E Diel, 1 Nëntor 2026

Hollivud. Teknologjia shfaq filmin në celular

06/04/2005  Jetojmë në kohët moderne, por jo të Çarli Çaplin. Teknologjia moderne, nga dita në ditë, po na habit. Shumë shpejt do të kemi mundësinë të shohim filma jo vetëm në kompjuter, por edhe në telefonat celularë, në mënyrë të ligjshme, kundrejt një shume të derdhur në llogaritë bankare, nga site interneti të kompanisë "Sony". Në një bashkëpunim me kompaninë "Apple", "Sony" po ndërton një dyqan elektronik, të ngjashëm me ato që "shkarkojnë" muzikë në celular, por ku në vend të muzikës do të "shkarkohen" sukseset më të mëdha kinematografike të "Sony Picture". Ky shërbim do të mundësohet nëpërmjet internetit, si në kompjutera, ashtu edhe në telefonat celularë. Në konferencën "Hollivudi elektronik", zv.presidenti i kompanisë "Sony Picture", Majkëll Arieta, njoftoi se, duke marrë si shembull Stiv Xhobs të "Apple", ata kanë vendosur që pas pak muajsh, të venë në zbatim teknologjinë që mundëson një "iTune" kinematografik. Në këtë hapje, përdoruesit e telefonave celularë do të kenë mundësinë të shohin rreth 500 nga filmat më të mirë, ndërmjet 2500, të prodhur nga "Sony Picture". Ende nuk janë dhënë hollësi në lidhje me çmimin e këtij shërbimi apo edhe mënyrën se si do të operohet. Pak kohë më parë, "Sony" hodhi në treg një aparat për riprodhimin e lojërave të fëmijëve dhe filmave, ose të quajtur ndryshe "Play Station Portable" (PSP). Paralelisht, edhe këngët që blihen on-line nga "iTune", të "Napster", mund të dëgjohen në aparate që mbahen me vete mp3, sikundër "iPod". Kjo sipërmarrje e "Sony"-t, e cila përgatitet të hedhë në treg filmat në celularë, tregon qartë për ankthin që e ka përfshirë Hollivudin, si rezultat i piraterisë së shfrenuar. Sipas të dhënave të BBC-së, vetëm gjatë viti 2003, humbjet nga pirateria kapin shumën 7 miliardë USD. Avantazhi i kinematografisë konsiston në faktin se, mund të vejë mend nga gafat e industrisë së muzikës dhe reagimit të saj shumë të vonuar. Deri tani, "iTunes", që ka shitur 250 milionë këngë, tregon se blerësit në këtë sistem nuk mungojnë, mjafton të kenë një cilësi shumë të lartë dhe të mos paguajnë shtrenjtë. Të dhënat e deritanishme janë frikësuese. Sipas të dhënave të "Indipendent", shërbime falas sikundër "BitTorrent", "eDonkey" dhe "DirectConnect", shkarkojnë një film të tërë, në më pak se dy orë, një lumë i vërtetë filmash, që arrin në 600 mijë në ditë. Por edhe biznese të licensuara në lidhje me shitjen e filmave në internet, ekzistojnë edhe në këtë moment. Një prej tyre është edhe "Movielink", që u krijua nga gjashtë prej studiove më të mëdha të Hollivudit, Metro-Goldwyn-Mayer, Sony, Paramount, Universal dhe Warner. Por numri i filmave të vënë në dispozicion është shumë i kufizuar dhe ky shërbim ofrohet vetëm në SHBA, kundrejt 5 USD. Ndërsa në Francë, kompania respektive e ofron këtë shërbim kundrejt 8 eurove për film.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›