Zapatero: Shpresoj në zgjidhjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë
STRASBURG- Kryeministri spanjoll dhe kryesuesi i radhës i BE-së, Hoze Luis Zapatero në fjalimin e djeshëm para Parlamentit Evropian në Strasburg shfaqi shpresën e zgjidhjes së çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. "Kam besim të madh në qeverinë e Jorgo Papandreut dhe, kuptohet, bashkëpunojmë edhe për çështjen e ish-republikës jugosllave të Maqedonisë. Shpresoj se së shpejti do të gjendet zgjidhje, pasi vullneti ekziston te të dyja palët", tha Zapatero. I pyetur nga eurodeputetët nëse presidenca spanjolle do të marrë nisma konkrete lidhur me eurointegrimin e Ballkanit Perëndimor, Zapatero u përgjigj se Madridi do t'i ndjekë vendimet e Këshillit Evropian lidhur me zgjerimin dhe se mbështet plotësisht europerspektivën e rajonit. Për iniciativën greke, e përkrahur edhe nga Bullgaria, për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2014, kryeministri spanjoll vlerësoi se ideja meriton vëmendje dhe se do të promovohet gjatë presidencës spanjolle. (d.b/BalkanWeb)