E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizmet, Basha: Procesi peng i disa artificeve

TIRANË- Procesi i legalizimeve ka mbetur peng i disa artificeve, të cilat mund të zgjidhen më lehtë, se sa fillimi i këtij procesi që kërkoi një vendim epokal siç ishte Ligji i Legalizimit, u shpreh Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë një takim më studentët e një universiteti jopublik.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Basha vlerësoi se procesi i legalizimeve është kompleks, pasi për një pjesë dërrmuese të rasteve bëhet fjalë për prona publike ose private që janë prekur nga ky proces. “Por Ligji i Legalizimeve, ndërkohë që u jep mundësinë për legalizim një komuniteti që përfaqëson rreth 1/3 e shqiptarëve, hap shtegun e kompensimit të pronës private”, tha Basha, sipas të cilit, “procesi i legalizimit ka ngecur, sepse nuk ka ecur në parametrat optimale, pasi procesi deri tani duhet të ishte në përfundim”.

Basha theksoi se ka një ndërgjegjësim total për t’i dhënë një impuls të ri procesit në nivelin e qeverisë qendrore dhe se po merren masa për këtë qëllim, për të zhbllokuar ato pika reale apo artificiale që ngadalësojnë procesin dhe për ta përmbyllur atë në nivel kombëtar brenda një kohe sa më të shkurtër.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›