 2000 dhe Ehud Olmert në vitin 2008. Dhjetëra vendbanime do të ishin shkulur dhe të tjera do të përqendroheshin në blloqe rreth kufirit, në këmbim të të cilave Palestina do të kishte marrë kompensim territori nga brenda Izraelit, por jo tokat e pushtuara. Rezultati do të kishte qenë një shtet palestinez në territor ekuivalent të territorit të marrë nga Izraeli në luftën gjashtëditore të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet të ndarë. Liderët palestinezë thanë jo. Kjo sepse marrëveshja do të kishte kërkuar një koncesion domethënës reciprok: kufizimin e kthimit të pasardhësve të refugjatëve palestinezë nga lufta e 1948-s, në një shtet palestinez.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha, duke komentuar mbi një votim në Asamblenë e Përgjithshme për kërkesën e palestinezëve që të njihen si shtet, tha se Shqipëria do të votojë si Shtetet e Bashkuara, duke përcjellë mesazhin se do të mbështetet politika e aleatit më të madh të shqiptarëve.