Sushiç: Në pushim, lojtarët e mi kishin pak frikë
BOSNJE- Do të isha i kënaqur edhe me një fitore 1-0. Safet Sushiç, trajneri i kombëtares boshnjake, ka pranuar vështirësinë e fitores me Shqipërinë ditën e martë, sidomos pas një pjese të parë, ku kuqezinjtë ishin vërtet mbresëlënës në fushën e lojës. Ish-sulmuesi i Paris Sent Zhermen është parë më i qeshur pas takimit, ndërkohë që ditën e sotme, duke folur për mediat boshnjake, ka treguar momentet e tensionit në pushim. “Nuk jam nga ata që më pëlqen të fluturoj, - deklaroi Sushiç. – Përpara ndeshjes thashë që do të na motivonte më shumë humbja në Rumani dhe ashtu ndodhi. Nga pikëpamja psikologjike, kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne. Futbollistët në pushim thanë se nuk do të ishte e lehtë të shënonim dhe se kjo ndoshta do të kërkonte pak kohë. Me vete shpresoja që të shënonim të paktën një gol, pasi çdo gjë u bë e vështirë. Do të isha i kënaqur edhe nëse fitonim 1-0”, deklaroi më tej Safet Sushiç.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)