Historiku i spiunazhit Rusi-SHBA që nga viti 1991
Arrestimi i ditës së hënë në Shtetet e Bashkuara i 10 personave të dyshuar për spiunazh për llogari të Rusisë ditën e hënë i shtohet një liste të gjatë çështjesh që kanë ndodhur mes dy vendeve që prej përfundimit të regjimit sovjetik në vitin 1991:
Historiku:
Aldrich Ames, një ish-analist i cili kishte punuar 31 vjet për CIA-n, dënohet me burgim të përjetshëm për shitjen e informatave Moskës kundrejt një shume prej më tepër se 2,5 milionë dollarë. Tradhëtia e tij mendohet të ketë shkaktuar vdekjen e rreth 10 agjentëve të dyfishtë të cilët punonin për amerikanët.
Harold James Nicholson, agjenti më i lartë i CIA-s i akuzuar për spiunazh, dënohet në qershor të vitit 1997 me 23 vjet burg në Shtetet e Bashkuara për shitjen e informatave rusëve.
Moise Finkel, një qytetar rus, dënohet në Moskë në vitin 1997 me 12 vjet burg pasi u ka dhënë Shteteve të Bashkuara informata lidhur me nëndetëse ruse.
David Sheldon Boone, një ish-ushtarak amerikan i cili punonte për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, NSA, akuzohet në nëntor të vitit 1998 për spiunazh dhe komplot kundër Shteteve të Bashkuara për veprimtaritë e tij në përfitim të KGB-së më tej shërbimeve ruse të zbulimit.
Stanislav Gusev, sekretari i dytë i ambasadës së Rusisë në Uashington, arrestohet në dhjetor të vitit 1999 në afërsi të Departamentit amerikan të Shtetit dhe akuzohet për spiunazh përpara se të dëbohej.
Edmond Pope, një ish-oficer i shërbimeve të zbulimit të marinës amerikane akuzohet në prill të vitit 2000 nga drejtësia ruse për spiunazh dhe publikim të sekreteve shtetërore. I dënuar me 20 vjet punë të detyruar, ai falet nga presidenti rus, Vladimir Putin.
George Trofimoff, një oficer në pension i shëbimeve të zbulimit të Këmbësorisë amerikane, arrestohet në qershor në Florida për spiunazh në përfitim të ish-BRSS-së. Ai dënohet me burigm të përjetshëm në shtator të vitit 2001.
Robert Hanssen, një zyrtar i lartë i kundëspiunazhit amerikan, FBI, akuzohet në shkurt të vitit 2001 për spiunazh në përfitim të Rusisë dhe dënohet me burgim të përjetshëm.
Oleg Kalugin, ish-gjeneral i KGB-së, i mërguar në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1995, dënohet në mungesë në qershor të vitit 2002për tradhëti të lartë me 15 vjet punë të detyruar në regjim të ashpër nga një gjykatë e Moskës. Mendohet se ai drejtonte në Shtetet e Bashkuara rrjetin e spiunëve sovjetikë gjatë Luftës së Ftohtë.
Aleksandre Sipaçev, kolonel i zbulimit rus, dënohet në nëntor të vitit 2001 me tetë vjet burg nga një gjykatë ushtarake e Moskës për përpjekje për t'i transmetuar CIA-s sekrete shtetërore.
Aleksandre Zaporojski, ish-agjent i zbulimit rus, dënohet në qershor të vitit 2003 me 18 vjet kamp për spiunazh në përfitim të Uashingtonit. Ai i ka dhënë CIA-s informata për veprimtaritë e shërbimeve sekrete ruse jashtë vendit.
Igor Sutjagin, një shkencëtar rus, i akuzuar për spiunazh në përfitim të Shteteve të Bashkuara, dënohet në prill të vitit 2004 me 15 vjet burg për transmetimin e informatave për sistemin e mbrojtjes bërthamore ruse.
Genadi Sipaçev dënohet në maj të këtij viti me 4 vjet burg sepse akuzohet se i ka dhënë Departamentit amerikan të Mbrojtjes karta për t'u bërë të mundur Shteteve të Bashkuara të drejtojnë raketat e tyre kundër objektivave ushtarakë në Rusi.