E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli rrezikon të humbasë Fernando Torres

Liverpuli duhet t‘u kthejë bankave 31,5 milionë stërlina (39,6 milionë euro), në më pak se një vit kalendarik. Në rast të kundër, "Reds" do të detyrohen të shesin Fernando Torresin dhe Rajan Babel. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta britanike, "Times", e cila ka zbuluar se gjatë verës së kaluar, drejtuesit e klubit morën në formë huaje nga disa institucione financiare paratë që u nevojiteshin për të blerë sulmuesin spanjoll të Atletikos së Madridit (30 gola të shënuar gjatë këtij sezoni dhe idhulli i ri në "Anfilld"). Borxhi është rifinancuar më 25 janar të këtij viti, së bashku me 350 milionë stërlina (afro 441 milionë euro) të huasë së re, e bazuar në një marrëveshje për 18 muaj me 9 për qind interes (sipas llogarive bëjnë 2,8 milionë stërlina, ose 3,5 milionë euro në vit), ku pronarët amerikanë të klubit janë zotuar se do të kthejnë 31,5 milionë stërlinat e Torresit përpara qershorit 2009.

Në rast se Liverpuli nuk do të ishte në gjendje të shlyente borxhin, bankat mund ta detyrojnë klubin që të shesë lojtarin e përfaqësueses spanjolle dhe Babelin, me këtë të fundit që ishte përfshirë në marrëveshjen më të vogël të financimit. Sipas citimeve të së përditshmes londineze, kjo metodë për të siguruar paratë e blerjes së lojtarëve është mjaft e çuditshme dhe nuk përdoret nga skuadrat angleze. Zakonisht, klubet e Premiershipit shpenzojnë në merkato të ardhurat nga të drejtat televizive. Megjithatë, nuk duhet harruar se historia më e fundit e "Reds" është karakterizuar nga shumë episode të çuditshme. Mjafton të kujtosh këtu "shigjetimet" e vazhdueshme ndërmjet dy pronarëve Tom Hiks dhe Xhorxh Xhilet, që dikur ishin shumë shokë, ndërsa tani nuk arrijnë as të bisedojnë. Ata kanë filluar të përdorin mediat për të lëshuar deklarata kundër njëri-tjetrit. Në këtë situatë kaotike janë përfshirë edhe shefi ekzekutiv, Rik Perri, që mban anën e Xhilet e për këtë arsye urrehet nga Hiks dhe tekniku Rafa Benitez, që ende nuk e ka të sigurt qëndrimin në skuadër. E gjithë kjo po ndodh në momentin kur "rreziku" i blerjes së aksioneve nga "Dubai International Capital" është prezent.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›