E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hleb: Kapelo e ka kthyer Anglinë në komunizëm

Ish-lojtari i Arsenalit, Aleksandr Hleb, ka thënë se rregullorja dhe ndëshkimet e përcaktuara për lojtarët e Anglisë kanë krijuar një imazh komunist të menaxhimit të skuadrës. Deklarata e yllit të Bjellorusisë është bërë në një gazetë vendase, vetëm pak ditë përpara sfidës me "Tre Luanët", të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. Mesfushori, i cili tashmë militon te spanjollët e Barcelonës, beson se regjimi strikt i vendosur nga Fabio Kapelo, që prej momentit kur mori drejtimin e stolit anglez, është tërësisht i gabuar. "Mendoj se kjo metodë pune është e gabuar. Me kufizime dhe ndëshkime nuk mund të arrihet asgjë", tha Hleb në Minsk për të përditshmen bjelloruse "Segodnia". "Përveç gjërave të tjera, futbollistët grumbullohen në ekipin kombëtar për kënaqësinë e përfaqësimit të vendit të tyre. Atmosfera brenda skuadrës është një prej gjërave më të rëndësishme në impenjimet ndërkombëtare". Më tej erdhën edhe akuzat për "regjim komunist". Ai vazhdoi: "Megjithatë, duket se në skuadrën angleze është krijuar një ambient komunist, ku lojtarët mund të ndëshkohen për çdo veprim më të vogël. Për shembull, trajneri thotë se mëngjesi nuk do të hahet nga ora 08.00 deri në 09.00, por të gjithë duhet të jenë në tavolinë detyrimisht në orën 8:15! Përdorimi i kësaj metode nuk ka kurrfarë kuptimi". Anglia do të luajë sot me Kazakistanin në fushën e saj, përpara se të udhëtojë drejt Bjellorusisë për sfidën e mesjavës.

Heski - Fjalët e Hleb janë konfirmuar në një farë mënyre edhe nga vetë lojtarët britanikë. Lojtari i Uigan, Emil Heski, zbulon sesi Fabio Kapelo i shpërndan idetë e tij në skuadër nëpërmjet të bërtiturave. Sulmuesi i fuqishëm është rikthyer në përfaqësuese pikërisht pas emërimit të teknikut italian. Duke folur për karakterin e Kapelos, ish-lojtari i Liverpulit tha se trajneri nuk i merr futbollistët për t‘i kritikuar veçmas, por këtë gjë e bën përpara të gjithë ekipit. "Fabio bërtet jashtëzakonisht shumë. Megjithatë, me kalimin e kohës të mësohen veshët. Ai bërtet gjatë stërvitjes dhe gjatë ndeshjeve, nuk ka fare rëndësi ku je", deklaroi Heski për "Daily Mail". "Në disa raste kjo metodë e tij është e vlefshme, sepse të bën të kuptosh se ku po gabon. Gjithsesi, nuk mendoj se është nga ata lloj trajnerësh që ua bëjnë qejfin lojtarëve. Ai ka ndihmësit e tij që e bëjnë këtë".

Terri - Pas shumë spekulimesh dhe hamendjesh, më në fund lajmi është bërë zyrtar: Xhon Terri nuk do të luajë përballë Kazakistanit, për shkak të një dëmtimi në shpinë. Kapelo deklaroi gjatë konferencës për shtyp, se pas kësaj mungese shiriti i kapitenit do të mbahet nga mbrojtësi tjetër i qendrës, Rio Ferdinand. Ndërkohë, Terri, i cili ka munguar në pjesën më të madhe të seancave stërvitore gjatë javës, do të zëvendësohet nga Xhon Apson, ose Xholeon Leskot. Trajneri i "Tre Luanëve" sqaroi se nuk ka asnjë informacion nëse mbrojtësi i Çelsit do të rikuperohet në kohë për sfidën e së mërkurës në Bjellorusi. "Kjo varet nga gjendja se si do të jetë shpina e tij. Nëse Terri do të arrijë të stërvitet qoftë edhe pak, atëherë do të jetë pjesë e skuadrës. Megjithatë, kemi lojtarë mjaft të mirë, të cilët mund ta zëvendësojnë pa problem".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›