Qyteti i Shkodrës pret Festivalin e 48-të Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë
Në datat 19-21 qershor 2010 nis në qytetin e Shkodrës Festivali 48-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, me pjesëmarrjen e krijuesve dhe interpretuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali I Zi dhe Diaspora. Ky aktivitet sivjet organizohet nën drejtimin e Kujtimi Alisë, drejtor artistik dhe dirigjent i festivalit, në regjinë e Osman Mulës. Skenografia nga Adnan Kastrati, ndërsa udhëheqës artistik është Roland Guli. Tashmë më një traditë në sjelljen e këngës për fëmijë, kompozitorët pjesëmarrës në këtë edicion do të jenë emrat e mirënjohur të muzikës shqiptare për fëmijë si Alfred Kaçinari, Naim Krasniqi, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali, Adrian Hila, Klodian Qafoku, Jetmir Barbullushi, etj. Për realizimin e këtij festivali janë angazhuar mjeshtrit më të njohur të skenës muzikore dhe po punohet në drejtim të përsosjes së interpretimit nga këngëtarët e vegjël. Festivali do të zhvillohet në teatrin “Migjeni” dhe garuesit e vegjël do të interpretojnë ‘live’ në skenën e festivalit të 48-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë.
Djali i Bekim Fehmiut: "Babai jetoi dhe vdiq si një samuraj!"
"Babai im shkoi me stil të madh, ashtu sikurse edhe jetoi. Unë jam i trishtuar, sepse më mungon, por jam njëkohësisht i lumtur për shkak të tij... Kjo ishte dëshira e tij, dhe unë me gjithë zemër e respektoj dhe e mbështes". Dy ditë pas vetëflijimit të martën pasdite, të Uliksit shqiptar, Bekim Fehmiu, kanë mbërritur edhe deklarimet e para nga djali i tij më i ri, Hedoni, një emër i etimologjisë antike greke, që nënkupton patosin e thellë ndaj kulturës antike greke, që kishte aktori i madh shqiptar, që i dha jetë personazhit të Odisesë, në filmin me të njëjtin emër. Hedon Fehmiu foli në një intervistë për gazetën e Beogradit, “Alo!”. “Dëshira e babait ishte që fshati Lumbardh i Prizrenit, të jetë edhe varri ku të prehet përjetë trupi i tij”, deklaroi Hedon Fehmiu. “Gjithmonë i thoshte nënës, që kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit, pasi e donte shumë atë qytet, ishte shtëpia e tij të dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva”. I mallëngjyer, Hedoni, u shpreh se vetëflijimin i ati i tij, në moshën 74 vjeçare, e kreu në heshtje, duke i lënë bijve të tij dhe nënës së tyre, Branka, një letër lamtumire, ku për të fundit herë iu tha përmes shkrimit të tij, se i do fort, por i luti që ta kuptojnë.....
18 Qershor 2010