Kryeparlamentarja Topalli merr pjesë në takimin e 5-të të kryeparlamentareve gra në Vjenë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli ka marrë pjesë në takimin 5 -të ndërkombëtar të kryeparlamentareve gra, që u organizua në Vjenë nën kujdesin e kryetares së Parlamentit të Austrisë, znj.Barbara Prammer. Në fokus të debatit ishte lufta ndaj dhunës kundër grave dhe kriza ndërkombëtare si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend , pavarësisht zhvillimit social të saj.
Zyra e Shtypit e Kuvendit të Shqipërisë , bëri të ditur se Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë fjalës në këtë takim ndërkombëtar argumentoi se "kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton së pari gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës, duke ofruar modelin e Shqipërisë si një vend, që nëpërmjet zbatimit të një pakete të guxishme fiskale dhe dyfishimit të të ardhurave, edhe nga lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, ka realizuar rritjen më të madhe ekonomike në Europë, duke ndikuar në mirëqënien e familjes shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, të gruas." Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se "ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm nëpërmjet politikave protektive për gratë, por para së gjithash, ndryshimi vjen nga ajo çka gratë bëjnë për vetveten". Në takimin me homologet e saj, Jozefina Topalli e vlerësoi si një arritje thelbësore të demokracisë shqiptare dyfishimin e numrit të deputeteve gra, duke u shprehur optimiste edhe për rritjen e numrit të grave në qeverinë e ardhshme. Gjatë takimit në Vjenë, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, ndau me koleget e saj përvojën e një turi dy vjeçar në mbështetje të grave dhe ndërgjegjësimit për rolin që ato duhet të luajnë në shoqëri. “Unë kam ndjerë dhe kuptuar- nënvizoi -znj. Jozefina Topalli se -se energjia, përkushtimi, pasioni i gruas janë vlera të jashtëzakonshme të cilat sjellin progres dhe unë jam e sigurtë se ne të gjitha ndajmë të njëjtën ndjesi dhe përvojë se gratë janë një thesar, por jo tërësisht i zbuluar nga shoqëria”. Takimi i 5-të i kryeparlamentareve në Vjenë , vlerësoi si prioritare partneritetin me median në përballimin e kësaj sfide në Objektivat e Mijëvjeçarit.
...