Historike/Arrihet marrëveshja KosovëSerbi
Thaçi: Serbia na njohu, Daçiç: Kjo është ofertë e mirë
Është arritur dje pasdite në Bruksel marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha se bisedimet përfunduan dhe të dy kryeministrat, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç i kanë vënë inicialet në tekstin e saj. Ajo i përgëzoi të dy kryeministrat për vendosmërinë dhe guximin që kanë shfaqur gjatë këtyre muajve. Është e rëndësishme që ajo që po shohim tani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës”, tha ajo.
Marrëveshja
Marrëveshja që në thelb ka mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, do ti mundësojë Beogradit të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova pret ndërkaq të marrë datën e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Thaçi
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e cilësoi marrëveshjen historike. Kjo është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtarë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe popujve tanë. Prandaj jam i kënaqur që ndodhem sot (dje) këtu në Bruksel me baroneshën Ashton me kryeministrin Daçic, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e dy vendeve tona, për të ardhmen evropiane. Nuk ka asnjë iluzion se kjo marrëveshje nuk ka qenë e lehtë. Ne si dy shtete dhe popuj kemi kaluar një të kaluar jo të lehtë, të vështirë mes veti. Mirëpo kemi arritur ti ngushtojmë dallimet dhe të shkojmë drejt një pajtimi, mirëkuptimi dhe të arrijmë marrëveshje, tha kryeministri Thaçi. Ai tha se është i vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje, por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin edhe për BE-në. Ai tha se deri më 26 prill do të hartohet edhe plani për zbatimin marrëveshjes, që sipas tij paraqet fillimin e një epoke të re, atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të ndihmojë shërimin e lagave të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë.
Daçiç
Kryeministri serb Ivica Daçiç tha se teksti i marrëveshjes është shumë më i favorshëm për palën serbe sesa që ishin propozimet e mëparshme. Bashkësia e komunave do të ketë përgjegjësi më të mëdha sa i përket zgjedhjes së komandantit të policisë, përkatësisht do të propozojë komandantin rajonal të policisë, do të ketë përbërjen serbe të policisë, përbërjen serbe të gjyqësorit, do të ketë degën e gjykatës së qarkut në Mitrovicën veriore. Bashkësia do të ketë selinë ne Mitrovicën veriore, do të ketë kuvendin, kryetarin e nënkryetarin dhe këshillin si një formë e qeverisë. Bashkësia do të ketë mbikëqyrjen dhe pushtetin ekzekutiv kur behet fjalë për arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe planifikimin hapësinor. Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje. Unë i kam vënë inicialet në dokumentin ku thuhet se ky është teksti i saktë dhe propozimi përfundimtar i Bashkimit Evropian. Organet tona shtetërore duhet të vendosin ditët e ardhshme nëse do të pranojnë apo refuzojnë këtë propozim. (VOA)
Tirana përshëndet marrëveshjen Thaçi-Daçiç
Tirana zyrtare ka përshëndetur dje në darkë firmosjen në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian Catherine Ashton, të marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës Hashim Taçi dhe atij serb Ivica Daçiç. Kjo marrëveshje historike përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Marrëveshja e Brukselit deklaroi kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha – ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian. Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët europiane, deklaroi Berisha Berisha. Edhe ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilësoi po ashtu historike marrëveshjen. Kjo marrëveshje, në vijim të të tjerave të arritura në dialogun mes dy vendeve, është jo vetëm në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre, por do të kontribuojë edhe për një bashkëpunim më efikas mes të gjitha vendeve të rajonit, dhe për konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit rajonal. Sipas ministrisë së Jashtme shqiptare marrëveshja shënon dhe një hap të rëndësishëm përpara për njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës, për anëtarësimin e saj në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, veçanërisht për anëtarësimin e saj në BE dhe NATO. Marrëveshja është përshëndetur edhe nga udhëheqësi i opozitës Edi Rama, i cili në një mesazh të tij në Twitter shkruan Krenar për Kosovën që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh! Më në fund dhe Serbia bëri gjënë e duhur, nënvizon zoti Rama.
Vetëvendosje: Marrëveshja krijon Bosnjen e dytë
E para që ka reaguar kundër marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit është lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i kësaj lëvizje, Shpend Ahmeti tha se nuk është plotësuar as minimumi i kërkesave. Ai shtoi se epilogu nuk do jetë i mirë. Sipas tij, marrëveshja krijon një Bosnje të dytë. Nëse kjo marrëveshje vihet në zbatim, atëherë kemi krijuar një Bosnje të dytë, një Kosovë e ndarë në vijat etnike, tha Ahmeti për KTV-në. Ai shtoi se VV do të organizojë protesta për të kundërshtuar këtë marrëveshje.
NATO-ja e gatshme të ndihmojë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha sot në Bruksel trupat e aleancës janë të gatshme për të zbatuar rolin dhe mandatin e tyre për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një takim me gazetarë në Bruksel ai tha se NATO-ja është në kontakt të vazhdueshëm me baroneshën Ashton, në këtë periudhë kritike të negociatave, duke nënvizuar se NATO-ja është e përgatitur të ndihmojë zbatimin e marrëveshjes së mundshme. Ai nuk ka komentuar kërkesën e Serbisë që NATO-ja të garantojë ushtria e ardhshme e Kosovës nuk do të vendoset në komunat veriore me shumicë serbe.
Serbët në veri paralajmërojnë kundërshtimin e marrëveshjes
Përfaqësuesi politikë të serbëve në veriun e Kosovës u bënë thirrje udhëheqësve të Serbisë që të mos nënshkruajnë marrëveshje, që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë. Zëvendësshefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Kërstimir Pantiç, u ka thënë medieve serbe se askush në veri të Kosovës nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e marrëveshjes e cila mund të arrihet në Bruksel. Le të vijë Ivica Daçiçi, të marrë me vete marrëveshjen që do ta nënshkruajë në Bruksel dhe le ta zbatojë së bashku me Hashim Thaçin.
Koshtunica: Do mbrojmë Kosovën që Daçiç e shiti
Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) thotë se qeveria e tashme ka pranuar që të largojë praninë e shtetit të Serbisë nga Kosova, dhe që ti dorëzojë popullin serbe në mëshirën e separatistave shqiptar, dhe të shes territorin e Kosovës për një datë të parëndësishme të nisjes së negociatave me BE-në. Kjo qeverisjes është vrasëse e shtetit, sepse ka shkatërruar institucionet shtetërore serbe në Kosovë, ka shkruar Koshtunica në një komunikatë për medie, si reagim për arritjen e marrëveshjes mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Sipas tij, meqë qeveria e Ivica Daçiçit i ka kthyer shpinë