E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’dalim jashtë Ahtisarit

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar të premten se shteti i Kosovës i ka shumë të qarta qëndrimet sa i përket dialogut teknik me Serbinë dhe gjithçka që do të dalë nga këto bisedime do të jetë në përputhje me dokumentin e Ahtisarit, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ai ka theksuar se për Qeverinë e Kosovës do të jetë i papranueshëm çdo pretendim për tejkalimin e këtyre dokumenteve.

Thaçi i bëri këto komente në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, me ç’rast ka thënë se pala e Kosovës gjithnjë ka pasur qëndrime të qarta dhe ka qenë kreative në procesin e dialogimit me Serbinë.

Në kuadër të këtij kreativiteti, sipas tij, është edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është një model i lartë evropian për kontrollimin e përbashkët të kufirit, si me Maqedoninë, me Shqipërinë e Malin e Zi, ashtu edhe me Serbinë, si një hap që do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit, komunikimit mes vendeve dhe popujve të rajonit.

Me gjithë rezervat rreth kësaj çështje që kanë ardhur si nga opozita ashtu edhe nga vetë kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri Thaçi ka thënë se menaxhimi i integruar të kufirit është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ndërkohë që u ka rekomanduar përfaqësuesve politikë që ta lexojnë më mirë Ligjin për menaxhimin e kufijve.

“Menaxhimi i integruar i kufirit është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka nxjerr vetë Ligjin për menaxhimin e integruar të kufirit, është model dhe standard evropian. Prandaj unë e kam lexuar atë pjesë të ligjit edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kështu që ne vazhdojmë ta respektojmë në plotni Kushtetutën dhe ligjet dhe u ikim premisave apo konotacioneve politike”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë ai ka pohuar se ka marrë ftesë nga Brukseli për vizitë javën e ardhshme, por nuk ka dashur ta thotë qartë nëse me këtë rast do ta marrë udhëzuesin për liberalizimin e vizave.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se Kosova e ka merituar këtë udhërrëfyes qysh para dy vjetësh, ndërkaq nuk ka dashur në asnjë mënyrë ta lidh marrjen apo mosmarrjen e këtij udhërrëfyesi me rezultatin e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në fakt Kosova e ka merituar udhërrëfyesin tash e dy vjet, diçka që na është premtuar edhe para dy vjetësh, edhe vitin e kaluar, edhe nga zyrtarët më të lartë të Komisionit Evropian. Ftesa e zyrtarëve evropianë për vizitë në Bruksel, nuk ndërlidhet me çështje teknike, por është e takimeve mes zyrtarëve të lartë të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës. Është një vizitë normale e thellimit të bashkëpunimit, por në të njëjtën kohë edhe e zgjerimit të hapësirës dhe qartësisë edhe më të madhe të përspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi i ka përsëritur edhe të premten deklaratat e tij se është i gatshëm të bisedojë me qytetarët serbë në veri, por jo me strukturat ilegale. I pyetur se si do t’i takojë qytetarët serbë, ai ka thënë se është çdo ditë në çdo cep të Kosovës në mesin e qytetarëve.

“Kjo po ndodhë çdo ditë. Unë jam në mesin e qytetarëve çdo ditë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë në të ardhmen. Kështu që kjo duhet të shihet si diçka krejt normale, krejt e zakonshme dhe si diçka shumë pozitive. Secili nga ne duhet të jetë i shqetësuar kur liderët nuk komunikojnë me qytetarët dhe jo kur liderët janë në mesin e tyre”, është shprehur Thaçi.

Ai ka shtuar se do ta vazhdojë këtë komunikim me qytetarët e veriut, në mënyrë që të ndryshohet jeta e tyre për të mirë, të fillojnë investime socio-ekonomike, por paraprakisht të vendoset rendi dhe ligji, të instalohen institucionet legale dhe demokracia, në mënyrë që të largohet mashtrimi 12 vjeçar i Beogradi dhe frikësimi e kërcënimi i strukturave ilegale kriminale.(Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›