Homazh për balerinin dhe koreografin Bujar Aliaj
Njerëz që ngjisin shkallët e “Pallatit të Kulturës” me një hap të ngadaltë. Në fytyrat e tyre vërehen nota trishtimi. Jo si zakonisht: dera është e hapur në të dy kanatet. Hyjnë nga një, dy apo tre veta, të heshtur dhe nën shoqërimin e rrezeve të fundit të diellit në Perëndim e sipër, të cilat projektojnë thellë në holl siluetat. Aty-këtu, grupe-grupe njerëzish, që u japin jetë bisedave të përqendruara në kujtimin e ndritur të të ndjerit Bujar Aliaj, i cili para disa orëve me avionin e drejtpërdrejtë të linjës nga SHBA-të, u ul në “Aeroportin Nënë Tereza” të Rinasit. Ka lënë amanet që të prehet në tokën amë dhe tani së bashku me të afërmit e familjarët, që janë të pranishëm, pret shokët, miqtë e dashamirët që hyjnë e dalin për t’u bërë homazhin e rastit mortor... Vargani i gjatë, ku identifikohen edhe figurat më të njohura të artit shqiptar e sidomos ato të koreografisë, lëviz i ngadaltë drejt arkivolit të hapur në sallën e katit të parë. Në shenjë përzemërsie, jepet lamtumira e fundit: duart njëra pas tjetrës prekin arkivolin, një ndalesë e shkurtër pranë kokës së të ndjerit dhe përsëri pikërisht ato duar që bashkohen e ngushëllojnë familjarët...
Në “Varrezën e Tufinës” në heshtjen e natyrës, mes qiparisave që aty-këtu zgjaten si për t’iu afruar sa më shumë qiellit, dëgjohet vetëm një zë që përpiqet t’i rezistojë disi pikëllimit. Sipas dëshirës së të ndjerit Bujar Aliaj, pranë kokës së arkivolit, ndodhet miku e shoku, që ka ndarë së bashku me të, një pjesë të mirë jete: “...Bujari e ka dashur Shqipërinë dhe kjo është kryesorja” janë disa nga fjalët e para të prof. dr. Ramazan Bogdanit. Më tej, duke folur për kontributin e ndjeshëm në zhvillimet e kulturës kombëtare shqiptare, ai i drejtohet të pranishmëve: “Bujari, radhitet ndër të parët, në ‘Ansamblin Artistik të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë’, duke dhënë mbi të gjitha humorin e tij të mrekullueshëm. Punon në ‘Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve popullore’, në Ministrinë e Arsimit, por një jetë të gjatë, Bujari e kalon në ‘Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore’, si metodist e krijues, krahas kolegëve të tij, të ndjerëve Gëzim Kaceli dhe Engjëll Tërshana...”. Fjalët e fundit të përshëndetjes: “Bujari na ka lënë fisnikërinë... Bujari na ka lënë bujarinë dhe është pikërisht ky Bujar, që do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat e shpirtërat tanë...”, sikur e paraprijnë tablonë prekëse, ndërsa trupi i afrohet gjirit të tokës, ku do të pushojë në përjetësi. Gjithçka nga ky ceremonial, mbyllet me vendosjen e kurorave të shumta, që janë një shenjë mjaft sinjifikative e nderimit. Kjo është shkurtimisht kronika e shoqërimit për në banesën e fundit, të Bujar Aliajt, por konsideratat për këtë njeri të mirë, që u nda nga kjo jetë, nuk do të mund të rreshtin për shumë kohë.
I vëllai i tij, Agron Aliaj (Artist i Popullit), duke e përjetuar shpirtërisht humbjen, ashtu si edhe pjesëtarët e tjerë të rrethit familjar, për njeriun më të afërt e njëherësh kolegun në art, shprehet: “Humbja e vëllait dhe aq më tepër e një vëllai që pothuajse kemi qenë binjakë është mjaft e madhe. Kemi kujtime të jashtëzakonshme që nga fëmijëria e deri në fund të jetës, sepse Bujari dhe unë ishim në moshë të barabartë e në dëshira të barabarta. Bujari ka qenë një njeri me dashuri të madhe për jetën në përgjithësi, për artin; i donte shumë njerëzit. Dhe punën e tij e kanë vlerësuar tërë jetën, sepse punoi me njerëzit, me folklorin shqiptar e me kulturën shqiptare. Ai pothuajse, pëllëmbë për pëllëmbë e ka shëtitur Shqipërinë. Ka marrë pjesë në të gjitha grupet amatore. Ka punuar me devotshmëri të madhe. Ka punuar me një ndikim të jashtëzakonshëm për vallen popullore, për rastet e festivaleve folkloristike si rajonale, ashtu edhe ato të Gjirokastrës. Bujarin e njeh e tërë Shqipëria, pavarësisht se sot pak flitet për këta njerëz. Për mendimin tim, këta janë njerëzit e artit e kulturës. Janë ata rilindasit që e donin Shqipërinë, e donin artin shqiptar, folklorin shqiptar”.
Pa përjashtim shokët e Bujarit kanë ç’të tregojnë, nga ato përjetime që vetë arti i zbulon nga dita në ditë. Shokët e tij, kanë shumë për të thënë për figurën që ai i la vendit si një artist i vërtetë e i talentuar. Albert Janku (Artisti i Merituar) kujton: “Ka filluar shumë herët të kërcejë dhe ka kërcyer bukur. Unë për vete, isha shumë i vogël dhe e mbaj mend, kur dha shfaqjen ‘Ansambli i Ushtrisë’. Duke kërcyer, Bujari krijoi një atmosferë humori të jashtzakonshme. Me sa më kujtohet, ishte një ‘amerikanata’. Që nga ajo kohë, më ka dhënë gjithmonë emocione. Emocionin e ruaj edhe nga ai moment, kur nisa për herë të parë të merrem me koreografi. Ka qenë në një komision në ‘Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi’, kur unë u pranova dhe tërë jetën e ruaj në kujtesë atë ngjarje (Bujari ishte në këtë komision me Panajot Kanaçin dhe Isuf Kullollin). Në vazhdim, gjithmonë, Bujari më ka dhënë kurajo e më ka dhënë shtysë. Ka qenë ai promotori që vazhdimisht më thonte: ‘Albert, duhet të punosh, duhet të ecësh përpara...’. E në të vërtetë, Bujari do të mbetet në kujtesën tonë, si një njeri që i ka dhënë shumë për koreografinë. Në çdo aktivitet që zhvillohej, Bujari ishte prezent. Ai, si koreograf, binte në sy edhe në organizimet e ndryshme të ‘Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore’. Bujari dilte në skenë, shkonte, vinte valle të ndryshme në çdo shtëpi kulture, në çdo qytet të Shqipërisë. Më tepër se gjithçka Bujari ka pasur shpirtin e lirë. Ai ishte një njeri që kërkonte, e kërkonte gjithmonë. Avni Mula (Artist i Popullit), është një ndër shokët e tjerë të Bujarit, i cili me përmallim më tregon: “Bujarin e kam njohur nga afër, në rrethin tonë shoqëror të gjuetisë. Ai ka qenë njeri me të vërtetë i veçantë, sidomos për mirësinë e tij të brendëshme, që e shfaqte çdo çast. Dashuria për koreografinë, për muzikën apo edhe për artin në përgjithësi, ka qenë një linjë e pandërprerë për të gjithë jetën e tij, çka kur shkonim për gjueti shpërthente edhe më e plotë. Së bashku, mes natyrës, në grupin tonë të atyre pak shokëve të zgjedhur, ai ishte mjaft alegro. Gjithmonë pozitiv në idetë e tia të pagabueshme. Duhet të them, se Bujari, zinte vend të dallueshëm në shoqërinë tonë, të përbërë përgjithësisht me njerëz të artit: në mjedisin e hapur, në brigjet e lumenjve, në bregun e detit e kudo tjetër, humori i tij pritej mjaft mirë. Përpiqej të mos e kalonte kurrë cakun. Fliste me kompetencë dhe me mendime mjaft të kthjellëta, që pëlqeheshin prej çdokujt, por unë tek Bujari kam vlerësuar më shumë dashurinë që ka pasur për njerëzit... Edhe gjatë viteve të pasnëntëdhjetës, kur ai vinte nga jashtë, shpesh jemi mbledhur e Bujari ka qenë burimi i pashtershëm që na ka sjellë gëzimin e dashurinë”. Zeki Kastrati pedagog në “Akademinë e Arteve” mes dhimbjes për mikun, thotë: “Dua të them pak fjalë. Shpreh konsideratën e jashtëzakonshme. Kemi kujtime shumë të bukura të atyre fillimeve të kërcimit. Ka qenë kërcimtar i karakterit e sidomos i karakterit të huaj. Ka spikatur në vallet humoristike dhe më e bukura ka qenë, se të bënte të qeshje e vetë ai nuk qeshte, duke qëndruar në seriozitet të plotë. Sot ajo dhembshuri për Bujarin, çuditërisht po më ngjall vetëm kujtime shumë të bukura. Ndoshta është e arsyeshme, pasi Bujari ka lënë vetëm vepra të mira dhe të gjithë ne, shokët e tij, do ta kujtojnë përherë si njeriun pozitiv, që orë e çast ka bërë për shoqërinë”. Një tjetër përshtypje, që lidhet me fillimet e jetës së balerinit, është ajo e Norbert Krasniqit (Artist i Merituar): “Ishte i talentuar e me shumë prirje në zhanrin grotesk” thotë Norberti: “Si balerin unë e kujtoj tek “Tetë vajza dhe një djalë” valle qytetare e stilit rus, apo në një tjetër numër që titullohej “Piratët”: të dy protagonistët kapen duke vjellur e përfundojnë që të dy, në një thes që rrokullisej. Ishte valle me nota të larta humoristike. Unë Bujarin e kam gjetur në ansambël. E ruaj të paprekur respektin. Në bisedë ai ishte i çiltër. Kishte një dozë humori të këndshëm e të pranueshëm nga të gjithë. Të them të drejtën, m’u dhimbs pa masë, sepse me humorin e tij ai i jepte jetë gjithkujt”.
Dhe mendimi i intervistuar nga prof. dr. Ramazan Bogdanin (pas çasteve që ai i përjetoi thellësisht gjatë ceremonialit funebër në banesën e fundit), tanimë kur njerëzit janë mbledhur pranë “Hotel Internacional”, ndoshta është e arsyeshme që të jetë edhe nënvizimi konkluziv i përshtypjeve e mendimeve të ngrohta që i adresohen të ndjerit Bujar Aliaj. “Në këtë jetë ka sjellë bujari. Ka sjellë fisnikëri, ka sjellë devotshmëri, optimizëm e pozitivitet. Bujari ka luftuar edhe me pushkë edhe me mendje, ka luftuar edhe me zemër, ka luftuar edhe me pendë, sepse ka punuar në ‘Ansamblin Artistik të Ushtrisë Popullore’ si profesionist, në ‘Ansamblin e Këngëve dhe Valleve popullore’ dhe në mënyrë të veçantë ka qenë metodist e kruijues në ‘Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore” duke lënë gjurmë të thella, për zhvillimet e artit koreografik shqiptar por edhe në veprimtarinë amatoreske. Një jetë të tërë punoi në këtë institucion artistik, ku ishte si redaktor përgjegjës për një sërë buletinesh të ndryshme. Këtu është botuar një lëndë e gjerë për zhvillimin koreografik, ku qëndron vula e njerëzve më të respektueshëm të profesionizmit, si Panajot Kanaçi, Skënder Selimi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Engjëll Tërshana dhe sa e sa të tjerë”.
...