UEFA konfirmon: Penallti nëse ndahen në barazim
Çekia dhe Turqia mund të hyjnë në histori si ekipet e para që do të vendosin fituesin nëpërmjet 11-metërshave që në fazën e grupeve të një Kampionati Evropian. Dy skuadrat që do të përballen të dielën, ndajnë vendin e dytë në Grupin A me 3 pikë secila dhe në ndeshjen mes tyre do të luftojnë të dyja për të siguruar kualifikimin në çerekfinalet e turneut si e dyta e këtij grupi. Por dy ekipet janë të detyruara të luajnë për fitore, pasi barazimi do t‘i çonte ato drejt gjuajtjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave, për shkak të golavarazhit identik 2-3 që kanë në grup. Kjo gjë, ndonëse është një rast shumë i veçantë, është parashikuar edhe në rregulloren e Evropianit, në nenin 7.08. "Nëse dy skuadra, të cilat kanë të njëjtin numër pikësh, si dhe të njëjtin numër golash të shënuar dhe pësuar gjenden përballë njëra-tjetrës në ndeshjen e fundit dhe ky takim mbyllet në barazim, atëherë fituesi do të përcaktohet nga gjuajtjet e 11-metërshave, gjithmonë nëse nuk ka skuadra të tjera me të njëjtën shumë pikësh në grup", shkruhet në rregulloren e UEFA-s. Aty specifikohet se në rast barazimi, penalltitë do të gjuhen menjëherë pas përfundimit të 90 minutave dhe nuk do të ketë kohë shtesë për të përcaktuar fituesen e ndeshjes. Në këtë eventualitet, është Çekia që favorizohet më shumë, pasi ka marrë pjesë në gjuajtje 11-metërshash në të kaluarën gjatë turneve madhorë, në kundërshtim me Turqinë që nuk ka gjuajtur asnjëherë 11-metërsha. Çekia ka mundur dy herë Francën në vitin 1996 (6-5) dhe 1980 (9-8), si dhe Gjermaninë Perëndimore në vitin 1976 (5-3), duke qenë e saktë në të 20 gjuajtjet që ka bërë në total. Ngushëllimi i vetëm për Turqinë është se portieri i saj, Volkan Demirel, ka pritur 3 penallti në Ligën e Kampioneve me fanellën e Fenerbaçes.