E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet Podolski: Familja ime bënte tifo për Poloninë

Sulmuesi i skuadrës së Bajernit të Mynihut, Lukas Podolski, me dygolëshin e tij kundër Polonisë, përveç se i ka dhënë tri pikët e para skuadrës së Joakim Lëv në këtë turne, i ka dhënë njëkohësisht edhe fitoren e parë pas 12 vjetësh në Evropian. 

Si ndjeheni pas një fitoreje të tillë?
Për mua ishte një emocion tepër i veçantë, pasi arrita të shënoj dy gola kundër Polonisë dhe kështu dhashë kontributin tim në nisjen e një Evropiani të suksesshëm.
UEFA ju ka cilësuar si “njeriun e ndeshjes”. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim?
Padyshim që jam mjaft i lumtur. Por më e rëndësishme për mua është që skuadra arriti objektivin. Kundër Polonisë shënova unë, në ndeshjen tjetër do shënojë një tjetër. E rëndësishme është që ne jemi një skuadër e bashkuar, ku secili lufton dhe sakrifikon për tjetrin, për të arritur te objektivi që i kemi vënë vetës.
Ju jeni gjithnjë realist.
Pse duhet të ‘fluturoj’ kot? Ky ishte vetëm fillimi. Padyshim që jemi gëzuar shumë për këtë fitore, por tani duhet ta harrojmë dhe të mendojmë për takimin tjetër. Të enjten na pret ndeshja kundër Kroacisë, kështu që përgatitjet kanë filluar për këtë përballje që sot. Ne duhet të japim të gjithë më të mirën dhe të jemi mjaft të përqendruar, që gjërat të shkojnë ashtu siç dëshirojmë.
Ju keni lindur në Poloni. Çfarë vlere kishte kjo ndeshje për ty?
Ne jemi një familje e madhe dhe shumica e tyre jetojnë në Poloni. Kjo ishte një ndeshje tepër e veçantë për mua. Unë e kam thënë shpeshherë se brenda meje rrjedh gjak polak. Ndërsa si futbollist jam bërë i madh dhe i njohur në Gjermani, prandaj për mua ekzistonte vetëm një objektiv, që të fitonim.
Cilët nga familja ishin në stadium?
Babai dhe disa kushërinj nga Polonia. Jam takuar pas ndeshjes me ta dhe më kanë përgëzuar për dy golat e shënuar, edhe pse gjatë ndeshjes kishin bërë tifo për Poloninë.
Në ndeshjen tuaj të 49 me Kombëtaren, keni shënuar golat tuaj të 26 dhe 27. A keni menduar ndonjëherë për të thyer rekordin e Gerd Myler, pasi ju sapo keni festuar 23-vjetorin?
Synimi më i madh që kemi të gjithë për momentin është fitimi i titullit kampion Evrope. Çdo gjë tjetër personale nuk është shumë e rëndësishme. Por padyshim që dua të shënoj sa më shumë gola me përfaqësuesen gjermane.
Kundër Kroacisë do zhvilloni ndeshjen tuaj të 50-të. Çfarë dëshire keni për këtë jubile?
Që të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të fitojmë ndeshjen. Akoma më bukur do të ishte sikur pas këtij takimi, të kualifikoheshim për në çerekfinale.

Birhof: Jemi më të uritur se në “Euro 1996”
Sipas menaxherit të Kombëtares gjermane, Oliver Birhof, dëshira që ka skuadra për të fituar titullin kampion e Evrope është më e madhe se ajo e skuadrës së vitit 1996, ku vetë Birhof ka qenë autori i golit të fitores për ekipin e tij. “Dëshira e skuadrës për të fituar titullin kampion është më e madhe se në 1996, dhe uria për sukses, akoma dhe më e fortë”, deklaroi një ditë pas fitores së arritur kundër Polonisë, menaxheri i Kombëtares gjermane, Oliver Birhof. Synimi i skuadrës së Joakim Lëv është mjaft i qartë: “Ne duam të dalim të parët në grup. Do të ishte e gabuar sikur të luanim taktikisht. Tani jemi përqendruar vetëm te ndeshja e radhës kundër Kroacisë, pasi e kemi mjaft të qartë që kundër tyre do jetë shumë më e vështirë. Në këtë ndeshje na duhet të luajmë gjatë gjithë 90 minutave me një temp mjaft të lartë”.

Bekenbauer: S’i trembemi kujt
Fitorja 2-0 e arritur kundër Polonisë ka bërë edhe Franc Bekenbauer, i cili zakonisht është mjaft i matur me deklaratat e tij, të flasë me tone të larta për paraqitjen e skuadrës së Joakim Lëv. “Në tri javët e fundit Joakim Lëv ka arritur ta sjellë skuadrën në formën e duhur. Me një paraqitje të tillë nuk kemi kujt t’i frikësohemi”, u shpreh mjaft i kënaqur presidenti i skuadrës së Bajernit të Mynihut, Franc Bekenbauer, për të cilin ndeshja midis Gjermanisë dhe Polonisë ka qenë më e mira e këtij turneu. “Skuadra tregoi edhe një herë se është me të drejtë një kandidate kryesore për fitimin e titullit”, theksoi “Kaizeri”. I të njëjtit mendim me presidentin e klubit bavarez ka qenë edhe menaxheri i Verder Bremenit, Klaus Alofs. “Skuadra fitoi e luajti shumë mirë. Vërtetuam se jemi favoritëve kryesorë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›