E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda garanton mbështetje të plotë për liberalizimin e vizave

Mbështetja është deklaruar gjatë takimeve që Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha zhvilloi në Hagë me Ministren e Brendshme e Hollandës Znj. Guusje Ter Horst dhe Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësinë Z. Joris Demmink.Gjatë takimit me homologen Ter Horst, Ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Ministrja Ter Horst vlerësoi maksimalisht rezultatet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrave dhe kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave në të gjitha blloqet përkatëse, si për sigurinë e dokumentave, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit. Ministrja Ter Horst e cilësoi të suksesshme luftën kundër krimit të organizuar si dhe u shpreh se rezultatet tregojnë se Shqipëria është një vend shumë i sigurtë.Ministrja e Brendshme e Holandës Znj. Guusje Ter Horst pranoi ftesën e Ministrit Basha për të vizituar së shpejti Shqipërinë.Ndërkohë, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Hollandës Z. Joris Demmink, pas takimit me Ministrin Basha, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumentave të identitetit dhe sigurisë së kufijve.“Kontrolli i kufinjve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përsa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera. Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Z. Demmink.Ministri i Brendshëm z Lulzim Basha siguroi gjatë këtyre takimeve se ashtu si misioni i mëparshëm në Dhjetor 2009, edhe dy misionet e tjera që do të mbërrijnë nga Komisioni Evropian në Shkurt 2010 do të konstatojnë përmbushjn e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE.“Takimet dhe informimi i vazhdueshëm i partnerëve tanë të vendeve anëtare shërbejnë që të mos kemi asnjë pengesë dhe menjëherë pas vlerësimit të Komisionit Evropian për të cilin kam të gjitha arsyet për të qenë optimist, vendet anëtare, që janë vendimarrësit, të mos vonojnë aspak dhe të marrin vendimin e shumëpritur nga shqiptarët”, -deklaroi për mediat pas takimeve Ministri i Brendshëm z Lulzim Basha....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›