E Diel, 1 Nëntor 2026

Holandë-Francë, "finalja" e dytë

Rezultatet e ndeshjeve të para në Grupin C kanë nxjerrë Holandën si favorite për të kaluar në çerekfinale. Por, trajneri i "tulipanëve", Marko Van Basten, ka sqaruar se takimi me Francën do të jetë krejtësisht ndryshe nga ai me Italinë, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultatin 3-0. Për më tepër, ai ka theksuar se ekipi i tij mund të vendosë të bëjë një lojë më mbrojtëse në krahasim me sfidën e parë, duke ditur se Franca nuk ka alternativë tjetër, përveç sulmit që nga minuta e parë, pasi kërkon medoemos një rezultat pozitiv në këtë sfidë.

"Ne kemi mundur Italinë, ndaj pozicioni ynë në grup ka ndryshuar. Nëse ka një skuadër që duhet të sulmojë nga minuta e parë, kjo është Franca dhe jo Holanda. Në mentalitetin tonë ekziston dëshira për të sulmuar, por këtë radhë do të mundohemi të jemi më të ekuilibruar. E dimë që Franca është një rivale e vështirë, ata kanë lojtarë me eksperiencë, ndaj do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Kemi luajtur një ndeshje të mirë ndaj Italisë, por ajo ishte vetëm një ndeshje. Nuk mund ta luajmë të gjithë turneun duke kujtuar vetëm atë ndeshje. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe ta nisim gjithçka nga e para. Por, gjithçka do të jetë ndryshe tani. Të gjithë e shohin se Holanda po luan mirë, ndaj gjithçka do të bëhet më e vështirë për ne. Çdo kundërshtar ka nevojë për një qëndrim të ndryshëm, pasi duhet marrë në konsideratë forca e atyre që kemi përballë. Franca do të shfaqet e fortë ndaj nesh, pasi kanë qenë një skuadër e tillë gjatë 10 viteve të fundit", deklaroi Van Basten.

Nëse holandezët shkojnë drejt kësaj përballjeje me qetësinë e skuadrës që kryeson grupin, francezët nuk po kalojnë një periudhë të qetë. Prova e dobët e dhuruar me Rumaninë ka vënë në vështirësi trajnerin Rajmond Domenek, i cili ka pranuar se ka dyshime mbi ndërtimin e formacionit titullar. "Do të tregohem i sinqertë dhe pranoj se po hezitoj rreth katër pozicioneve të ndryshme në fushë", ishte deklarata e Domenek. Dy emrat kryesorë janë padyshim Vieira dhe Henri, lojtarë të cilët munguan ndaj Rumanisë, për shkak të dëmtimeve që kishin marrë në miqësore. Sulmuesi ka më shumë shanse të fitojë një vend në formacionin titullar, ku pritet të zëvendësojë 20-vjeçarin Karim Benzema. Ky i fundit ka dështuar plotësisht në takimin kundër Rumanisë dhe dukej qartë që nuk e kishte eksperiencën e duhur për turne të tillë, ndaj Henri mund të figurojë si titullar përkrah Anelka në ndeshjen kundër Holandës. Një tjetër zëvendësim i pritshëm për këtë takim është edhe aktivizimi i Patris Evra në vend të Erik Abidal, i cili ishte ndër më të dobëtit në fushë në ndeshjen e parë. Megjithatë, Domenek ka sqaruar se vazhdon t‘i besojë paraqitjes së prapavijës, që nuk ka pësuar gol në 320 minutat e fundit. "Është shumë e rëndësishme të kemi qëndrueshmëri në mbrojtje, ndaj unë bëj shumë pak ndryshime atje. Nuk mendoj për skuadrën, por për kolektivitetin. Problemi është goli, pasi duket se nuk e kemi gjetur ende mënyrën se si t‘i konkretizojmë rastet e krijuara", deklaroi Domenek.

5

"Ekspertët"

Në ndeshjen Holandë-Francë mund të zbresin në fushë 5 lojtarët që kanë më shumë minuta gjatë fazave finale të evropianeve. Për Francën luajnë Turam (15 ndeshje, 1332 minuta), Henri (9 ndeshje, 829 min) dhe Vieira (9 ndeshje, 792 min). Ndërsa te Holanda janë Van Der Sar (14 ndeshje, 1.325 min) dhe Van Bronkhorst (9 ndeshje, 870 min.)

Roben, gati për t‘u aktivizuar

Holanda ka marrë dje një lajm shumë të mirë, pasi mesfushori Arjen Roben është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi që kishte pësuar dhe mund të aktivizohet që në ndeshjen kundër Francës. Normalisht, lojtari nuk do të jetë titullar, por pritet të luajë disa minuta në pjesën e dytë të takimit. Ndërsa holandezët vazhdojnë të vuajnë mungesën e dy futbollistëve të tjerë, Melkiot dhe Huntelar. I pari është i dëmtuar që në fillimin e turneut, ndërsa sulmuesi ka pësuar një goditje në pulpë gjatë stërvitjes së djeshme dhe do të mungojë në këtë sfidë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›