Holifild, cmenduria e fundit e tij, sfida me kampionin Valuev
Të shtunën në mbrëmje do të mësohet nëse Evander Holifild do të bëjë një çmenduri të fundit. Ose më saktë, nëse do të hyjë edhe një herë në historinë e boksit. 46-vjeçari do të provojë të mundë gjigantin rus, Nikolai Valuev. Në lojë është titulli i kampionit të botës në peshat super të rënda WBA. Nëse do të arrijë të fitojë, Holifild do të bëhej kampioni më i moshuar i të gjitha kohërave, duke thyer rekordin e Xhorxh Foreman, i cili në vitin 1994, në moshën 45-vjeçare, mundi Majkël Murerin. Ndeshja do të zhvillohet në Zyrih. Pas këtij takimi, duket se fshihen histori të ndryshme. Për shumë persona, Evander ka vendosur të rikthehet në ring për një ndeshje për titull botëror, vetëm për para. I mbytur nga borxhet dhe nga dëmshpërblimet për divorcin me ish-gruan, ish-kampioni nuk ngjitej në ring që nga tetori i 2007-ës. Atëherë u mund me pikë nga i parezistueshmi rus, Sulltan Ibrahimov, i cili konfirmonte titullin e peshave super të rënda në WBO. Holifild, për sfidën kundër Valuev, do të çojë në shtëpi 750 mijë dollarë. Shifra modeste, për standardet aktuale të boksit. Për shembull, kur luftoi kundër Majk Tajsonit, në çantë ishin gjithsej 35 milionë dollarë. Atëherë ishin kohë të tjera, kur djaloshi nga Alabama kishte një shtëpi me 17 banja (tashmë e shitur për të likuiduar borxhet e shumta, pasi në të kundërt do të kishte përfunduar në burg) dhe mbi të gjitha, përballej me çdo kundërshtar me kokën lart. Megjithatë, ai nuk e ka menduar ende lamtumirën nga ky sport. Ai vazhdon të stërvitet njësoj si kohë më parë në palestër, për të qenë në formë.