E Diel, 1 Nëntor 2026

Monumentet me rrip në vrimë të fundit

06/04/2005  Institutit të Monumenteve në Tiranë paralajmëron shterjen e specialistëve; rasti i shkarkimit nga puna i specialistit Gjerak Karaiskaj, që punon prej 40 vitesh në sektorin e monumenteve të antikitetit mesjetar, pritet të përfundojë në tryezën e Kryeministrit; Edlira Çaushi: Karaiskaj nuk është shkarkuar, por nuk është bërë emërimi, po verifikohet motivimi i largimit nga ish-drejtor, urdhër i lëshuar nga MKRS

Sikur mos t’i mjaftonte shkarkimi i papandehur nga drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gjerak Karaiskaj dje nuk ka mundur të tërheqë as rrogën e tij prej 14 mijë lekësh, pasi i është deklaruar me shkresë se është i papunë. Trimëria e tij, më shumë se ç’duhet në drejtim të punëve të Ministrisë së Kulturës, siç duket e ka marrë në qafë. Ky ka qenë një nga drejtorët që ka reaguar pa rreshtur për të kërkuar të “drejtat e tij”, qysh kur i ka ardhur shkresa e parë me urdhër nga Blendi Klosi, për shkarkim nga detyra e drejtorit të IMK-së. Motivimi sot e kësaj dite nuk është publikuar, vetëm sa është thënë nga vartësit e Klosit se po zbatojnë ligjin e trashëgimisë dhe po merren me reformat e monumenteve. Në të njëjtën mendje ka qenë dhe drejtorja që i zuri këmbën, Edlira Çaushi, e cila është shprehur dje për gazetën “Metropol”, se po pret që të vërtetojë shkresat ku është motivuar shkarkimi i Karaiskajt, si drejtor. Ndërsa tani bëhet fjalë edhe si punonjës i Institutit të Monumenteve. Gjithë këtë situatë, specialisti i Monumenteve, Karaiskaj, që punon prej 40 vitesh në sektorin e monumenteve të antikitetit mesjetar, e shikon absurde dhe të çuditshme. Ndërkohë që është një “punonjës i thjeshtë” dhe nuk ka “autoritetin” e pushtetit, Karaiskaj modestisht ka kërkuar te drejtori i IMK-së, arsyet e largimit nga “puna”. “Është pushim absurd, sepse drejtoresha e Institutit, Edlira Çaushi, nuk ka dhënë asnjë arsye në shkresë përse jam i larguar nga puna, vetëm se duhet të bëj dorëzimet në bazë të kodit të punës. Që nga dita e djeshme nuk figuroj si nëpunës i këtij institucioni, nuk kam të drejtë të shkel aty, pasi nuk paguhem”, është një nga specialistët më të vjetër të monumenteve.

Ndërsa deri dje ishte mbajtur “peng” i verifikimit që kërkon të bëjë drejtorja e tanishme e Monumenteve, pas shkresës që është dërguar më parë nga Ministria e Kulturës në IMK. Çaushi është shprehur se, Karaiskaj nuk është shkarkuar nga puna, por thjesht nuk është bërë emërimi.

Edhe pse me drejtorin e ri Instituti i Monumenteve në Tiranë është “zhveshur” nga të gjithë kompetencat e emërtimit që ka. Po ashtu dhe specialistët, restauruesit që punojnë aty prej më shumë se 30 vitesh, tani e tutje, i bie të numërohen me kuti kanaçeje. Rreziku nuk ka të bëjë aq në këtë rast me largimin apo jo të një specialisti, por me një farë fushate që po rrafshon këtë institucion, duke i hequr dhe të drejtën në emër të reformave për të justifikuar postin. Largimi i specialistëve është “shansi” që mund të përgjysmojë fondet që shkojnë për restuarimin e trashëgimisë sonë kulturore, që ka vite që lajmëron degradimin. Specialistët aktualë në Institutin e Monumenteve, nuk e kanë për herë të parë që ngrenë zërin se pika e dobët e këtij institucioni është rigjenerimi me të rinj. Por, kjo ka të bëjë me përgatitjen e tyre, gjë që gjithmonë është shpërfillur për shkak të qasjes nga rroga qesharake. Ndërsa shqelmi po shkon në drejtim të kundërt, duke “detyruar” specialistët aktualë të lënë punën, t’i largojnë a të presin shumë shpejt pensionin. Derisa Ministria e Kulturës të gjejë arsyet e mundshme për të larguar një specialist që punon prej 40 vjetësh në një sektor të fortë, por shumë të goditur, si ajo e mesjetës në kulturën tonë. Fushata e këtij lloji nuk është rasti i parë...

Dosja që ka përgatitur Karaiskaj, si pasojë e diskriminimit të punës së tij, është nisur drejt Kryeministrit për zgjidhje, e shoqëruar me disa rreshta prej specialistit të monumenteve.

Çaushi: Karaiskaj është i paemëruar, po verifikojmë motivimin e MKRS

Ka pasur një aryse të fuqishme, që e ka detyruar ministrin Blendi Klosi ta shkarkojë para së të kryej mandatin ish-drejtori i Monumenteve. Por motivimi ende nuk është deklaruar. Drejtorja e Monumenteve, Edlira Çaushi, dje është shprehur se, “Karaiskajn nuk e kam shkarkuar, por thjesht nuk kam bërë emërimin”. Se ç’domethënie ka kjo, për specialistin e monumenteve të mesjetës, dita e djeshme ka qenë dita e parë e papunësisë, sipas mandatin të lëshuar nga drejtorja e re.

Ndërsa, Çaushi është shprehur se ish-drejtori është shkarkuar me një motivim të “fuqishëm”, që ende nuk është zbardhur vërtetësia e tij. Gjithsesi është thënë vetëm fjala “motivim”, pa asnjë presje pas... fjalinë e arsyeshme pse?

Pra, një rast i veçantë, ku jepet vendimi i shkarkimit nga puna vetëm nga një fjalë “motivim”, duke pritur që ajo të vërtetohet. Çaushi nuk ka deklaruar asgjë më tepër dje, duke e theksuar dhe një herë situatën se, “derisa të vërtetohet situata, nuk bëj dot emërimin. Ai është shkarkuar nga drejtor me një motivim nga MKRS-ja. Është ngritur një grup kontrolli në MKRS, që do të verifikojë situatën”.

“Bujazz”, pas koncertit workshop në Tiranë

Në Akademinë e Arteve të Bukura, Ansambli gjerman "BuJazzo" ka bërë kthesën e parë nga turnetë në Ballkan duke kurorëzuar koncertin me muzikë xhaz, të interpretuar nga një bandë numeroze. Bujazzo, një orkestër që luan që prej vitit 1987 muzikë xhaz, e mbështetur nga shumë institucione gjermane nën drejtimin e të mirënjohurit Peter Herbolzheimer ka luajtur mbrëmë për publikun shqiptar në kuadrin e një turneu. Më shumë se 2000 muzikantë të rinj midis 13-24 vjeç kanë luajtur në këtë orkestër dhe çdo vit shtohen 150 të tjerë. Si ambasadorë të muzikës xhaz kjo orkestër organizon turne ndërkombëtar çdo dy vjet dhe këtë hrë mbas Bullgarisë vijnë edhenë Shqipëri e më pas do të jenë në Rumani. Formacioni koncertor është formuar gjatë një faze përgatitore dy javore në fillim të marsit, ku nga 70 muzikantë janë përzgjedhur 20. Së bashku me dy muzikantë vendas pjesëtarët e kësaj orkestre do të zhvillonë turneun 10 ditor në Ballkan. Kjo orkestër do të organizojë dhe ëorkshops në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Pjesë e repertorit të koncertit në Tiranë ishin pjesë braziliane por edhe pjesë të njohura të gjigandëve të muzikës xhaz si Dizzy Gillespie, Duke Ellington, Miles Davis si dhe vetë drejtuesi i orkestrës Peter Herbolzheimeri.

Turneu i sivjetëm organizohet në bashkëpunim me Deutsche Velle, Institutin Goethe, Këshillin Muzikor gjerman, ambasadën gjermane në Tiranë, Qendra e Dokumentimit dhe Komunikimit të Muzikës Rajonale me drejtor Sokol Shupon, Shoqatën kulturore gjermano-shqiptare “Robert Shvarc”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›