E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një arbitër i huaj për mëkatet tona

Sa herë që lind ideja për arbitër të huaj, del në sipërfaqe era e keqe dhe bashkë me të edhe frika që kanë presidentët nga njëri-tjetri. Pak ditë më parë, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, në prag të ndeshjes me Shkumbinin është deklaruar për një arbitër të huaj. Një ndeshje kaq shumë e përfolur, sipas tij, nuk meriton një "xhaketë të zezë" shqiptare. Por, zakonisht nuk janë trajnerët që bëjnë kërkesa të tilla, por presidentët. Pikërisht pengmarrësit e lojës. Atëherë, pse Daja guxon të prishë rregullin? Mos vallë ka lënë "pasoja" temperatura e lartë që kishte pas ndeshjes së bamirësisë me Flamurtarin? Por shefat dinamovitë po tregohen mesfushorë të vërtetë, kur thonë se trajneri Daja ka bërë gabim, që pa pyetur ka hedhur idenë e arbitrit të huaj? Në cilin klub shqiptar trajneri do të kapërcente kufirin pa lejen e presidentit. Edhe në rastin kur Dinamo marshoi drejt Shkodrës në Kupë me ekipin e të rinjve, nga klubi blu doli në qarkullim versioni, pak i besueshëm, se këtë aventurë me ekipin e dytë e kishte sajuar njeriu i stolit. Por le të kthehemi një vit më pas, për të shpjeguar se kur duan shefat, trajneri mund t‘i thotë Dinamos edhe karikaturë, pa pasur kurrfarë frike.

Ka shumë vetë që besojnë se me arbitrat e huaj, futbolli shqiptar mund të pastrojë gjakun. Ky naivitet favorizon kapriçiot e presidentëve, që në fillim të kampionatit flasin për ëndrrën e vjetër... Ligën e presidentëve dhe kur vjen faza e dytë shkelin "besën", duke keqpërdorur arbitrat. Dhe pastaj besojnë vetëm te njeriu i panjohur që do të zbresë në Rinas. Kujtoni alibitë në fazën e parë, kur do të luanin në Kavajë, Besa dhe Partizani. Bizhdili dhe Xhani, dy presidentët miq, i kërkuan presidentit Duka një arbitër të huaj, por edhe me famë. Kjo në emër të futbollit të pastër, që edhe ata vetë të mos e cenonin miqësinë?! Në fillim u fol për një çek të njohur që gjykon në Champions, më pas flitej për italianin Trentalanxhe, që edhe pse kishte probleme në Serinë A, mirëpritej në futbollin tonë. Me një fjalë, mjaftonte të mos ishte shqiptar. Me një fjalë, ata që përgatisin çorbën, presidentët, mbeteshin shqiptarë, kurse ata që zakonisht i përdorin si "vrasës me pagesë" ndërrojnë pasaportën. Por, me gjithë inferioritetin tonë përballë arbitrit të huaj, gara e dyshimeve nuk ndalet. Prandaj, në një kampionat të gjatë, ku mëkatet janë në vitrinë, një arbitër nga jashtë, cilido qoftë, nuk e shpëton dot moralin e futbollit. Sidoqoftë, të huajt janë të gatshëm të parashutojnë në çdo moment. Fjalët e italianit Paparesta, kur u largua nga Tirana, nuk kalojnë pa përshtypje: "Sa herë të doni, mua më keni gati. Vetëm njoftoni Federatën time...".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›