E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazh albanologjisë

Vetëm duke u bashkuar në një lobing shkencor, albanologjia mund të bëhet pjesë integrale e shkencës evropiane. Konferenca shkencore për veprat themelore të albanologjisë e organizuar dy ditë në Tiranë, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, për akademikun, gjuhëtarin Kolec Topallin është një pistë e përshtatshme për të propozuar publikisht krijimin e një Qendre Ndërkombëtare të Albanologjisë.

Pasi ka marrë çmimin prej 3 mijë eurosh për veprën themelore albanologjike më të mirë shqiptare, për botimin “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, Topalli thotë se ky takim, i organizuar për herë të parë, është një homazh për albanologjinë

Vetëm duke u bashkuar në një lobing shkencor, albanologjia mund të bëhet pjesë integrale e shkencës evropiane. Konferenca shkencore për veprat themelore të albanologjisë e organizuar dy ditë në Tiranë, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, për akademikun, gjuhëtarin Kolec Topallin është një pistë e përshtatshme për të propozuar publikisht krijimin e një Qendre Ndërkombëtare të Albanologjisë.

Pasi ka marrë çmimin prej 3 mijë eurosh për veprën themelore albanologjike më të mirë shqiptare, për botimin “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, Topalli thotë se ky takim, i organizuar për herë të parë, është një homazh për albanologjinë. Të panjohur më parë, si autorë dhe vepra, simpoziumi ngriti një model evropian, njëkohësisht reflektoi një dëshirë të munguar ndërmjet albanologëve për t’u njohur me njëri-tjetrin, për të njohur dhe prekur veprën.

“I rëndësishëm në këtë mes është krijimi i frymës së bashkëpunimit, sepse njerëzit në takime të tilla njihen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë mendime, eksperiencë dhe e thashë që në fillim, suksesi më i madh i saj është që vetë shkenca shqiptare bëhet më e njohur dhe fiton vlera të reja”, - thotë Topalli. Ndërsa puna e tij 25-vjeçare ka qenë përqendruar mbi një vepër fondamentale për gjuhësinë tonë, për të cilin autori pohon se është një lexim nga e kaluara, por njëkohësisht i takon edhe së ardhmes sa u takon problemeve që ngre, dhe shumë çështjeve që presin ende zgjidhje në fushën e gjuhësisë.

Për herë të parë organizohet në Tiranë një simpozium me albanologë, ku prezantojnë veprat e tyre, ku ju u nderuat për veprën më të mirë ndër autorët shqiptarë. Çfarë shënon për shkencën albanologjike kjo veprimtari e ndërmarrë nga Qendra e Studimeve Albanologjike?

Është një punë vërtet e veçantë organizimi i këtij simpoziumi, sepse për herë të parë janë mbledhur dijetarë nga vende të ndryshme të botës dhe kanë ardhur për të vlerësuar veprat më të mira që janë botuar në vitet e fundit. Sigurisht që ky është një homazh për albanologjinë. Megjithëse unë fitova çmimin e parë, por nuk janë çmimet ato që i japin tonin kësaj veprimtarie. Sepse në fund të fundit, këto çmimet u përkasin të gjithëve. U përkasin të gjithëve atyre që kanë punuar dhe kishte vepra të tjera shumë të mira që mund të vlerësoheshin po të kishte më tepër çmime. Me një fjalë, ajo që fiton në këtë mes është vetë shkenca albanologjike. Për herë të parë bëhet një vlerësim i tillë kaq serioz dhe me vlerësim nga vetë studiuesit që merren me fusha të ndryshme.

A i kishin prekur më parë botimet e njëri-tjetrit autorët para se të vinin këtu? Si ka qenë rrjeti i njohjeve dhe i kontakteve midis jush?

Këtu kanë marrë pjesë shkencëtarë nga vende të ndryshme. Kanë ardhur nga Anglia, SHBA, Gjermania, Franca, Italia, kështu që ka qenë i vështirë kontakti. Megjithatë nëpërmjet internetit sigurisht që janë dërguar të gjitha materialet e nevojshme pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Ne kemi hartuar edhe një fletë palosje në të cilën janë paraqitur veprat me një recencë të shkurtër, portretet e autorëve dhe kopertina e librit njëkohësisht edhe një përmbledhje e personalitetit të çdo shkencëtari. Këto do të hidhen në internet dhe do të bëhen të njohura për një publik më të gjerë. E rëndësishme në këtë mes është krijimi i frymës së bashkëpunimit sepse njerëzit në takime të tilla njihen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë mendime, eksperiencë dhe e thashë që në fillim suksesi më i madh i saj është që vetë shkenca shqiptare bëhet më e njohur dhe fiton vlera të reja.

Duke pasur parasysh historinë e shkencës shqiptare, përplasjet, gabimet, kundërshtitë, mendoni së pas këtij takimi ka ardhur koha për të bërë një lobing të albanologëve, për ta bërë të njohur albanologjinë në mjediset shkencorë evropiane? Kjo nuk ka ndodhur qysh me vdekjen e Çabejt!

ǒështë e vërteta, ka njerëz që punojnë dhe ka njerëz që kanë dhënë vepra dinjitoze, sigurisht që ne dëshirojmë, edhe ky aktivitet i përket asaj, që Qendra e Studimeve Albanologjike të jetë pikërisht Tirana. Nuk mund ta them këtë me një superioritet, duke dashur të nënvlerësojë qendrat e tjera, sepse edhe Prishtina ka një akademi shkencash, ka një institut albanologjik, ka dhe qendra të tjera studimore. Po kështu, qendra të tjera studimore ka edhe në Maqedoni, është universiteti i Tetovës në Shkup, që merren me studime albanologjike, kemi qendrat albanologjike në Itali, në Kozenca, p.sh., që është qendra më e madhe, në Napoli, Palermo, ka gjithashtu në Romë, Leçe etj. Ka edhe në vende të tjera si në Gjermani dhe Austri, në Vjenë, ku studiohet gjuha shqipe. Por e kam fjalën, se e gjithë kjo farë e mirë e mbjellë në gjithë këto vende të Evropës edhe më tej, është mirë që të konvergojë në një pikë me qëllim, që njerëzit të njohin njëri-tjetrin të bashkëpunojnë, me njëri-tjetrin dhe të krijohen lidhje të tilla me qëllim që të fitojë ajo që është e përbashkët ajo që është më sublimja, të fitojë ajo që është shkenca e albanologjike.

Domethënë ju propozoni që Tirana të kthehet në Qendrën Ndërkombëtare të Albanologjisë?

Kjo është dëshira ime. Për të realizuar këtë dëshirë natyrisht që duhen plotësuar shumë kushte dhe nuk mund të themi se Tirana nuk e luan këtë rol, e luan deri në një farë mase, por duhet të punohet më tepër në këtë drejtim dhe duhet më tepër impenjim nga ana e instituteve studimore dhe shkencore, si dhe nga ana e universiteteve etj. Në përgjithësi, duhet të realizohen më shumë takime të tilla, me qëllim që këtu të konvergojnë të gjithë ata që merren me fusha të ndryshme të albanologjisë.

Gjithmonë jemi ndeshur me tezën që janë të huajt që na lexojnë ne, janë të huajt që bëjnë shkencën tonë në përgjithësi. Edhe në këtë simpozium kontributi i albanologëve të huaj duket i madh dhe me risi. Si e shikoni sot këtë fenomen?

Realisht nuk është kështu. Vetë ky simpozium tregoi që ka një bashkëpunim të frytshëm mes albanologëve të huaj dhe albanologëve shqiptarë që punojnë brenda për brenda Shqipërisë ose në trevat e tjera. Ka njerëz që vërtet kanë dhënë kontribute dhe vazhdojnë të japin kontribute, kështu që mendoj se kjo është një fushë e gjerë ku ka vend për të gjithë. Të gjithë ata që duan të punojnë, të studiojnë edhe të japin në këtë fushë, për të gjithë, ka tema, ka terren të palëvruara, ka vende të paeksploruara, ka libra për të shkruar. Fusha është mjaft e gjerë, mjafton që njerëzit të kenë vullnet, dëshirë dhe përgatitjen e duhur për të dhënë diçka në këtë fushë.

Tendenca e autorëve në këtë konferencë ka qenë që të na njohin me zbulime të reja. Për ju personalisht, çfarë ka qenë befasi, për sa i përket vlerësimit përfundimtar të ndonjë teze, siç ishte p.sh. ajo e Eric Hamp për ilirishten?

Unë i kam lexuar me kohë këto studime të prof. Hamp-it. Është një nga ata albanologët e atij brezi të vjetër që po ikën dalëngadalë por që po lë mbrapa vepra të mëdha. Eric Hamp-i është një nga ata dhe unë e kam për nder që ky çmim i albanologjisë m’u dha prej dorës së Eric Hamp-it, njëri nga të fundit albanologë që ka punuar me mish dhe më shpirt për problemet e gjuhës shqipe. Tezat e reja natyrisht janë teza të ngritura me kohë, por që janë pasuruar me materiale dhe argumente të tjera. Dhe njëri nga këta është edhe prof. Hamp-it. Këtu kishte teza të reja edhe për shumë probleme të tjera të historisë, të arkeologjisë, të kulturës sonë popullore dhe dua të nënvizoj sidomos atë që i takon Kosovës ku u ngritën shumë probleme që shqetësojnë Kosovën e sotme, shtetin më të ri në botë dhe të cilit i urojmë që së shpejti të fuqizohet dhe të bashkëpunojë jo vetëm me vende të rajonit, por me të gjithë botën.

Kthehemi tek vepra juaj, që u cilësua vepra themelore më e mirë shqiptare, pra bëhet fjalë për “Fonetika historike e gjuhës shqipe”. Në fondin e punës suaj shkencore, çfarë vendi zë kjo vepër? Kujt i adresohet?

Kjo vepër është rezultat i punës sime 25-vjeçare. E kam nisur me artikuj për çështje problemore që në vitet ’70, për të ardhur tek 8 monografitë që kam hartuar për probleme të ndryshme të fonetikës historike. Dhe është e natyrshme që pas një pune të këtillë, ku unë kam dhënë disa vite të punës dhe jetës sime, të vinte edhe kjo vepër e re, e cila sintetizon jo vetëm punë time disavjeçare, por bashkon dhe përgjithëson punën e të gjithë albanologëve që kanë punuar në këtë fushë për vite të tëra dhe nga vende të ndryshme. Prandaj, edhe vepra i takon, mund të themi në këtë drejtim së kaluarës, duke përfshirë të gjitha kontributet e dhëna në këtë fushë. I përket të sotmes, sepse ajo jep rezultatet më të fundit, rezultatet bashkëkohore të kësaj fushe dijeje. Por, njëkohësisht i takon edhe së ardhmes, sepse të gjitha problemet që janë parashtruar në këtë vepër, janë bërë përpjekje edhe për zgjidhjen e tyre. Janë dhënë orientimet ose vijat e kryesore të zgjidhjes, ndërsa u takon brezave të tjerë që t’i zgjidhin më mirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›