Holandë-Brazil, alarm për tapetin e fushës
Holandë-Brazil do të jetë një çerekfinale që premton spektakël. Me lojtarë si Roben, Shnajder, Kaka apo Robinjo në fushë, emocionet janë të garantuara. Por, kujdes: sfida e së premtes mund të luhet në një terren shumë të rënduar. Në Port Elizabet janë ndezur sirenat e alarmit për fushën e stadiumit “Nelson Mandela”. Bari në këtë impiant thuajse është shkatërruar, ndërsa organizatorët i tremben faktit se nuk do të arrijnë ta riparojnë fushën në kohë. Në këtë mënyrë, Holanda dhe Brazili, përveç shqetësimeve nga topi “Jabulani”, duhet të bëjnë llogaritë edhe me terrenin e vështirë. Fusha nuk arriti ta përballojë shiun e rrëmbyeshëm që ka rënë gjatë pesë ndeshjeve, ndërsa gjendja u përkeqësua në ndeshjen Uruguai-Koreja e Jugut. Për të tharë fushën po përdoren llamba gjigande, ndërsa zonat e dëmtuara janë mbuluar me mushama.
#