Kartelat elektronike shëndetësore, 730 mijë persona të regjistruar
Lizeta Duro
Tre vjet mbas nisjes së regjistrimit elektronik në qendrat shëndetësore, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, bëri me dije se regjistrimi elektronik i kartelave shëndetësore po avancon në mënyrë të dukshme. Sipas Hanës, në të gjithë vendin rezultojnë me kartelë shëndetësore rreth 3.9 milionë persona, ndër të cilët mbi 730 mijë persona e kanë plotësuar kartelën e tyre në rrugë elektronike. Kartela mund të plotësohet nga mjeku i familjes ose nga vetë pacienti.
Reforma
Reforma më e re që është ndërmarrë nga ISKSH-ja është zgjedhja e mjekut të familjes sipas preferencave. Më përpara, në varësi të qendrës shëndetësore që ka çdo qytetar apo lagjes ku ndodhet, të caktohej dhe mjeku i familjes e për ta ndryshuar të duhej kohë dhe një proces burokratik i gjatë. Tani këto nuk do të jenë më të nevojshme sepse me përfundimin e regjistrimit elektronik të gjithë mund ta zgjedhin vetë mjekun që duan të ndjekë vijueshmërinë e tyre shëndetësore.
“Hedhja on-line e të dhënave dhe hartimi i regjistrit elektronik ishte një sipërmarrje madhore”, - tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, “janë rreth 4 milionë persona rezidentë dhe jorezidentë të evidentuar nëpërmjet regjistrimit aktiv nga ana e mjekëve të familjes, bazuar në deklaratat e banorëve. Evidentimi i saktë i numrit të banorëve të regjistruar pranë mjekut të përgjithshëm dhe të familjes në të gjitha qendrat shëndetësore të kujdesit parësor ka qenë një ndërmarrje e rëndësishme e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky proces u realizua nga regjistrimi aktiv i të gjithë popullatës pranë qendrave shëndetësore të kujdesit parësor nga ana e mjekëve të familjes”, - tha drejtoresha e ISKSH-së në konferencën për shtyp. Regjistrimi elektronik i kartelave shëndetësore është një proces që ka për qëllim: Evidentimin e personave të regjistruar në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, evidentimin e saktë të diagnostikimit të sëmundshmërisë kronike si dhe krijimin e një data-base elektronike pranë çdo mjeku të familjes.
Procesi
Faza e parë e procesit të regjistrimit që përfshinte regjistrimin e personave nga ana e mjekëve të familjes ka përfunduar. Sipas Hanës, po punohet për fazën e dytë që ka të bëjë me hedhjen e skedave të pacientëve në regjistrin elektronik on-line. Skema e regjistrimit elektronik për herë të parë u prezantua në Forumin e 4-t ballkanik për sigurimet shëndetësore, të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë, ku reformimi i sistemit shëndetësor dhe financimi i sistemit publik ishte dhe tema kryesore ku u përqendruan drejtorët e vendeve pjesëmarrës, pjesë e të cilëve ishte dhe drejtoresha jonë e ISKSH-së, Elvana Hana.
Spitali i Neurologjisë pagëzohet me emrin “Bajram Preza”
TIRANË - Duke nisur nga dita e djeshme, Spitali i Neurologjisë mban emrin e themeluesit dhe ish-neurologut të tij, Bajram Peza. Sëmundjet që trajtohen në këtë spital janë disa si: hemorragjia cerebrale, sëmundjet e kokës, sëmundjet kronike etj. Ceremonia e ndërrimit të emrit u përshëndet nga ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe nga drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së, Ilir Dashi. Në prani të stafit shëndetësor dhe të afërmve të Bajram Pezës, ministri u shpreh se emra të tillë, kontribuues në shëndetësinë shqiptare dëshmojnë për themelet e forta ku qëndron shëndetësia shqiptare. "Sot japim këtë emër të nderuar e të gjithëpranuar nga opinioni mjekësor. Duhet të mësohemi të vendosim këto tulla në këtë mur të madh të mjekësisë shqiptare, të cilat e kanë një themel të fortë. Profesor Bajrami ishte një nga këta gurë themeli",- tha Vasili.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së, Ilir Dashi, gjatë kësaj ceremonie simbolike u shpreh se ka nisur faza e parë e projektit për rikonstruksionin e këtij spitali. “Spitali i Neurologjisë gjatë vitit të shkuar është përballur me 6000 raste të sëmundshmërisë, 3500 konsulta dhe 2500 shtrime. Në vitin 2009 kanë ardhur 100 raste më shumë se në vitin 2008. Tashmë ka ardhur momenti i fillimit të punës për rikonstruksionin e Spitalit të Neurologjisë. Ne sot kemi mundur të sigurojmë fondet për fazën e parë të këtij projekti", - tha Dashi.
Mjekët neurologë thonë se vitin e fundit numri i pacientëve të regjistruar në Spitalin e Neurologjisë është shtuar me 1000 raste. Ata shprehen se të sëmurët marrin të njëjtin trajtim me vendet simotra në Europë.
Përfundon rruga në zonën e Kombinatit
Përfundoi dje rikonstruktimi i plotë i rrugës “Hamdi Pepa”, investim nga të ardhurat Bashkisë së Tiranës. Rruga e rikonstruktuar është pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake Nr.6 (përballë ish-Kombinatit Ushqimor). Në përurimin e kësaj rruge ka qenë i pranishëm edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë ndërhyrje si pjesë e një pune tërësore dhe intensive nga ana e Bashkisë së Tiranës për transformimin e të gjitha territoreve brenda hapësirave të blloqeve të banimit apo hapësirave të zhvillimit. “Kjo është pjesë e një pune tërësore, intensive që po bëhet në të gjithë kryeqytetin, për të transformuar territoret brenda hapësirave të blloqeve të banimit apo hapësirave të zhvillimit të sipërmarrjes, të cilat kërkojnë ndërhyrje dhe të cilat e kanë domosdoshmëri integrimin e plotë në infrastrukturën tashmë të tjetërsuar të kryeqytetit“, - u shpreh Rama. Rruga “Hamdi Pepa“ është tashmë e rikonstruktuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohorë. Në total janë trajtuar 670 metra linearë, sipas të gjitha standardeve të duhura. Rruga ka një gjerësi 6 metra, me trotuare nga të dyja anët. Po ashtu, është ndërhyrë edhe në trajtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut. Projekti i rrugës ka përfshirë edhe ndërhyrjen në sistemin e ndriçimit, i cili nuk ekzistonte. Ndërhyrja në këtë rrugë do të shërbejë njëkohësisht edhe për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve në Tregun Ushqimor. Rehabilitimi i këtij aksi lindi si domosdoshmëri, duke qenë se ishin konstatuar dëmtime të shtresave asfaltike, ndërkohë që në pjesën e sipërme ato mungonin krejtësisht.
Fundjavë e nxehtë, temperaturat do të arrijnë deri në 33 gradë
Të gjithë ata që duan të shkojnë për fundjavë në bregdet, koha do të jetë e mirë dhe me temperatura të larta. Burimet zyrtare nga Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bëjnë të ditur se temperaturat e larta nuk do të ndahen gjatë 10 ditëve në vazhdim. Gjatë kësaj fundjave dhe javës në vazhdim termometri do të shënojë 33 gradë. Sipas specialistit të këtij institucioni, Vangjel Mustaqi, ”ditën e diel temperaturat do të shënojnë të paktën 3 gradë më shumë se sot. Moti do të jetë i nxehtë edhe për 5 ditët në vazhdim”. Të shtunën dhe të dielën pasdite do të ketë reshje lokale, kryesisht në zonat malore. Sipas specialistit të IEUM “ bëhet fjalë për reshje të dobëta,që nuk ndikojnë aspak në zonat bregdetare, ku pushuesit mund të vazhdojnë të qetë të shijojnë rrezet e nxehta të diellit”. Të gjithë personat që kanë planifikuar të pushojnë në bregdet gjatë 10-ditëshit të dytë të korrikut, do t’i shoqërojë një mot i nxehtë e me temperatura të larta. Asnjë shqetësim për luhatjen e motit apo reshje të papritura.
Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe këtë vit probleme me shëndetin. Me të prekurit nga goditjet prej diellit dhe vapa janë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kardiakë. Mjekët këshillojnë në këto raste, qëndrim në vende të freskëta gjatë orëve të drekës dhe konsumim të sa më shumë lëngjeve.
10 Korrik 2010