E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia, vetëvritet ish-futbollisti

Polonia e ka pritur në një gjendje aspak të mirë emocionale ndeshjen e djeshme kundër Austrisë, pasi ka mësuar lajmin e vetëvrasjes së një ish-futbollisti të kësaj kombëtareje. Adam Ledvon, lojtari 34-vjeçar i Austria Karnten, është gjetur dje i varur në shtëpinë e tij në Klagenfurt, pak kilometra larg vendit ku aktualisht është e grumbulluar përfaqësuesja që drejtohet nga Leo Benhaker. Kanë qenë drejtuesit e Austria Karnten që kanë bërë të ditur lajmin tragjik për vdekjen e mbrojtësit, i cili në të kaluarën kishte regjistruar 18 ndeshje me fanellën e kësaj përfaqësueseje. Presidenti i klubit, Mario Kanori, ka bërë të ditur se trupi i pajetë i Ledvon është gjetur nga një shoku i tij i skuadrës, i cili kishte shkuar ta takonte në shtëpi. "Kam përshtypjen se Adam kishte probleme emotive gjatë kohëve të fundit", deklaroi ai. Gjatë kësaj periudhe, Ledvon po punonte si komentator televiziv gjatë EURO 2008 për televizionin "Polsat". Policia ka bërë të ditur se është gjetur edhe një letër, që lojtari kishte shkruar para se të vetëvritej. Gjatë pasdites, drejtuesit dhe lojtarët e Polonisë i kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes së ish-futbollistit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›