Holandezi "Ok" miqësores me Kosovën në Prishtinë
Pezullimi nga FIFA ka bërë që Shqipëria ta ketë të pamundur të luajë dy miqësoret e parashikuara me Arabinë Saudite dhe Moldavinë. Plani "B" është që kuqezinjtë të luajnë me përfaqësuesen e Kosovës, në Prishtinë. Kjo ide, e mbështetur edhe nga presidenti i Federatës Kosovare, Vokrri, ka marrë miratimin e teknikut Ari Han. "Me situatën e krijuar, miqësorja me përfaqësuesen kosovare është më shumë se një ide", ka bërë të ditur përfaqësuesi i zyrës për shtyp në FSHF, Lysien Nurishmi. "Duke mos pasur asnjë alternativë tjetër në dispozicion, pasi asnjë nga anëtarët e FIFA-s dhe UEFA-s nuk mund të luajë me Shqipërinë për aq kohë sa jemi të pezulluar, edhe trajneri Han ka pranuar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore më 26 mars. Me Kosovën nuk ka asnjë problem, pasi kjo federatë ende nuk është anëtare. Ashtu sikurse kanë kërkuar drejtuesit e futbollit kosovar, takimi do të luhet në Prishtinë". Burimet zyrtare në federatë kanë bërë të ditur se në këtë ndeshje do të luajnë lojtarët kryesorë të kombëtares, për t‘u vëzhguar nga trajneri Han, ndërkohë që numri i lojtarëve në listën e publikuar për ndeshjen me Moldavinë mund të shtohet.