Holanda, Gjermania dhe Portugalia në një grup në Euro 2012

Holanda, Danimarka, Gjermania dhe Portugalia përbëjnë grupin B, të “vdekjes” në Euro 2012, ka përcaktuar shorti i garës i tërhequr në Kiev. Kampioni në fuqi, Spanja gjendet në Grupin C përballë Italisë, Kroacisë dhe Republikës së Irlandës.
Franca dhe Anglia janë kundërshtarë në Grupin D së bashku me nikoqirin Ukrainën dhe Suedinë. Ndërsa Grupi A konsiderohet më i lehti, ku gjendet bashkë-nikoqiri Polonia, Greqia, Rusia dhe Republika çeke. Ndeshja hapëse e Euro 2012 do të jetë Poloni-Greqi më 8 qershor në Varshavë.
Në mesin e katër grupeve, ai B bie më së tepërmi në sy, meqë gjenden disa prej kandidatëve kryesorë për titull. “Është grupi më i vështirë. Holanda dhe Portugalia kanë futbollistë të klasit botëror. Na presin duele mjaft interesante”, tha selektori i Gjermanisë, Joachim Loew. “Edhe Danimarka është gjithmonë e papërshtatshme, një ekip tipik i garave të këtilla. Ata nuk kanë frikë nga emrat e mëdhenj, kjo i bën ata të rrezikshëm”, shtoi ai.
Ndërsa, mesfushori holandez Wesley Sneijder tha për NOS-TV se: “Është short i vështirë, por i njohim mirë kundërshtarët tanë. Është me rëndësi të fitoni ndeshjen tuaj të parë. Me Gjermaninë dhe Portugalinë si kundërshtarë në vazhdim, dueli i parë kundër Danimarkës mund të jetë vendimtar”. Dy skuadrat e para nga secili grup kualifikohen për në fazën e mëtutjeshme të garës.
Finalja zhvillohet më 1 korrik në Kiev.
Grupi A
Polonia
Greqi
Rusia
Republika çeke
Grupi B
Holanda
Danimarka
Gjermania
Portugalia
Grupi C
Spanja
Italia
Republika e Irlandës
Kroacia
Grupi D
Ukraina
Suedia
Franca
Anglia