E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Problemet me rrugët që hanë 470 milionë euro”

• Nëse financimet për rrugët do të jenë në këto shifra si këtë vit, për 5 vjet përfundojnë punimet në të gjithë infrastrukturën e vendit.Lutfi DervishiMinistri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, shpjegoi në një intervistë në emisionin "Përballë" në TVSH, ecurinë e punimeve në të gjitha akset rrugore në të cilat po punohet aktualisht që nga Rrëshen-Kalimash te Kardhiq-Sarandë. Ka firma që megjithëse nuk ka ardhur afati, kanë filluar ta vënë në zbatim vendimin për të punuar me tre turne?Ka firma të tilla. Mund të përmend një rast që është i dukshëm, është rasti i kthesës së Kamzës, ku s'mund të them që punohet me turn të tretë të plotë, por punohet deri në orët e para të mëngjesit.Për këtë segment që ju po përmendni, me të vërtetë ka pasur një lloj vonese gati-gati të pajustifikuar për ritmet dhe momentalisht ka një vështirësi të tmerrshme për të qarkulluar dhe e ka vështirësuar shumë qarkullimin Tiranë-Durrës dhe anasjelltas. Megjithatë unë do të doja të citoja një deklaratë të Kryeministrit Berisha që thotë: "A e dini pse kanë filluar punimet e Kamzës? Atje kompania ka filluar të punojë me tre turne, sepse i shkoi shkresa që nëse nuk ka kryer volumin e punës të kërkuar deri në 31 janar do t'i anulohet kontrata"?Është e vërtetë. Atëherë në fillim kemi pasur një problem serioz teknik në këtë projekt, që ka pasur të bëjë me faktin që kthesa e Kamzës nuk është vetëm nyja kryesore e trafikut në vend, por është nyja kryesore e të gjithë sistemeve të tjera të nëntokës. Pra, një kryqëzim i linjave të ujësjellësit, një kryqëzim i kavove elektrike i tensionit të lartë, një kryqëzim i fibrave optike që përdoren në telekomunikacione. Dhe përpara se të fillonte puna në sipërfaqen e dukshme, ka pasur një volum të jashtëzakonshëm pune në nëntokën e kthesës së Kamzës. Për shkak të këtyre rrjeteve që ndërlidhen me rrugën, problem që është zgjidhur ka pasur për hir të së vërtetës një vonesë për realizimin në muajt e parë të kontratës, një vonesë që është kapërcyer dhe është zgjidhur edhe në saj të asaj ndërhyrje që ju citoni dhe që është përmendur edhe nga kryeministri publikisht. Është e vërtetë që ne i kemi dërguar kontraktorit në fillim të muajit janar paralajmërimin zyrtar, se në rast se në 31 janar do të kishte qoftë dhe vonesën më të vogël në kalendarin e punimeve, i cili është dokument zyrtar, i disponueshëm nga Drejtoria e Rrugëve, ne do të shkonim drejt ndërprerjes së kontratës. Është një paralajmërim që rezultoi efikas, është një paralajmërim që është ripërsëritur për muajin shkurt dhe është paralajmërim që po i dërgohet disa kontraktorëve në disa projekte të ndryshme, aty ku ne kemi vonesa, por qoftë dhe aty ku kemi sinjale për vonesa të mundshme. Një kompani që nuk ka problem me realizimin e investimit është "Bechtel-Encha". Ju e keni inspektuar disa herë segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, keni ftuar edhe të tjerë për ta vizituar. Përtej debateve politike dhe faktit se dosja e kësaj rruge është ende në Prokurori, doja të dija se a lëvizin afatet në ndërtimin e kësaj rruge?Unë besoj që të gjithë afatet kontraktuale do të arrijnë të realizohen. Ecuria e deritanishme e punimeve është shumë e mirë, veçanërisht është e mirë në pjesën më të vështirë të atij projekti që është tuneli që lidh Thirrën me Kalimashin. Ecuria e përditshme është me mbi 4.5 m në çdo portë. Duhet të kemi parasysh që janë 2 tuba, 4 porta, me një mesatare prej të paktën 9 m në ditë për çdo tunel. Kemi arritur deri tani përafërsisht 28% të volumit të përgjithshëm të tunelit, kemi parasysh që është një tunel 5.6 dhe 5.7 tjetri km i gjatë. Janë gërryer deri tani mbi 3000 m që përbëjnë 28% të volumit total të gërmimit të tuneleve. Kemi pasur vështirësi në këtë tunel për shkak të faktit se terreni ose materiali që nxirret nga tuneli është një material i butë, që kërkon masa përforcuese të shtuara, por kemi pasur edhe fatin që nuk kemi pasur probleme me ujin. Kështu që ecuria është mjaft e mirë dhe unë kam të gjitha arsyet të besoj që do të mbarojë në kohë dhe do të mbarojë në afat. Si është ecuria e firmave të tjera? Çfarë po bëhet me afatet e realizimit të punimeve nga kompanitë e tjera?Në pjesën e parë të rrugës, që është segmenti Milot-Rrëshen, ecet mjaft mirë në lotin e parë, Milot-Skuraj. Ka filluar puna në lotin e dytë nga Skuraj në Rubik dhe pritet të fillojë këto ditë të lidhet kontrata për lotin e tretë Rubik-Rrëshen. Pra, e gjithë trajektorja është në rregull. Pjesa Milot-Rrëshen financohet nga Banka Botërore. Nga Rrësheni në Kalimash e trajtuam, nga Kalimashi në Rexhepaj është një segment prej rreth 6 km, shumë i vështirë nga pikëpamja inxhinierike, sepse ka viadukte të gjata dhe i bie rreth 80 m të lartë dhe financohet nga Banka Islamike për Zhvillim. Është në fazën e mobilizimit dhe praktikisht kanë filluar punimet e para në këtë segment. Në pjesën tjetër të mbetur punohet nga firma shqiptare dhe nga dy lote, nga firma maqedonase për viaduktet dhe për urat. Punohet normalisht. Pra, e gjithë rruga nga Miloti deri në Morinë është kantier.Ka segmente që tashmë duhet të ishin dorëzuar dhe kanë realizuar vetëm 20% të punimeve! Një prej kompanive ka kërkuar në nëntor shtyrjen e afatit të dorëzimit të punimeve. E kam parasysh. Bëhet fjalë për kompaninë maqedonase Granit e cila ka viaduktet dhe 2 ura të mëdha. Ka pasur një vonesë të kontraktorit, por ka pasur edhe një problem teknik, të pa parashikuar më parë. Janë vetëm lote viaduktesh dhe urash që lidhen me pjesë të segmenteve të tjera dhe që nga pikëpamja teknike duhet që para se të fillonte prodhimi i trarëve, duhej që shpatullat e urave, nuk mund të them që jam bërë inxhinier, por jam bërë si gjysmë tekniku, shpatullat e urave të lidhen me  punën e kontraktorëve të tjerë. Sigurisht ka logjikën e vet të të ecurit, se si shkon. Nuk është se mund të vëmë vetëm një pullë tek shpatulla e urës e të vazhdosh më tej, pra ka pasur disa probleme teknike që kanë shkaktuar vonesa. Ne jemi duke negociuar për t'i zgjidhur këto probleme.  Po kompani shqiptare që kanë hapur rrugën me katër korsi dhe janë paguar për dy. Çështja në gjykatë?Është e vërtetë që kanë shkuar në gjykatë, është një proces civil në pikëpamjen time. Nuk ka asgjë që nuk shkon sepse çmimet me të cilat ato kompani kanë punuar janë çmime shumë më të ulëta po të fillonim t'i bënim sot nga e para.Zoti ministër, si po ecën ideja e dhënies së rrugëve me koncesion! Rruga Tiranë-Elbasan, fushore panoramike, një projekt me koncesion që u mendua se do të fillonte shpejt?Ai është një koncesion. Po e nis nga pjesa e fundit e pyetjes. Ka qenë një koncesion i kaluar me ligjin e vjetër, që mbetet si ide, por që sigurisht që nuk mbetet pafundësisht në kohë. Nëse koncesionmarrësi do të vazhdojë të humbasë kohë pa fund, ne do të jemi të detyruar të ndërhyjmë dhe t'ia heqim koncesionin atij se nuk mund të mbajmë peng rrugën. Ndërkohë ka filluar të ketë kërkesa të qarta të tjera për të njëjtin segment, ka edhe alternativa të tjera që lidhin edhe Durrësin, edhe Tiranën, edhe Elbasanin, përshirë në koncesionin Tiranë-Elbasan edhe pjesën e rrugës Tiranë-Durrës, e cila në një të ardhme shumë të afërt do të ketë nevojë për zgjerime të mëtejshme, pasi ka mbërritur një fluks trafiku i lartë. Ka kërkesë për koncesion dhe ne po ecim me procedurat në aksin Thumanë-Rrogozhinë, është firma kroate që është kërkuesi i parë...Segmenti rrugor Thumanë-Rrogozhinë?Është një trajektore që kalon nga Thumana në urën e Limuthit, në urën e Beshirit dhe më pas drejt Rrogozhinës. Është një firmë kroate që e ka kërkuar koncesionin quhet "Konstruktor", kemi qenë në negociata disamujore me ta, ata kanë sjellë përfundimisht të gjithë dokumentacionin e kërkuar për koncesione, ne jemi në vlerësim dhe shpresoj që shpejt të kemi mundësi të shkojmë me procedurën e tenderimit të koncesionit.Të ndalemi në një segment rrugor problematik. Rruga Lushnjë-Fier fillimisht u tha se do të mbaronte në janar të 2008, pastaj në mars të 2008-ës, tashmë supervizori ka kërkuar edhe 90 ditë shtesë, që i bie në qershor të këtij viti. Ka qenë dhe një premtim i juaji në maj të vitit kaluar, se një segment i rrugës do të përfundonte në mes të sezonit veror të vitit të kaluar. Çfarë po ndodh me këtë rrugë që ka problem me afatet?Unë nuk di të jetë thënë ndonjëherë se rruga do të mbarojë në janar, sepse afati kontraktual i rrugës është 26 mars 2008...Po, por në momentin e përurimit dhe fillimit të punimeve u tha se rruga do të mbarojë edhe 6 muaj përpara afatit, nga 24 në 18 muaj?Mund të ketë qenë një angazhim vullnet mirë i kontraktorit, por që nuk është realizuar. Por le t'i mbetemi afatit kontraktual, sepse pastaj tejkalimet sigurisht janë të mirëpritura, por t'i mbetemi afatit kontraktual që është 26 marsi 2008. Projekti ka pasur dy vështirësi specifike: i pari lidhet me shpronësimet, problemi i përhershëm i projekteve të rikonstruktimit dhe i dyti lidhet me problemet gjeologjike të pjesës së rrugës nga Kolonja në Mbrostar, që kalon nga një trajektore e re në fushë. Duhet të kemi parasysh që është një zonë ish-kënetore me një përbërje gjeologjike jo stabël. Unë besoj se njohuritë tuaja gjeologjike janë shumë më të mira se të miat në këtë fushë. Është një terren jo stabël, i cili ka kërkuar një modifikim projekti dhe një përpunim me një teknologji që quhet gjeodoksim për të penguar depërtimin e ujërave nga shtrati i rrugës në drejtim të shtresave të sipërme. Kjo ka shkaktuar një vonesë. Duhet të pranojmë që ka pasur të themi një metodë pune pak të çoroditur edhe të kontraktorit. Ne kemi negociuar disa herë me ta dhe jemi në kushtet që po vrojtojmë në mënyrë shumë rigoroze zbatimin e kalendarit të punimeve. Ka pasur nga supervizori një justifikim të një periudhe 90-ditore shtesë, gjë që e çon afatin, sepse ne duhet të kemi parasysh që është supervizori që vendos në këto raste, - nga 26 marsi në 26 qershor, ne po mbikëqyrim kalendarin e punimeve dhe nëse do të gjendemi para situatave të vonesës, formula tani është e gatshme: mosrespektimi i kalendarit të punimeve çon në ndërprerjen e kontratës.Të provojmë se mos gaboni në një segment tjetër: Levan - Vlorë. Do t'i përmbahet kontraktori afatit të punimeve apo mund të dalin probleme të natyrave të ndryshme?Në Levan-Vlorë kanë dalë probleme të natyrave të ndryshme dhe kanë dalë shumë.Përjashtuar çështja e zogjve?Ka dalë problemi i zogjve që ne e hasnim për herë të parë një problem të tillë, por që e përsëris që duhet goxha kohë të mësohemi me këto gjëra. Ai problem është i kapërcyer. Ka qenë problemi masiv ai i shpronësimeve. Një sërë pothuaj e gjithë trajektorja e rrugës është e paregjistruar. Ka qenë një proces jashtëzakonisht i mundimshëm dhe sot në mbledhjen e fundit të qeverisë ne kemi kaluar gjysmën e shpronësimeve, pjesën e Vlorës do të kalojmë në mbledhjen e ardhshme gjysmën e mbetur të segmentit nga Vjosa drejt Levanit për t'i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, por ka qenë në të vërtetë një proces shumë i vështirë. Sigurisht që kjo ka kushtuar kohë, por tashmë është në rrugën e zgjidhjes.Kontraktori tashmë e ka rrugën e hapur për të vazhduar?Kontraktori ka filluar punimet atje. Sigurisht ka patur vështirësitë e fillimit, por sigurisht që ka filluar punimet.Tepelenë-Gjirokastër. Ka shumë e shumë vite që po merr ndërtimi i këtij segmenti. Po shkon drejt përfundimit apo ka mbetur tek Uji i Ftohtë?Jo, problemi i Ujit të Ftohtë është zgjidhur, por Tepelenë-Gjirokastër ka një problem shumë kompleks, që lidhet me disa rrëshqitje masive në disa zona të ndryshme, por ndërmjet të cilëve ka 17 pika rrëshqitje, por veçanërisht njëra prej tyre është shumë problematike, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Është një formacion shumë i dobët e quhet flish dhe ka një shkarje që nuk është vetëm mbi skarpatin në rrugë, por është një shkarje të gjithë faqes së malit ku mbështetet rruga. Pra, është një problem serioz që kërkon një zgjidhje. Ne jemi duke punuar me projektuesit me kontraktorin. Banka Evropiane për Investim është angazhuar të sjellë një audit të projektit për të parë cila do të jetë zgjidhja përfundimtare e këtij segmenti, që është rreth 800 metra, pra segmenti i Shkallës së Zezë. Çdo çështje tjetër është zgjidhur teknikisht dhe e gjithë rruga do të jetë e përdorshme shumë shpejt, me përjashtim të atij segmenti prej 800 metra jo në Ujin e Ftohtë për te Shkalla e Zezë, për këdo që e ka përdorur shpesh atë rrugë besoj se është segment i njohur, sepse në atë vend historikisht ka pasur probleme të tilla.Një deklarim i juaji për një dalje për 35 minuta në Maqedoni ka ngjallur shumë kureshtje. Të flasim pak më konkretisht sa larg jemi realitetit?Ka qenë një batutë, por sigurisht është e vërtetë, nuk është 35 minuta, do të jetë diçka më shumë dhe duhet të kemi parasysh që të gjithë përdoruesit e makinave do të jenë të ftuar të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, bëhet fjalë për rrugën e Arbërit, ose për aksin Tiranë-Bulqizë në një trajektore tërësisht të re, që kalon nga Tirana drejt shkallëve të Tujanit, më pas në një vend që quhet Ura e Vashës, në Qafë Murriz në Plan të Bardhë në Klos për të vazhduar drejt Bllatës. E gjithë kjo trajektore është rreth 63 kilometra e gjatë deri në kufi. Pra, do të jetë një distancë e përshkueshme në më pak se një orë në momentin që do të jetë ndërtuar. Ne kemi filluar punimet në segmentin Ura e Cerenecit - Bulqizë, 17 kilometra e ndarë në tre lote. Punimet po ecin mjaft mirë. Po projektojmë segmentin e parë dhe të dytë, në fakt të parë dhe të tretë, pra nga Tirana dhe nga Klosi drejt njëra-tjetrës. Jemi në proces tenderimi dhe për segmentin e mesit, segmentin lidhës në mes dhe do të jemi në gjendje që me të mbaruar projekti do të fillojmë realizimin e tij dhe të kemi parasysh që bëhet fjalë për një rrugë po aq të vështirë sa ç'është dhe segmenti Rrëshen-Kalimash, për të mos thënë që në disa pjesë është edhe më e vështirë. Do të ketë, di që pika më nevralgjike e këtij projekti është një urë 300 metra e gjatë dhe rreth 150 metra e lartë.Bëhet fjalë që 17 kilometra janë në projekt, janë mbuluar me fonde dhe mbeten 46 kilometra, që sido që ta rrotullosh nuk mund të jetë më e vështirë se Rrëshen-Kalimash.Jo. Po flas nga pikëpamja e terrenit dhe ndërtimit do të ketë vështirësi, do të ketë sfida të mëdha.Ju ishit në Has para disa ditësh dhe atje keni folur për Unazën Lindore. Është thjesht ide apo më shumë se sa ide?Mund të them se është më shumë sesa ide, sepse ne kemi filluar të punojmë me projektet. Konkretisht çfarë kuptojmë me termin Unaza Lindore. Me ndërtimin e aksit Veri-Jug, që është nga Hani i Hotit në Konispol dhe me prerjet Perëndim-Lindje, duke filluar nga rruga e Kosovës më pas rruga e Arbërit, rruga ekzistuese e Qafë Thanës, rruga e Kapshticës dhe e Kakavijës, ne praktikisht kemi lidhur pjesën Perëndimore, aksin perëndimor të vendit dhe pikat kufitare të Lindjes, do të ishte e domosdoshme për t'i dhënë një pamje të plotë po themi këtij rrjeti infrastrukturor, që të ndërmerrej dhe një unazë lindore që do të lidhte Bajram Currin me Krumën, Krumën me Kukësin, Kukësin me Peshkopinë, Peshkopinë me Librazhdin për të vazhduar më pas trajektoren nga Librazhdi në Korçë që është e ndërtuar, Korçën me Leskovikun, Leskovikun me Përmetin. Pra, një hark që do të përshkonte pjesën lindore të Shqipërisë dhe në përfundim të saj mund të themi që rrjeti kombëtar rrugor i Shqipërisë do të ishte i kryer.Nëse flasim në terma kohor, edhe sa vite duhen në gjykimin tuaj që infrastruktura rrugore e Shqipërisë të quhet e përfunduar? Nëse financimet në rrugë do të vazhdojnë me këto ritme, nëse qeveria do të vazhdojë të ketë prioritet në katër-pesë vitet e ardhshme sistemin rrugor, unë besoj se brenda katër-pesë vitesh ky problem do të jetë i zgjidhur. Të flasim për dy segmente shkurtimisht. Korçë-Qafë Plloçë. Afati?Brenda këtij viti. Ka filluar puna në pesë lote. Po punohet me ritëm shumë të mirë dhe unë gjej rastin të falënderoj kontraktorët për angazhimin shumë të mirë që po tregojnë në këtë segment, sikurse po tregohet një angazhim shumë i mirë në atë që unë u thashë pak më parë, në segmentin Bllati-Bulqizë, por edhe në rrugën e Bregut. Duhet të kemi parasysh se po punohet me një intensitet shumë të lartë për të bërë të mundur lidhjen e Vlorës me Sarandën nga rruga e Bregdetit.Po për segmentin Kardhiq-Sarandë? Ku ka pasur një veçanti ngaqë fshatarët nuk kanë kërkuar kompensim për tokën?Edhe atje po punohet shumë mirë, dhe kemi një bashkëpunim mjaft të mirë edhe me komunitetin, edhe me komunën dhe kontraktorët po ecin me ritme të kënaqshme.Në fillim kemi pasur një problem serioz teknik në këtë projekt, që ka pasur të bëjë me faktin që kthesa e Kamzës nuk është vetëm nyja kryesore e trafikut në vend, por është nyja kryesore e të gjithë sistemeve të tjera të nëntokës. Pra, një kryqëzim i linjave të ujësjellësit, një kryqëzim i kavove elektrike i tensionit të lartë, një kryqëzim i fibrave optike që përdoren në telekomunikacione. Dhe përpara se të fillonte puna në sipërfaqen e dukshme, ka pasur një volum të jashtëzakonshëm pune në nëntokën e kthesës së Kamzës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›