Real, vjen Diarra ikën Van der Vart
Portsmuthi dhe Reali i Madridit kanë gjetur marrëveshjen për transferimin e Lasana Diarra në "Santiago Bernabeu". Për momentin, shifra e paguar për kartonin e mesfushorit francez nuk është e qartë. "The Sun" pretendon se spanjollët paguan 26.7 milionë euro në arkat e klubit anglez, ndërsa për "Daily Mail" shuma është afro 20 milionë euro. Gjithsesi, Portsmuth do të përfitojë nga kjo shitje, pasi në janar 2008, ata paguan vetëm 6.1 milionë euro për blerjen e 23-vjeçarit nga Arsenali. "Merengues" pritet ta zyrtarizojnë lajmin në 48 orët e ardhshme, ndërsa Diarra do të transferohet në Madrid më 2 janar 2009. Ndërkohë, në merkaton e dimrit, nga skuadra e Huande Ramos pritet të largohet mesfushori me tipare sulmuese, Rafael van der Vart. Edhe pse u afrua me shumë bujë nga gjermanët e Hamburg, për 13 milionë euro, holandezi nuk i ka bindur drejtuesit e klubit se është i vlefshëm për një emër të madh si Reali. Pavarësisht "epidemisë" së dëmtimeve që ka prekur kampionët e La Ligas, Van der Vart nuk ka arritur të sigurojë një vend të përhershëm në formacionin titullar.