E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Prifti ekspertiza kushtoi 35 mijë euro

20/12/2011  Blerja e programeve kompjuterike fryjnë shumën financiare të ekspertimit të videos

Instituti Shkencor s’kishte ekspertë, Gjykata e Lartë pagesë 3 privatëve

TIRANE-Ekspertimi i videos Meta-Prifti i ka kushtuar Gjykatës së Lartë një shumë financiare prej 35 mijë eurosh. Kjo shumë monetare pritet të tërhiqet shumë shpejt nga tre ekspertët që u caktuan nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, të cilët mësohet se pak kohë më parë kanë depozituar në gjykatë faturën ekonomike të ekspertimit të video-përgjimit mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Kostoja tepër e lartë e kësaj ekspertize, duket se vjen për shkak të blerjes së programeve kompjuterike nga ana e tre ekspertëve Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rahmani. Por jo vetëm kaq, pasi siç mëson gazeta “Metropol” shuma financiare është fryrë edhe për shkak të faturimit të dhjetërave hard disqeve, që sipas tre ekspertëve janë prishur gjatë ekspertimit të videos më të përfolur mes Metës dhe Priftit. Pavarësisht kësaj, tre ekspertët e përmendur tashmë pritet të marrin nga buxheti i Gjykatës së Lartë shumën prej 35 mijë eurosh, shifër kjo që do të përmendet në muajin janar të vitit 2012 kur dhe do jepet vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë lidhur me dënimin ose jo të të pandehurit Ilir Meta. Për të shmangur një faturë të lartë financiare, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për një ekspertizë të huaj. Një vendim i ndërmjetëm me katër vota pro dhe një kundër, rrëzoi kërkesën e Prokurorisë dhe urdhëroi që ekspertizën ta kryenin ekspertë shqiptarë të Institutit të Policisë Shkencore që është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Mirëpo pas shkresës së ministrit Nishani, se instituti s’ka teknikën dhe specialistët e duhur për ekspertimin e materialeve në video dhe audio, Gjykata e Lartë riktheu sytë sërish tek studiot private të ekspertimeve. Për t’i dhënë përgjigje sa më parë video-përgjimit mes ish-zv/kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, gjykata caktoi tre ekspertë privatë duke i lënë 18 detyra për të zgjidhur. Ky vendim u mor në pamundësi për të gjetur ekspertë nga shteti, duke sjellë aprovimin më pas të tre ekspertëve që kryen një muaj më parë ekspertimin e videos Meta-Prifti. Sipas përgjigjes së dhënë nga tre ekspertët shqiptarë, tik taku i orës është linearizuar në gjithë gjatësinë e tij me sekondat e time-line. Në minutën e 11:25 siç shikohet, konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak tepër, jo në harmoni me tik-tak-et e tjera. Në minutën e 12:35 vihet re sërish një tik-tak i mbivendosur. “Duke parë deformimet anormale të kurbës së sinjalit, konkludojmë se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë shumë i madh. Ndërkohë që gjatë ekzaminimit të lap-topit, të faile-ve të fshira u konstatua se ekzistonte dhe një program i fshirë i quajtur “CraziTalkAnimator” i kompanisë “RealIluzion”, i cili përdoret për ndërhyrje audio-video”,-shprehen në ekspertizën e tyre tre ekspertët shqiptarë.

4 mijë dollarë

E njëjta ekspertizë, por e kryer nga eksperti amerikan Glenn Bard ka kushtuar shumë më pak nga ekspertiza e kryer në Shqipëri. Nga faturat financiare të mbledhura rezulton se kjo ekspertizë e kryer në Amerikë i ka kushtuar buxhetit të Prokurorisë 4 mijë dollarë. Ekspertiza e amerikanit Bard u rrëzua nga gjykata, për shkak se sipas saj nuk ishte kryer sipas procedurës penale, duke aplikuar dërgimin e letërporosisë.

Përpjekjet e gjykatës

Për të shmangur një faturë të lartë financiare, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për një ekspertizë të huaj. Një vendim i ndërmjet me katër vota pro dhe një kundër, rrëzoi kërkesën e Prokurorisë dhe urdhëroi që ekspertizën ta kryenin ekspertë shqiptarë të Institutit të Policisë Shkencore. Mirëpo duke qenë se instituti nuk zotëronte mjetet dhe specialistët, atëherë sytë u rikthyen sërish tek privatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›