Paketë të re shërbimesh nëpër poliklinika
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përcaktuar tashmë objektivat për vitin 2009, për sa i përket zbatimit të mëtejshëm të reformës në kujdesin parësor shëndetësor. Burime nga ISKSH-ja bënë të ditur se për vitin 2009 ky institucion synon rishikimin e Paketës së Shërbimeve, që duhet të ofrojë dhe për të cilat financohet Qendra Shëndetësore. Gjithashtu, është në proces hartimi paketa e re sipas 7 shërbimeve, atij të urgjencës, shëndeti i fëmijës, shëndeti i të rriturit, kujdesi për gruan dhe shëndeti riprodhues, shëndeti i moshës së tretë, shëndeti mendor, edukimi shëndetësor dhe promocioni i shëndetit.
Sipas burimeve të mësipërme, ISKSH synon forcimin e kapaciteteve menaxheriale, me përcaktimin e detyrimeve të drejtorit të Qendrës Shëndetësore, si drejtues dhe mjek. Përmirësimi dhe saktësimi i elementëve, sipas detyrimeve kontraktuale të palëve, si dhe përmirësimi i matjes dhe vlerësimit të disa indikatorëve të cilësisë, duke ruajtur të njëjtin set indikatorësh, janë synime të tjera të ISKSH-së për vitin 2009, që do të sjellë gjithashtu sanksionim të palëve në kushtet e mosplotësimit të detyrimeve të kontratës.
ISKSH synon të krijojë një infrastrukturë për zhvillimin e një modeli të përmirësuar të pagesës për kapitacion. Kjo do të mundësohet, duke kaluar nga modeli aktual, mbështetur në koeficientin për kapita, sipas klasifikimit të mjekut, drejt një modeli mbështetur në koeficient për kapita, sipas grupmoshave të popullatës.