E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i policisë, shkatërron makinën për qëllime personale

20/12/2011  Seit Bajramaj, konflikt me një fadromist. Nga incidenti dëmtohet mjeti “POLICIA 2011”

“Jam oficer policie, do të takohemi përsëri”, kërcënimi efektivit të rrugorëve

TIRANE-Seit Bajramaj, një oficer i Policisë Rrugore, është përfshirë në një sherr banal me shtetasin Bajram Koleci, ku si pasojë e kësaj grindje ka pësuar dëmtimi të rënda automjeti që është në pronësi të Policisë Rrugore në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Tiranë-Kamëz, ku mjeti i policisë është shkatërruar thuajse plotësisht nga dy kova çeliku të një fadrome. Motivi i këtij incidenti është bërë refuzimi që fadromisti Bajram Koleci, i ka bërë oficerit të policisë Seit Bajramaj për të kryer punime pa pagesë me fadromë në oborrin e shtëpisë të oficerit të policisë. “..Unë jam oficer policie do të takohemi përsëri...”, i ka pohuar oficeri i policisë në momentin kur fadromisti ka refuzuar kërkesën për të bërë punime pa pagesë. Mirëpo rreth orës 09:30, shtetasi Bajram Koleci po udhëtonte me makinë në rrugën nacionale Tiranë- Kamëz. Me të njëjtin drejtim lëvizje po qarkullonte mjeti i policisë me targë “POLICIA 2011”, që drejtohej nga punonjësi i policisë rrugore Seit Bajramaj. Ky i fundit i ka kërkuar ndalimin e mjetit drejtuesit të fadromës Bajram Koleci, duke vazhduar lëvizjen paralel me të. Në një moment punonjësi i policisë kryen manovrën duke i dalë para mjetit fadromë që drejtohej nga shtetasi Bajram Koleci. Ky i fundit ngre sipër kovën e përparme të fadromës dhe frenon me qëllim shmangien nga përplasja me mjetin e policisë. Brenda saj kishte dy kova të vogla, të cilat kanë rënë sipër mjetit të policisë. Si rezultat është dëmtuar rëndë makina e policisë duke iu thyer xhami i përparmë, xhami trekëndësh, pjesa e sipërme e mjetit(tavani), pjesa e pasme e makinës, sinjali etj. I pyetur rreth faktit personi nën hetim Bajram Koleci ka shpjeguar rrethanat e mësipërme të ndodhjes së ngjarjes, duke shtuar se me punonjësin i policisë Bajram Koleci ka vepruar ditën e ngjarjes me qëllim ndaj tij. Këtë ai e lidh me faktin se ditë më parë nuk kishte pranuar që të kryente punime me fadromë në banesën e shtetasit Seit Bajrami, i cili kishte thënë se “..Unë jam oficer policie do të takohemi përsëri...”. Në lidhje me momentin e ndodhjes së aksidentit, fadromisti ka deklaruar në Prokurori se ka dëgjuar sirenën e një makine policie që po vinte pas tij. Në momentin që mjeti i policisë ka dalë paralel me të, drejtuesi i saj (punonjës policie) duke i kërkuar të ndalonte dhe të hapte krahun duke përdorur shprehjen “..hape krahun o shkërdhatë..”, dhe në mënyrë të menjëhershme mjeti i policisë i ka dalë përpara mjetit të tij, duke i prerë rrugën. Instinktivisht është frenuar prej tij, si dhe me qëllim mosgoditjen e mjetit të policisë ka ngritur kovën e përparme të fadromës dhe si rrjedhojë dy kovat e vogla që ishin brenda saj kanë rënë mbi mjetin e policisë duke e dëmtuar atë. Nisur nga kjo situatë Prokuroria e Tiranës, ka pushuar kallëzimin penal të bërë nga oficeri i policisë. E. Qyno

Dialogu me policin

Në momentin e aksidentit nga mjeti i policisë ka dalë drejtuesi i mjetit dhe i padituri Bajram Koleci ka parë që ai ishte personi që ditë më parë nuk kishte pranuar kryerjen e punimeve në shtëpinë e tij. Në moment i nervozuar i është afruar punonjësit të policisë, të cilin ka tentuar ta godasë duke iu drejtuar me shprehjen “..se na more familjen në qafë..”, më pas kanë ndërhyrë persona të rastësishëm dhe shtetasi Bajram Koleci ka hipur në fadromë në pritje të policisë.

Versioni i policit

Seit Bajramaj ka deklaruar në Prokurori se gjatë shërbimit, ka urdhëruar ndalimin e një fadrome, por drejtuesi i mjetit s’ka pranuar t’i bindet urdhrit të policisë. Përsëri prej tij i është kërkuar që të hapte krahun dhe në këtë moment oficeri i policisë pretendon se drejtuesi i fadromës, ka drejtuar fadromën drejt tij duke lëshuar kovat mbi makinën e policisë. Para prokurorëve të Tiranës oficeri Seit Bajramaj ka mohuar faktin që të ketë pasur njohje apo qejfmbetje me fadromistin e përfshirë në incident.

Gënjeshtra e oficerit

Nga këqyrja e regjistrit të shërbimit pranë komisariatit të Policisë Rrugore rezulton se punonjësi i policisë Seit Bajramaj ka qenë i planizuar me shërbim në zonën Dajt-Tufinë, dhe se nuk ka asnjë shënim mbi lëvizjen e tij në zona të tjera shërbimi, siç ka deklaruar ai për në sektorin Paskuqan-Kamëz. Sipas Prokurorisë, ky sektor i regjistruar në regjistrin e shërbimit, nuk përfshin zonën e ndodhjes së ngjarjes, dhe për pasojë duket qartë se efektivi Bajramaj ka shkuar qëllimisht në rrugën ku dhe ndodhi aksidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›