E Diel, 1 Nëntor 2026

Holtkemper: Viti 2011-të, zhvillime pozitive në Shqipëri

TIRANE- Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper në një intervistë për Deutsche Welle, e përshkruan vitin 2011-të që po lëmë pas si vit pozitiv. Ajo e bazon këtë gjykim tek nisja e dialogut politik mes pozitës e opozitës, për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare.

“Deklarata e përbashkët e partive qeveritare dhe të opozitës lidhur me bashkëpunimin e tyre është një hap mjaft i rëndësishëm i asaj, që ka realizuar Shqipëria deri tani. Për Parlamentin Europian vlen një falenderim mjaft i madh për faktin, që ia arriti të bëjë bashkë në një tryezë partitë e mazhorancës dhe të opozitës. Unë mendoj se viti 2011 shënohet nga një dinamikë më së shumti pozitive. Qeveria dhe opozita kanë arritur të bien dakord me hapat, që do të ndjekin për përmirësimin e rregullores së punës së parlamentit, gjithashtu kanë vendosur të punojnë për reformën elektorale dhe kanë arritur të bëjnë një plan veprimi në përputhje me frymën dhe rekomandimet e Progres Raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë”, tha Holtkemper.

Ajo përmendi rastet zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Kombëtare, apo edhe Avokatin e Popullit, duke i cilësuar ato si procese të realizuara përmes procedurave tejet transparente, në bazë të konkurueshmërisë dhe përshtatshmërisë së kandidaturave.
“Na mbetet të shpresojmë në vijim që edhe postet e tjera me të njëjtën përgjegjësi të mund të përzgjidhen dhe të përcaktohen me të njëjtën transparencë”, tha ambasadorja më tej.

E pyetur nëse do të mund Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE në mesin e vitit 2012-të, Holtkemper komentoi se kjo varet nga vetë shqiptarët, pasi janë të qarta kushtet që duhet të përmbushin.
“Nga 12 rekomandimet e përpiluara aty unë do të konsideroja si të shpejta për t'u përmbushur miratimin e ligjeve me 3/5-at, krijimin dhe ndërtimin e një bashkëpunimi konstruktiv mes partive politike”, tha diplomatja gjermane.

Ambasadorja duke folur për luftën ndaj korrupsionit këshilloi qeverinë shqiptare të ndjekë një linjë strategjike sistematike në të gjitha nivelet në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të kulturës së pandëshkueshmërisë.
“Vetëm atëherë do të mund të presim vënien para përgjegjësisë dhe dënimin e marrjen e masave kundër aferave korruptive, sidomos në nivelet e larta. Këtu dua të them se bilanci i viteve të fundit nuk është aq inkurajues. I takon drejtësisë shqiptare dhe shoqërisë civile të jetë aktive, duke përfshirë këtu dhe mediat vigjilente dhe të pavarura, që luajnë një rol vendimtar në luftën kundër korrupsionit”, tha Holtkemper për DW.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›