Holanda pa Robenpërballë Danimarkës
JOHANESBURG- Arjen Roben nuk do të luajë për Holandën në ndeshjen e parë të këtij Botërori, kundër Danimarkës. Vendimi është marrë nga trajneri Bert Van Marvijk, nisur edhe nga frika se mos ylli i Bajernit të Mynihut pëson një tjetër dëmtim. Roben arriti në Johanesburg që të shtunën në mëngjes, por ende nuk i ka kaluar problemet muskulare. Ndoshta mungesa e tij mund të kushtëzojë jo pak Holandën për këtë sfidë, që sipas Van Marvijk është fondamentale për fatet e grupit E. “Ndeshja e parë është gjithnjë e rëndësishme, por nuk duam të marrim përsipër rreziqe, kështu që Roben do të qëndrojë pushim, - deklaroi tekniku holandez. – Kemi shumë respekt për Danimarkën, që është një kundërshtar shumë i fortë. Ne jemi dy skuadra që njihemi mjaft mirë me njëra-tjetrën dhe nuk kemi asnjë sekret”. Bert Van Marvijk u ka kërkuar futbollistëve të tij që të mos e nënvlerësojnë aspak kundërshtarin, që arriti të kualifikohej me shumë lehtësi për në Botëror. “Dje (të shtunën) ne e pamë sesa e vështirë është të fitosh një ndeshje në Botëror, - tha trajneri i portokallinjve. – Shikoni se çfarë ndodhi në Angli-SHBA. Pra, nuk duhet asnjë nënvlerësim ndaj Danimarkës”, shtoi ai. Ndërkohë, kapiteni Xhovani Van Bronkhorst vlerësoi se holandezët vijnë në këtë turne me një shpirt të lartë, duke shpresuar të vazhdojnë ecurinë pozitive edhe gjatë Kupës së Botës. “Mendoj se jemi një skuadër shumë e fortë dhe kam një ndjesi mjaft pozitive për këtë skuadër, - u shpreh Van Bronkhorst. Kapiteni i Holandës foli edhe për portierin e Anglisë Robert Grin, autor i një gafe të rëndë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “është folur shumë për topin dhe trajektoret e tij të çuditshme, - tha Van Bronkhorst. – Këto gjëra ndikojnë te të gjithë lojtarët, sulmuesit, mbrojtësit, por është vërtetë dëshpëruese kur një portier bën gabime të tilla, sepse ato zakonisht bëhen gola”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)