E Shtunë, 31 Tetor 2026

ËSHTË I PËRLIGJUR ENTUZIAZMI PËR NATO-N?



Këto ditë Shqipëria po përjeton atmosferën festive të anëtarësimit të saj në NATO. Përgjithësisht, politikanë, intelektualë, gazetarë, qytetarë të thjeshtë shprehin mendimin e tyre për këtë ngjarje, mendime të cilat në terezinë e vet janë me nota pozitive. Janë shprehur edhe mendime apo opinione gazetareske që megjithëse pranojnë rëndësinë e kësaj ngjarjeje, shprehin rezervat e tyre në lidhje me inflacionin e epiteteve që janë përdoruar për të, duke theksuar se një moment i tillë nuk e meriton të përshkruhet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit dhe shtetit shqiptar.

Ky opinion mbështetet nga argumentet se në historinë e shtetit shqiptar shpeshherë janë përdorur shprehjet, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, në mënyrë të tepruar dhe që shpeshherë na kanë zhgënjyer. Por kur sillen shembuj për të argumentuar këtë pohim, historia fillon jo me themelimin e shtetit shqiptar, por me periudhën e themelimit të shtetit komunist shqiptar. E kështu sillen shembujt e anëtarësimit në Traktatin e Varshavës, me periudhën e miqësisë me Jugosllavinë, me BS-në, Kinën.

Arsyetimi vazhdon me argumentet se edhe pas rënies së regjimit totalitarist, klasa politike shqiptare, ngjarje të ndryshme që pasuan atë periudhë, janë përshkruar dhe propangaduar si ngjarje historike duke vënë në mënyrë djallëzore apo edhe të sinqertë një shenjë barazimi për këto momente historike.

Nuk ka dyshim se periudha 50-vjeçare e komunizmit është një pjesë shumë e vogël e historisë së popullit shqiptar dhe një pjesë shumë e gjatë e historisë së shtetit nacional shqiptar dhe ajo vlen të analizohet dhe të shikohet si e tillë.

Por nuk ka, mendoj ,asnjë dyshim edhe për vetë ata që e ngritën një sistem të tillë se ajo periudhë 50-vjeçare është periudha që në vend të shërbente për evoluimin dhe forcimin e identitetit kombëtar, në kuptimin e kombit shtet dhe jo kombit popull, me gjithë fasadën nacionaliste, nuk bëri gjë tjetër veçse e dobësoi atë, duke shfrytëzuar çdo koniunkturë të brendshme apo të jashtme vetëm për qëllime pushteti absolut të nomenklaturës, duke shkatërruar në radhë të parë vlerat individuale, njerëzore dhe kombëtare, duke shndërruar popullin në një masë amorfe, që një herë thoshin rroftë Jugosllavia dhe një herë tjetër rroftë BS-ja.

Ndoshta është e vërtetë që edhe pas rënies së komunizmit, në mënyrë koshiente apo inkoshiente, ka pasur një inflacion termash dhe epitetesh që ngjarje të ndryshme të paraqiten si historike.

Çdo ngjarje ka vendin e vet në hierarkinë historike dhe është historia ajo që bën pozicionimin e tyre në këtë hierarki. Por nuk mendoj se duhet të kalojnë 100 vjet për të pasur një vlerësim për periudhën komuniste në Shqipëri dhe të bësh një paralelizëm midis futjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës dhe anëtarësimit të saj në NATO, pa dyshim që është krejt absurde dhe pavarësisht nga shtysat dhe qëllimet e brendshme do ta konsideroja antikombëtare.

Kam pasur dhe vazhdoj të kem mendimin se prosperiteti dhe zhvillimi i një vendi varet kryesisht nga faktorët e brendshëm, nga aftësia e një kombi për të krijuar dhe bashkëjetuar në një komunitet, në respekt të rregullave që ata vetë kanë prodhuar dhe pranuar.

Por për një vend si Shqipëria, me historinë e saj të vështirë për arsye objektive dhe subjektive, për arsye të jashtme dhe të brendshme, ngjarje të tilla si kjo që po përjetojmë ne sot ka me të vërtetë përmasat të tilla që pa asnjë lloj kompleksi duhet të konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së shkurtër të shtetit shqiptar.

Ka një peshë relative çështja nëse ne kemi qenë historikisht një popull me prirje perëndimore apo lindore. Arsyeja e suksesit që vendet anëtare të NATO-s në tërësinë e vet kanë njohur, nuk ka qenë sepse ato janë vende perëndimore, por sepse filozofia mbi të cilën ato janë mbështetur ka qenë një filozofi që ka respektuar në mënyrë racionale natyrën njerëzore, duke u përpjekur ta përmirësojnë atë dhe jo duke e përçudnuar atë siç u përpoq të bënte teoria marksiste e konkretizuar nga Lenini dhe pasuesit e tij. Edhe ndryshimet thelbësore që vendi ynë ka pësuar në këto vite post-komuniste e kanë themelin e tyre pikërisht në këtë filozofi që në qendër të shoqërisë vendos individin e lirë. Pikërisht për këtë arsye dhe jo thjesht se NATO-ja është një aleancë e fuqishme ekonomike dhe ushtarake, nuk duhet të kemi drojë ta themi se anëtarësimi këtë aleancë vlerash qytetare njerëzore është historik dhe pa dashur që të keqkuptohem si një antievropianist do ta konsideroja ndoshta më të rëndësishme se edhe vetë aderimin e Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›