E Diel, 1 Nëntor 2026

Qerimaj, Shehu dhe Madhi në “antologjinë amerikane”

06/04/2005  ...”Muzika kalon kufijtë dhe ato gjuhësore, kjo na bashkon të gjithëve...”, kështu theksoi në fjalën e tij përshëndetëse ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Marcie B.Ries në koncertin “Antologji Amerikane”, që u realizua nën kujdesin direkt të saj në sallën e Akademisë së Arteve.

Reagimi impresionant që bëri publiku i pranishëm në koncert, ishte përgjigjja më domethënëse e vërtetësisë së fjalës së zonjës ambasadore.

Në programin e koncertit “antologji amerikane” zinin vend vepra muzikore të emrave të spikatur të kulturës muzikore amerikane si Charles E.Ives, Aron Copland, John Cage, George Gershwin dhe Leonard Bernstein. Në ekipin realizues të koncertit bëjnë pjesë emrat e F.Qerimajt, I.Shehut dhe I.Gjokës si dhe ansambli i dhomës i A.A, i drejtuar nga mjeshtri I.Madhi “Artist i Popullit”, emra që përfaqësojnë arritjet më cilësore në veprimtarinë koncertore.

Sipari i koncertit u çel me “The unanswered question” të Charles B.Ives, e cila u interpretua nga ansambli i dhomës së A.A, i drejtuar nga profesor I.Madhi, që tërhoqi vëmendjen absolute të sallës që në tingujt e parë të saj. Loja e sfumuar e harqeve, e konceptuar nga dirigjenti për t’i lënë vend evidentimit të oboes, klarinetës, trombës dhe violave, të cilat spikatën qoftë në dialogjet ndërmjet tyre, ashtu edhe në bashkëtingëllimet, vjen duke krijuar një rritje të dukshme emocionale në kulminacion, e duke përfunduar në një tingëllim akordik befasues të instrumenteve frymorë. Ideja e veprës “The unanswered question” u përcoll qartë dhe e plotë, falë jo vetëm konceptimit ideo-emocional të saj, por dhe njohjes në detaje të partiturës nga ansambli e, veçanërisht nga mjeshtri Madhi, i cili krahas rolit të tij determinues, krijoi hapësira për evidentimin e cilësive më të mira të instrumentistëve debutues.

“Quite city” e kompozitorit Aaron Copland për corin anglez dhe trombë, e shoqëruar nga ansambli i dhomës, ishte vepra e dytë e programit të këtij koncerti, e cila pas prezantimit të temës nga harqet ia përcjell atë cornit anglez e trombës, që vepron në regjistrin e mesëm të saj deri në kufijtë e regjistrit të sipërm, duke iu përshtatur plotësisht fuzionit të ansamblit. Të dy këto instrumente, gjatë gjithë veprës zhvillojnë dialog të vazhdueshëm, duke përfunduar me tingujt e fillimit të trombës, të cilat, tashmë lajmërojnë reprizën e shkurtuar që mbyll krejt veprën me picikatot e harqeve.

Madhi gjatë gjithë kohës së interpretimit të kësaj vepre e vuri ansamblin në shërbim të dy solistëve I.Shehu dhe I.Gjoka, duke evidentuar qartazi rolin e tyre parësor në vepër, pa harruar të nxjerrë në pah violonçelat në përfundim të veprës.

Loja e disiplinuar e solistëve, ngarkesa e kontrolluar emocionale si dhe dirigjimi fin i ansamblit nga dirigjenti, krijuan një gjendje tepër emocionale te spektatorët e pranishëm në sallë.

Trompisti Isak Shehu, me një karrierë të gjatë solistik, vjen nga koncerti në koncert me një rritje të dukshme profesionale, duke plotësuar më së miri parametrat e një koncertisti të karrierës. Gjithashtu, obeisti Ilir Gjoka, një nga solistët më të mirë të orkestrës së TOB-it, prezanton cilësitë e tij duke u angazhuar edhe në veprimtari të tjera solistike. “Antologjia amerikane” në vazhdim prezantoi tre interpretime dinjitoze të klarinetistit të shquar Fatos Qerimaj, i cili vitet e fundit është bërë një nga promotorët e organizimit të veprimtarive me muzikë bashkëkohore në Shqipëri.

“Te ‘Koncerti për klarinetë’ i Copland, ku evidentohen shumë elementë të muzikës xhaz, të mbështetura nga një gjuhë tepër e pasur harmonike, Qerimaj shpalosi të gjithë cilësitë e një artisti, që, tashmë ka kapërcyer treguesit cilësorë të interpretimit muzikor shqiptar, duke ecur i sigurt në rrugën e niveleve botërore. Padallueshmëria e kalimit nga një regjistër në tjetrin, stakatua brilante, kalimi befasues nga planet dinamike pianissimo në fortissimo, pse jo dhe reagimi i gjithë qenies së tij gjatë interpretimit, japin qartë portretin e një koncertisti të dallueshëm nga shumë artistë të tjerë shqiptarë.

“An american in Paris” e kompozitorit të shquar G.Gershwin për klarinetë e orkestër, shpalosi para dëgjuesve bluzin tipik afro-amerikan të materializuar në një vepër serioze, e cila dhe pse u interpretua pa dirigjent, ishte një realizim perfekt, ku klarinetisti e ansambli orkestral u paraqitën në sinkron të plotë. Pavarësisht mënyrës së realizimit të saj (pa dirigjent) në përcjelljen e saj spikati mjeshtëria e I.Madhit me ansamblin në studio.

Klarinetisti F.Qerimaj, jo vetëm zotëron në nivele të larta të gjitha mundësitë shprehëse teknike të instrumentit, por, ai mjeshtërinë e vet e ka shtrirë në shumë stile muzikore, që nga muzika popullore, e dhomës, solistike deri te muzika bashkëkohore e xhazit, duke sjellë risi në jetën koncertore shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›